fbpx

Veseli: Nesër fillon regjistrimi i deputetëve të rinj

Kryesia në largim e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e fundit me përfaqësuesit e partive parlamentare në të cilën u diskutua për përgatitjet e seancës konstituive të Kuvendit që do të mbahet më 3 gusht, raporton Anadolu Agency (AA). 

Pas mbledhjes kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bëri të ditur se nesër do të fillojë regjistrimi i deputetëve të rinj dhe do të zgjasë tre ditë. Por Veseli nuk u përgjigj në pyetjen nëse do të kandidojë sërish për kryetar të Kuvendit.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit në largim, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti nuk u përgjigj ne pyetjen nëse deputetët e LVV-së do të jenë të pranishëm për të votuar kryeparlamentarin e ri por theksoi se nuk do të jetë çudi nëse Vetëvendosje nuk do të votojë kandidatin e koalicionit PAN, i cili mori shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, pasi që kjo parti nuk e ka votuar as herën e kaluar.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014, propozimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës i takon palës ose koalicionit që merr shumicën e votave në zgjedhje.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dje pas një takimi me përfaqësuesit e partive parlamentare ka thirrur seancën konstituive të parë më 3 gusht 2017.

Kujtojmë se më 8 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, sipas së cilës koalicioni PAN ka fituar 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR 25,53 për qind të votave (29 deputetë).

Kuvendi i Kosovës, i përbërë nga 120 deputetë zgjidhet me mandat katërvjeçar duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button