Servilizmi dhe integriteti personal

Në shoqërinë aktuale për fat të keq akoma mbisundon sindromi anadollak i stimulimit të varësisë nënshtruese të subjekteve ndaj padronit dhe i luftimit të pamëshirshëm të atyre që nuk duan të nënshtrohen, nuk duan ta ‘kërrusin kurrizin’ por parapëlqejnë ruajtjen e nderit dhe integritetit personal sine qua non.

Që gjendja të jetë më dëshpëruese, një fenomen i tillë mbisundon edhe në qarqet akademike dhe intelektuale, ku ky sindrom supozohet të jetë inekzistent falë përgatitjes superiore dhe shkallës së supozuar të lartë të integritetit personal, kundrejt të tjerëve që vuajne nga kompleksi i inferioritet dhe parapëlqejnë që në jetë të depërtojnë me anë të lëvdatave dhe lajkave ndaj atyre prej të cilëve varen drejtpërdrejt, si në jetën e përditshme shoqërore ashtu edhe institucionale.

Krahasuar në këtë aspekt, mund të nxjerrim konkluzionin se kjo tipare edhe e definon karakterin individual njerëzor, ndërmjet atyre që zgjedhin të hapërojnë përpara pa u përkulur dhe krenarë drejt sfidave të jetës, e cila normalisht se i sprovon përditë me batica dhe zbatica, por që ia dalin vazhdimisht më të fortë dhe më të afërt ndaj Zotit dhe njerëzve të mirë dhe të ndershëm, dhe të atyre që e zgjedhin rrugën më të lehtë dhe më të shkurtër, dhe të cilëve nuk u pengon edhe të përkulen, të servilosen, pa kursyer lëvdata dhe elogje për shefat dhe padronët e tyre, sa herë që kjo t’u kërkohet, por që në fund përfundojnë të dhunuar dhe të poshtëruar shpirtërisht, sepse kanë zgjedhur jetën më të lehtë dhe pa gjemba dhe që frikësohen nga pasiguria financiare dhe nga sprovat dhe sfidat e përditshme jetësore, që fundja edhe duhet ta forcojnë karakterin individual të një personi.

Dobësimi i karakterit dhe jeta e tyre e zbrazët shpirtërore normalisht që ata i largon nga rruga e drejtësise dhe e ndershmërisë, sepse ata në këtë rrugëtim nuk hezitojnë të shkelin dhe shkatërrojnë në mënyrë të paskrupullt fatet individuale dhe familjare njerëzore të atyre që guxojnë t’u dalin përpara, me çka edhe marrin rrugën e ‘qoftlargut’ dhe të njerëzve të padrejtë dhe të pandershëm, të cilët njerëzimi dhe shoqeria pse jo edhe drejtësia e zotit, herët apo vonë do t’i gjykojë për rrugën e zgjedhur.

Kur e gjykojmë në këtë rrafsh psikologjik, normalisht që secilit individi në jetë i ka rastisur të ballafaqohet me sprova të tilla, qoftë në vendin e punës dhe sidomos në politike. Prandaj është bërë modë dhe si duket kështu ka qenë gjithmonë që, nga njëra anë, udhëheqësit e institucioneve dhe kryetarët e partive të parapëlqejnë dhe të afrojnë rreth vetes njerëz që dikur në ushtri me përbuzje i quanin ‘përfitues (grebatorë=gervishtës)”, apo që tash i quajmë puthadorë, sahanlëpires dhe çantabajtës, sepse kjo është për ta rruga më e lehtë dhe pa ‘xhunga’ dhe kthesa të rrezikshme në rrugëtimin gjegjësisht në karrierën e tyre politike.

Nga ana tjetër, këtë e përfitojnë me mjeshtri “përfituesit” të cilëve nuk u pengon të ndërrojnë fytyrën, të përfolin dhe shpifin për të tjerët, të rrezikojnë dhe marrin në qafë ata që ua ‘këlliqin ujin’ dhe ‘prishin gjumin’ shefave të tyre, dhe duke i lartësuar ata në piedestalin më të lartë të mundshëm, si njerëz të pazëvendësueshëm dhe të pafitueshëm.

Pasi që të tillët janë shumicë si votues individualë, ata edhe mund përkohësisht të fitojnë në zgjedhje, por fitorja e vërtetë e quajtur “Greater good” normalisht se do të mungojë, sepse atyre nuk u intereson të fitojë “E mira e përgjithshme”, por vetëm “e mira personale”, dhe me këtë zgjedhje Ne si shoqëri dhe komb do të vazhdojmë të “hapërojmë në vend”, duke u marrë më vetveten pra me njëri tjetrin individualisht, dhe duke mos aspiruar të bëjmë ndryshimin në rrafshin e përgjithshëm.

Nëse secili do ta bënte punën e vet me përkushtim dhe ndershmëri, atëherë nuk do të ekzistonte “e keqja”, dhe të gjithë do të ishin të lumtur me zgjedhjen e “rrugës sëë vërtetë”. Kësisoj nuk do të mungonin edhe rezultatet dhe mirëqënia e përgjithshme, por për ta bërë këte luftë, normalisht se udhëheqësit do t’i përzgjidhnin “ushtarët e tyre më të mirë”, ashtu si trajneri që i zgjedh lojtarët më të mirë për të korrur fitore në fushë.

Prapëseprapë, për ta bërë përzgjedhjen e duhur doemos se duhen ndryshuar kriteret dhe niveli i përgatitjes profesionale të pretendentëve për funkcione publike, gjegjësisht të lojtarëve në fushë, sepse servilistët nuk janë të mësuar me ballafaqimin me sprovat dhe sfidat jetësore, por vetëm me ikjen prej tyre dhe strehimin nën ‘hijen e çadrës së sigurtë të pushtetit’.

Konkluzivisht, po këta të njëjtët janë të prirur të nuhasin me kohë se “çadra është shpuar dhe nuk i mbron më’, dhe të parët do të vërsulen me shigjetat e tyre të lajkave dhe lëvdatave për të gjetur vend ndër të parët në çadrën e pushtetit të ri, dhe do t’i shërbejnë këtij me po aq devotshmëri dhe servilizim, sepse per këtë janë tashmë të specializuar dhe të paarritshëm.

Megjithatë, pa marrë parasysh epilogun e palakmueshëm të atyre që zgjedhim të mos bëhen hyzmeqarë, por të çajnë përpara me forcat e tyre, ata janë gjithmonë fitimtarë të padiskutueshëm në hapërimin e tyre gjegjësisht në fushëbetejën e jetës së përditshme, krenarë që e kanë zgjedhur rrugën e vërtetë të drejtësisë dhe për të bërë vepra të mira në jetë, edhe atëherë kur kjo u kthehet me të keq, sepse janë të vendosur dhe të palëkundur në besimin se rruga e drejtësisë është e shtruar me gjëmba, por në fund shpërblehet, mbasi drejtësia vonon por nuk harron.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button