Kshz-ja shton afatin për këshillat zgjedhor

Partitë në pushtet dhe ato opozitare do të kenë afat deri të martën në mesnatë t’i dorëzojnë propozimet për anëtarët dhe zëvendësit e tyre në Këshillat Zgjedhor për zgjedhjet lokale. Edhe pse afati për paraqitje, sipas planit, përfundon sot, nga KSHZ-ja për ALSAT –M thonë se shtyrja e afatit vjen si rezultat i fundjavës dhe festës të së hënës.

Nga 10 anëtarët që do të jenë në çdo Këshill Zgjedhor, gjashtë do të jenë nga radhët e administratës, sipas shortit, kurse katër tjerë nga partitë në pushtet dhe ato opozitare që kanë fituar më së shumti vota, praktikisht, dy pushteti dhe dy opozita. Çdo parti ka të drejtë për një anëtar, por në varësi prej komunave dhe vendimeve partiake, ekziston mundësia që ndonjëra prej partive në komuna të caktuara të lirojë vendin e saj për partnerin e koalicionit, për anëtar në Këshillin Zgjedhor.

Pasi dorëzimit të propozimeve të partive, KSHZ-ja i aplikon të dhënat në komisionet komunale zgjedhore tashmë të formuara, të cilat obligohen të formojnë Këshilla Zgjedhorë.

Ndryshe, në proces e sipër është trajnimi i administratës, ndërkohë që po vazhdon kontrolli publik i Listës Zgjedhore. Për momentin, nuk ka kurrfarë vonese administrative në përgatitjen e zgjedhjeve lokale.

Deri më 9 shtator, partitë politike kanë afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash, kurse më 25 shtator fillon fushata parazgjedhore, për zgjedhjet që do të mbahen më 15 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button