Gjykata Penale dhe e Apelit, skandal me vendimet për paraburgimet

Gjykata Penale dhe e Apelit luajnë ping-pong me vendimet për paraburgimin e tre punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Nga Gjykata Penale thonë se Apeli është i detyruar t’i dorëzojë deri te të pandehurit, ndërsa nga gjykata e shkallës së dytë e pohojnë të kundërtën. Ndërkohë tre të akuzuarit janë në liri dhe ende nuk janë ankuar për vendimin në Gjykatën Supreme, pasi askush nuk ua ka dorëzuar vendimin për paraburgim në letër, në shtëpi. Kjo situatë për njohësit e çështjeve është një skandal i madh. Sipas gazetarit Sashe Dimovski, tre të akuzuarit tashmë është dashur të dërgohen në Shutkë, raporton Alsat M.

“Nëse ata në adresën e shtëpisë nuk i marrin vendimet e gjykatës, policia është e detyruar menjëherë me arrestimin tua dorëzojë vendimin dhe prej atij momenti rrjedhin afatet në Gjykatën Supreme. Por këto afate nuk do të thonë, se të akuzuarit nuk do të hyjnë në paraburgim. Deri më tani praktika ka qenë gjithmonë të paraburgosen menjëherë, ky është qëllimi i paraburgimit dhe nga paraburgimi ata do të ankohen më tej në afatet që i kanë në dispozicion”- tha për Alsat M, gazetari Sashe Dimovski.

Sipas praktikës aktuale, e drejta për të apeluar në gjykatat më të larta nuk e pezullon vendimin për paraburgim. Kjo risi vjen pas rastit të biznesmenit Sead Koçan, kur pas ankimimit të të pandehurit, Gjykata Supreme ia anuloi paraburgimin dhe lëndën e ktheu në shqyrtim të sërishëm, dhe ndërkohë biznesmeni veçmë kishte ikur jashtë vendit. Për këtë vendim votuan Këshilli Penal pesë-anëtarësh i Gjykatës së Lartë, të cilin e zgjedh kryetari Jovo Vangellovski. Tani për shkak të pushimeve verore për anëtarë të Këshillit në lojë janë 12 gjykatës, por si do të formohet Këshilli do të dihet pasi të pandehurit së pari do të dorëzojnë ankesa në Supremen. Për t’u prononcuar gjykata më e lartë në vend, nevojitet një shumicë e thjeshtë e votave në Këshill.

Goran Grujovski, Toni Jakimovski dhe Nikolla Boshkovski – të gjithë punonjës në Ministrinë e Brendshme janë pjesë e akuzave në rastet “Target” dhe “Fortesa”, ku Prokuroria Speciale Publike i ndjek penalisht, si njerëzit kyç në proceset e përgjimit të paligjshëm të mbi 20 mijë qytetarëve në vend, si dhe për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button