Veles, probleme me procesin mësimor në Kllukovec

Ndërsa moshatarët e tyre tashmë një muaj po zhvillojnë normalisht procesin mësimor, nxënësit e klasës së parë të fshatit Kllukovec vitin shkollor e kanë nisur pa mësues. Orët e mësimit, 13 nxënësit e shkollës periferike “Vasill Gllavinov” i kalojnë duke mësuar shkronjat dhe numrat nga njëri tjetri. Alsat ishte në mesin e këtyre nxënësve, të cilët orët e mësimit i zëvendësonin me lojë, mëson Alsat M.

“Vijmë çdo ditë në shkollë por nuk kemi mësues..nuk ka kush të na mësojë. Luajmë me shokët në klasë se nuk kemi mësues.”

“Unë e kam emrin Aida dhe jam në klasën e parë..Çdo ditë vijmë në shkollë, s’kemi mësues me na mësu. Çka bëni në klasë? Lexojmë. Vet lexoni, e mësoni njëri tjetrin? Po. Çka keni mësu deri tash? Vizatim!”- ankohen nxënësit e Kllukovecit.

Prindërit shprehen të brengosur për fatin e fëmijëve të tyre. Ata thonë se në shtëpi punojnë shumë me fëmijët por gjithçka është e kotë pasi kur shkojnë në shkollë nxënësit janë pa mësues.

“Klasa e dytë siç është edhe klasa e parë janë të paarsimuar, e kanë kaluar kot e kot duke luajtur nëpër oborr, tash edhe një klasë është duke e kalu ashtu dhe gjeneratat tjera nëse vijon kështu puna do ta kalojnë ashtu se nuk ka interesim aspak. As nga Vasill Gllavinovi, nga drejtoresha e shkollës që të vij këtu dhe to shih fëmijët se si vijon mësimi..Alfabetin ata fëmijë nuk mund ta mësojnë ashtu, të përparojnë me mësim nuk na besohet neve si prindër të ecin përpara”- ankohet një prind.

Nga komuna e Velesit thonë se janë në procedurë të pranimit edhe të një mësuesi por për shkak të politikës së krijuar në vend nuk mund të zgjidhet ky problem. Përveç kësaj, kushtet në shkollë nuk plotësojnë as ato elementare për zhvillimin e procesit edukativo arsimor.

“Kjo shkollë është ndërtuar nga vet prindërit, jo se nuk mund të ndërtohet përsëri nga prindërit, jemi më shumë prindër për të ndërtuar një shkollë të vogël aq sa ka nevojë për fëmijët tonë, mirëpo është ajo se na vjen inati se përse vetëm në vendbanimet shqiptare të ndërtohet vet, nga duart e shqiptarëve shkolla dhe objekte të cilat i takojnë ti ndërtojë shteti ose komunat”- shprehet një tjetër prind.

Në shkollën periferike “Vasill Gllavinov” mësimin e ndjekin rreth 50 nxënës, nga klasa e parë e deri në të gjashtën. Premtimet e shumta të Komunës së Velesit dhe Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një objekti të ri shkollor thuajse u lanë në harresë. Dy institucionet shfajësojnë veten duke thënë se akoma nuk është kompletuar dokumentacioni i duhur për parcelën ku duhet ngritur objekti i ri shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button