Shenjat monumentale të fshatit që dikur kishte veç kulla

Fshati Nivokaz, dikur i njohur për kompleksin e kullave prej guri, sot ruan pak godina tradicionale shqiptare.

Rreth 20 kilometra larg qendrës së Gjakovës, në djathtë të rrugës për në Junik, ndahet rruga e ngushtë që çon në këtë fshat, shkruan sot Koha Ditore.

Muret prej gurësh që rrethojnë hapësirat e familjeve janë mbetje e dëshmisë se dikur fshati ishte i tëri me ndërtime prej guri. E në mesin e kullave që kanë mbetur në këmbë aty janë edhe ajo e Sylejman Alisë dhe Kulla e Isuf Sadikut.

Betimi se kulla s’do të rrëzohet

Muri me gurë e ka në mes portën e ulët që përfundon sipër me gjysmëhark, e nxjerrë nga gurë të gdhendur.

Trokitja në deriçkën prej metali është e zhurmshme, saqë me t’u hapur dera, nga shtëpia e ndërtuar në oborrin e kullës del e zonja e shtëpisë, e cila nuk kursen mikpritjen ndaj mysafirit që e takon për herë të parë.

Kur merr vesh që fjala është për rrëfimin mbi historinë e kullës së vjetër, muhabetin thotë se duhet bërë me plakun.

“Hajde mrena nonë! Është plaku e flet me të. Qe veç po e lajmëroj”, thotë gruaja që mban veshur një këmishë të bardhë që i shkëlqen, teksa me vrap niset të futet brenda.

Mirëseardhje të njëjtë ofron edhe i zoti i shtëpisë, i cili i është afruar të 80-ave por që nuk lë përshtypje se e ka arritur këtë moshë. Muhabetin s’e nis pa u siguruar për atë që duhet servuar. Menyja i përfshin të gjitha: lëngje, birrë të ftohtë, kafe a drekë. Teksa bëhet gati për të rrëfyer, “kreh” me duar mustaqet e gjata e të thinjura, një herë në anën e djathtë e pastaj në të majtën.

Datën e saktë të ndërtimit të kullës thotë se nuk e di. Por, siç i kishin rrëfyer të moçmit, sot kulla duhet t’i ketë mbushur 200 vjet.

Image

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button