Rama premtoi shkatërrim të kultivimit të kanabisit deri në fund të vitit

Task Forca e Shqipërisë që po ndjek planin kombëtar kundër kanabisit raportoi të dhënat e betejës për 6-mujorin e parë të këtij viti, njoftojnë mediat shqiptare.

Sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako shifrat flasin për 318 herë më pak bimë të kultivuara dhe evidentuara krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-ës.

“Në 6 muaj u evidentuan gjithsej 130, u zbuluan 78, ose 60 përqind dhe 152 autorë. Janë konstatuar dhe asgjësuar 36290 bimë narkotike, nga të cilat 23 mijë janë të reja, kurse të tjerat janë të rimbira nga kultivimi i një viti më parë. Gjithashtu janë proceduar penalisht 71 nëpunës lokalë, kryetarë fshatrash, administratorë dhe drejtues bujqësorë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim të krimit, nga të cilët 9 janë arrestuar, ndërsa pjesa tjetër në gjendje të lirë”, tha kreu i Policisë së Shtetit, .

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri thirrje që operacioni të vijojë me të njëjtën frymë bashkëpunimi ndërinstitucional për ta përmbysur shpejt situatën.

“Ajo që ne duhet të bëjmë dhe që do t’ja arrijmë patjetër është fshirja e njollave të mëdha në të gjithë territorin që më pas të ndërhyjmë nëpër nivele margjinale, apo zona të thella. Të jemi të pamëshirshëm me ata që shkelin ligjin. Të dhënat janë shumë inkurajuese. Jemi përpara një situate të përmbysur nga pikëpamja e hartës së kultivimit. Baza e planit kombëtar është solide dhe zbatimi i përpiktë i kësaj baze në letër është shembull i qartë që nëse do të vazhdojmë me këtë vendosmëri dhe ritëm, me siguri që në fund të sezonit do të mund të themi se ia dolëm ta përmbysim situatën dhe t’i japim fund historisë së kultivimit të kanabisit”, tha Rama.

Rama thotë se ka nisur bisedimet për bashkëpunim me qeverinë italiane, me të cilën po zhvillohen edhe një pjesë e operacioneve kundër kanabisit, që qeveria e re të investojë në zonat ku shumë persona janë mashtruar me kultivimin e drogës.

“Qeveria e re do të bëjë gjithçka për t’u ofruar në bashkëpunim me qeverinë italiane, siç kemi rënë dhe dakord, alternativa të tjera njerëzve që bien viktimë e rrjeteve të kësaj veprimtarie kriminale, për të nxjerrë bukën e gojës në ato zona rurale ku kanë munguar mundësitë e prodhimit të shëndetshëm dhe punës së ndershme”, u shpreh ai.

Rezultatet e deritanishme në luftën kundër këtij fenomeni, sipas Ramës janë përgjigja më e mirë ndaj akuzave që iu bënë Policisë Shteti gjatë fushatës elektorale.

“Edhe kjo atmosferë me doza ekzagjerimi skandaloze ka luajtur rolin e vet pozitiv, përsa i përket përgjegjshmërisë së vetë strukturave të qeverisë dhe të shtetit dhe të policisë sa i përket nevojës për të provuar që e vërteta është totalisht ndryshe”, deklaroi kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button