McAllister: Ballkani, në BE. Shqipëria nis bisedimet vitin e ardhshëm

Pavarësisht problemeve të tij të brendshme, Bashkimi Europian është i gatshëm dhe me vullnetin që t’i pranojë në radhët e veta vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Top Channel.

“Por, shumë do të varet prej atyre vet”, thotë në një intervistë për “Deutsche Welle”, eurodeputeti David McAllister, njeriu që ndërmjetësoi edhe krizën politike në Shqipëri.

“BE-ja do që t’i mbështesë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të gjashta kanë një perspektivë të qartë europiane dhe ne duam ta nxisim integrimin. Shtetet po i afrohen BE-së me shpejtësi të ndryshme. Mali i Zi është sigurisht pararendësi për momentin. Serbia po bën përparime”, tha David McAllister.

“Megjithatë, ajo çfarë dëshiron Brukseli është që të gjashta shtetet t’i përmbahen kësaj rruge”, shpjegon McAllister dhe këtu sjell të njëjtin argument të përmendur edhe nga kancelarja Angela Merkel: stabiliteti i Ballkanit do të thotë stabilitet për të gjithë Europën.

Logjika e McAllister dhe të tjerëve në BE është e thjeshtë: Brukseli kërkon të eksportojë qëndrueshmëri në rajon, që mungesa e saj të mos mbërrijë deri tek ai vet. Ndihma financiare është e një rëndësie jetike, por eurodeputeti gjerman këmbëngul se nuk bëhet fjalë vetëm për parà.

“Ne duam një anëtarësim në BE, që të ketë efekt pozitiv te sipërmarrjet dhe shoqëria, edhe pse ai vjen me përgjegjësi”. Por sa duhet të presin shtetet ballkanike për anëtarësimin e shumëdëshiruar? “Kjo varet nga ata vetë”, lë të kuptohet McAllister.

“Ne po shohim përparime. Po të eci gjithçka pa probleme, Shqipëria mund të nisë ndoshta vitin e ardhshëm bisedimet zyrtare të anëtarësimit. Tri shtetet e tjera, Maqedonia, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë pak më mbrapa, por kanë një perspektivë të mirë”, tha McAllister.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button