fbpx

“Tour de Kosova” edhe sivjet jashtë kalendarit ndërkombëtar

Gara më e madhe në vend e organizuar nga Federata e Çiklizmit të Kosovës (FÇK), “Tour de Kosova” edhe këtë vit do të mbahet pa u futur në kalendarin e garave të Federatës Botërore të Çiklizmit.

Fituesi i “Tour de Kosova 2017”, që do të nisë më 17 dhe do të përfundojë më 20 gusht, nuk do të fitojë asnjë pikë në ranglistë.

Etapa e parë do të jetë e gjatë 115 kilometra, do të nisë në Prishtinë, do të kalojë nëpër Kamenicë dhe do të përfundojë në Ferizaj.

Etapa e dytë prej 140 kilometra, nis në Ferizaj dhe përfundon në Gjakovë, ndërsa etapa e tretë prej 115 kilometrash nis në Gjakovë dhe përfundon në Landovicë.

Etapa e fundit, përkatësisht e katërt nis në Prizren dhe përfundon në Mramor, ndërsa është e gjatë 130 kilometra.

Pjesëmarrjen në këtë ngjarje e kanë konfirmuar çiklistë nga Mali i Zi, Serbia përkatësisht Novi Pazari, Bullgaria, Maqedonia, Holanda, Belgjika dhe Shqipëria.

Kosova do të paraqitet me gjashtë çiklistë. Kryetari i FÇK-së, Avni Nuha, shpreson që nga viti i ardhshëm edhe “Tour de Kosova” të futet në kalendarin e garave botërore.

“Në shtator do të mbahet një mbledhje e komitetit të federatës botërore dhe shpresoj që ta miratojnë kërkesën tonë. Shpresojë që vitin e ardhshëm ‘Tour de Kosova’ të jetë në kalendarin e garave. Përgatitjet për këtë vit kanë shkuar mirë. Forca e Sigurisë së Kosovës na ka siguruar ndihmën e shpejtë, kurse Policia e Kosovës ofron sigurinë në rrugë. Shpresojmë në paraqitje sa më të mirë të çiklistëve të Kosovës”, ka thënë Nuha të hënën për Kohën Ditore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close