Belgjikë, konfirmohen vezë të kontaminuara me insekticide

Pas krizës së vezëve të kontaminuara me insekticide në Gjermani dhe Holandë, edhe në vezët në Belgjikë është konfirmuar insekticidi me emrin Fipronil, i cili është të ndaluar të përdoret te kafshët e fermave, raporton Anadolu Agency (AA). 

Agjencia Federale për Siguri të Zinxhirit Ushqimor në Belgjikë ka deklaruar se Fipronili në vezë është zbuluar që në muajin qershor, por një gjë e tillë nuk është shpalosur para opinionit për shkak të “fshehtësisë” së hetimit.

Agjencia ka njoftuar se nuk bëhet fjalë për gjendje e cila kërkon tërheqjen e vezëve nga tregu dhe se hulumtimet kanë treguar se niveli i insekticidit në vezë ka ngelur shumë i ulët.

Ndërkaq, ministrja e Shëndetësisë, Maggie De Block, ka thënë se “hulumtimet tregojnë që vezët nuk rrezikojnë shëndetin e njerëzve”.

Megjithatë, Denis Ducarme, ministri i Bujqësisë, ka kërkuar që agjencia të përgatisë një raport të posaçëm mbi atë se çfarë masa ka marrë lidhur me çështjen.

Ai ka theksuar nevojën që të sigurohet transparencë e plotë dhe që zyrtarët belgë të bashkëpunojnë me palët në Gjermani dhe Holandë.

Gjatë shpërthimit të krizës së vezëve në Belgjikë ishte deklaruar se vetëm disa vezë janë të kontaminuara, por aktualisht zyrtarët thonë se insekticidi është konfirmuar në miliona vezë dhe kanë paralajmëruar konsumatorët të mos i konsumojnë vezët me kodin “X-NL-40155XX”.

Ndryshe, më parë është njoftuar se kompania Ravel në qytetin Anvers të Belgjikës ka përzier Fipronil me dezinfektuesin Dega-16, i cili është përdorur veçanërisht në fermat e pulave në Holandë, ndërsa vezët e prodhuara këtu janë shitur në Gjermani.

Gjurmë të Fipronilit u rastisën në vezët e disa kompanive në Gjermani që prodhojnë shpezë. Supermarketet në Gjermani larguan nga raftet e tyre vezët e kontaminuara me Fipronil.

Thuhet se Ravel u ka shitur produkte higjienike që përmbajnë insekticide 180 kompanive. Po ashtu theksohet se Fipronili, në raste të konsumit të lartë, mund të dëmtojë veshkat, mushkërinë dhe gjëndrat tiroide te njerëzit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button