Nënpresidenti i SHBA-së, Pence nis vizitën drejt Estonisë, Gjeorgjisë dhe Malit të Zi

Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence është nisur për në Estoni, në kuadër të vizitës së tij në tri vende, të cilat kanë shprehur shqetësim rreth synimeve të Rusisë në rajonet e tyre, shkruan REL.

Pence planifikon të arrijë sot në Tallin, dhe më pas të ndalojë edhe në Gjeorgji dhe Malin e Zi, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Administrata e lartë e SHBA-së ka thënë se udhëtimi është vazhdimësi e vizitës së presidentit Donald Trump, në Evropë, në fillim të korrikut.

Trump pati ndaluar në Poloni dhe Gjermani për të shprehur mbështetjen ndaj NATO-s, derisa në të njëjëtin udhëtim, u takua edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në përpjekje për të rregulluar marrëdhëniet me Moskën.

Estonia dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s, ndërsa Gjeorgjia po bën përpjekje për t’iu bashkuar kësaj aleance.

Përveç shprehjes së përkushtimit të SHBA-së ndaj këtyre tri vendeve, Pence do të diskutojë edhe për ndonjë bashkëpunim tregtar apo investim eventual të SHBA-së me këto vende, ka njoftuar tutje administrata.

Sipas zyrtarëve, Pence do të theksojë nevojën e lirisë së shprehjes, demokracisë dhe tolerancës fetare.

Më 2 gusht, nënpresidenti amerikan, Pence, do të marrë pjesë në një takim të liderëve të Kartës së Adriatikut në Podgoricë.

Liderët nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Sllovenia, do të jenë po ashtu pjesë e këtij takimi.

Pence do të nënvizojë përkushtimin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe nevojën e një qeverisje të mirë, reformave politike dhe sundimin e ligjit në këtë rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button