Basha: Qeveria e re, vazhdim i së keqes, garanci e provuar për korrupsion

Menjëherë pas shpalljes së kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri Edi Rama, kanë ardhur reagimet nga Partia Demokratike me dy figurat më të larta të saj, kreun Lulzim Basha dhe nënkryetarin Edi Paloka, njofton Top Channel.

“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafaj, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin”, shkruan ndër të tjera Basha.

Basha ashpërson më tej reagimin e tji, duke thënë se kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste.

“Tridhjetë vite pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre, nga Edi Rama te Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato, e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse. Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish”, shprehet më tej Basha.

Kreu i Partisë Demokratike thekson se sot, ata që menduan se “takimet me popullin” dhe ballafaqimet me hallet e rënduara të njerëzve e bënë Ramën të reflektojë, “kuptuan që kjo qeveri nuk do të jetë kurrë qeveria e popullit dhe nuk do të punojë kurrë për popullin”.

Ndaj, për Bashën, opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin tonë.

Ndërkohë, Paloka thekson në reagimin e tij se Rama nuk zhgënjeu me kabinetin e ri.

“Ruçi, Balla, Ahmetaj, Gjiknuri, Xhafaj, Bushati, Peleshi, Klosi, Qato… Një bashkim i kryehajdutëve të 4 viteve të shkuara, që jo rastësisht ishin edhe në krye të sistemit të blerjes së votave, dhe përfaqësuesve më të denjë të nomenklaturës kriminale komuniste, pinjollë të drejtpërdrejtë të ish-Byrosë Politike. Duke iu referuar edhe statusit tim përpara zbulimit të emrave. Po edhe në atë aspekt Rama nuk zhgënjeu, ia kaloi Caligulës. Ka një shprehje që thotë se ‘çdo popull meriton qeverinë që ka’. Nuk e di, a e meritojmë vërtet të drejtohemi nga këta…?”, ngre pyetjen nënkryetari i PD-së, Paloka.

Një reagim nga fronti opozitar ishte edhe ai i ish-ministrit të Drejtësisë nga radhët e LSI-së, Ylli Manjani. “Siç pritej, tepsia e gjitha për Ramën, ndërsa problemet për Ruçin. Nejse, Gramozit i uroj suksese! Është socialisti i vetëm tashmë në politikë!”, shkruan në rrjetet sociale Manjani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button