Zaev: Nuk do të ketë presione dhe keqpërdorime nga shteti për qëllime zgjedhore

Parimi i ndarjes së shtetit nga partia është fjalë e dhënë dhe angazhim, si dhe përcaktim dhe qëllim strategjik i Qeverisë së re, tha sot kryeministri Zoran Zaev.

Sipas tij, gjatë 100 ditëve të kaluara nga formimi i Qeverisë nuk ka pasur, dhe në periudhën e ardhshme nuk do të ketë presione, shantazhe dhe kërcënime për qëllime zgjedhore, as keqpërdorime të parave shtetërore për qëllime zgjedhore.

Duke potencuar se ndarja e shtetit nga partitë politike është obligim nga Marrëveshja e Përzhinës dhe vërejtje në të gjitha raportet e BE-së për përparimin e Maqedonisë, OSBE-ODIHR-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe civile, Zaev tha se qasjen serioze ndaj kësaj çështjeje Qeveria e ka treguar me vendosjen e një sërë të mekanizmave në kornizën reformuese planin 3-6-9.

“Mbajtja e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike është prioritet kulmor i Qeverisë, dhe besoj se duhet të jetë prioritet kulmor i shtetit tonë”, tha Zaev në konferencën “Ndarja e shtetit nga partitë poltiike”, në organizim të asociacionit civil MOST.

Siç tha Zaev, janë paraparë më shumë masa në afat të shkurtë, të mesëm dhe të gjatë për shmangien e mangësive në realizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së, Komisionit të Venecias, në bashkëpunim me shoqërinë civile, BE-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Sipas Zaev, për ndarjen e shtetit nga partitë politike dhe për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike, Qeveria deri tani i ka ndërmarrë të gjitha masat që ka mundur t’i ndërmarrë dhe janë në kompetencë të saj.

Krahas instruksioneve, udhëzimeve dhe vendimeve deri tani të miratuara, të cilat mes të tjerash kanë të bëjnë me ndalesën e shfrytëzimit të resurseve shtetërore nga pjesëmarrësit dhe kandidatët gjatë procesit zgjedhor, Zaev paralajmëroi se do të formohet trup koordinativ, i cili do ta kontrollojë procesin e respektimit dinjitoz të ndalesave që dalin nga Kodi zgjedhor në periudhën e ditës së shpalljes së zgjedhjeve deri te përfundimi i tij.

“Kjo ide është në funksion të zgjedhjeve të lira, korrekte dhe demokratike lokale më 15 tetor, me qëllim që përparimit të besimit në procesin zgjedhor nga ana e të gjitha subjekteve, si dhe për shkak të parandalimit dhe pamundësimit të çfarëdo presioni mbi qytetarët në pikëpamje të votimit të tyre në zgjedhje”, tha Zaev.

Ai apelon për kontribut aktiv të shoqërisë civile dhe të qytetarëve individualisht për përmirësimin e gjendjeve dhe ndërmarrjen e gjithçka që nevojitet në funksion të procesit zgjedhor korrekt dhe të rregullt, ndërsa pret edhe përkrahje parimore edhe për të gjitha proceset e rëndësishme nga BE-ja, SHBA-ja dhe OSBE-ODIHR. Apeloi edhe deri te personat udhëheqës në institucionet shtetërore dhe qeveritare se do të ketë zero tolerancë për keqpërdorime eventuale zgjedhore.

“Për periudhë të shkurtër arritëm që RM-në ta drejtojmë në rrugën e duhur euroatlantike. Zgjedhjet demokratike, korrekte dhe të rregullta, krahas të gjitha formave të cilat i filluam dhe përparimi në marrëdhëniet e mira fqinjësore, hapin perspektiva reale euroatlantike për shtetin. E ato nënkuptojnë para së gjithash mundësi për përparim ekonomik dhe jetë me prosperitet të qytetarëve”, tha Zaev.

Sipas ambasadorit Samuel Zhbogar, posaçërisht është me rëndësi të zbatohen të gjitha premtimet dhe garancitë e jotolerancës të keqpërdorimeve të ndryshme lidhur me zgjedhjet për të gjitha proceset zgjedhore.

“Është primare që liderët politike, anëtarët e partive dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë t’i zbatojnë fushatat pa asnjë lloj frikësimi, dhune dhe në mënyrë që nuk do të nxisë tensione të ndryshme etnike. Dëshirojmë t’i nxisim liderët politikë dhe partitë e tyre dhe faktorët relevantë që ta shfrytëzojnë procesin zgjedhor që të konfirmohet dhe tregohet përkushtimi i tyre ndaj vlerave demokratike dhe sundimin e së drejtës”, tha Zhbogar.

Ai potencoi se zgjedhjet janë të rëndësishme për demokracinë e vendit, por edhe për eurointegrimin e tij. Kyçe për përkrahje të zgjedhjeve të ardhshme do të jetë bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve, duke përfshirë edhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Kryetari i MOST, Darko Aleksov kërkoi nga Qeveria e re që ta respektojë parimin e ndarjes së shtetit nga partia, për çka siç tha, ka pasur shumë shembuj në të kaluarën.

“Prej sot e tutje dëshirojmë të shohim se ky parim mund të respektohet dhe se pushteti mund të praktikohet më ndryshe”, tha Aleksov.

Konferencën që MOST e organizon në kuadër të programit udhërrëfyes ndaj reformave demokratike, duhet në afat të shkurtë të japë kontribut drejt zgjedhjeve të lira dhe korrekte. Pjesëmarrësit debatojnë për masat të cilat do të zbatohen në prag të zgjedhjeve lokale dhe nëse do të kontribuojnë në sigurimin e ndarjes së shtetit nga partitë politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button