PD, Patozi: Kandidoj për kryetar. Të garantohen zgjedhje të lira

Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, ish-deputeti Astrit Patozi ka shpallur synimin e tij për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike, shkruan Top Channel.

Në deklaratën e mbajtur, Patozi ka nënvizuar se do të jetë i gatshëm të garojë në zgjedhjet për kryetar në bazë të disa kushteve, mes të cilave spikat ajo e dorëheqjes së Lulzim Bashës.

“Deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar të PD nëse do ketë garanci për zgjedhje të lira, të ndershme e të pandikuara. Në emër të mijëra demokratëve që më mbështesin kërkoj rregulla të pastra loje, dorëheqje të menjëhershme të kryetarit Basha si përgjegjësi kryesor për humbjen në zgjedhje, largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vetë dhe çlirimin e selisë nga të gjithë kandidatët derisa të mbahen zgjedhjet”, ka thënë Patozi.

Ish-kryetari i grupit parlamentar demokrat ka parashtruar edhe disa kushte të tjera, realizimi i të cilave është në vartësi të kryetarit “të ngrirë”, Basha.

“Sekretari i përgjithshëm të marrë nën kontroll database-n e anëtarësisë, në mënyrë që anëtarësimet në kundërshtim me statutin të mos kenë mundësi të votojnë. Gjithashtu, kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize e reflektimi, si dhe kohë për të bërë fushatë”, ka thënë Patozi.

Për Patozin, këto kërkesa janë garancitë minimale që të shkohet në një proces të drejtë e gjithëpërfshirës në zgjedhjet në PD.

“Ndaj ftoj Lulzim Bashën të dalë mbi ambicjet personale dhe të veprojë në të mirë të interesave të PD”, ka thënë ai, duke rezervuar edhe një paralajmërim.

“Në rast se kërkesat tona nuk do të plotësohen ai do të marrë përgjegjësinë për hedhjen në erë të Partisë Demokratike. Në kushte të tilla të gjithë demokratëve u lejohet të mos pranojnë farsën e zgjedhjeve për kryetar”, ka shtuar Patozi.

Gjashtë kushtet e Patozit:

1-Dorëheqje të menjëhershme dhe jo ngrirje të kryetarit Lulzim Basha, si përgjegjësi kryesor për rezultatin zhgënjyes në këto zgjedhje. Vendosjen e tij në pozitën e cdo kandidati tjetër, që do të futet në garë, si kushti minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve deri sa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.

2. Normalizimin statutor të procesit të garës, duke bërë nul veprimet e deritanishme jolegjitime, përmes vendimit të dy nënkryetarëve. Kryesia është i vetmi organ statutor që ka të drejtë të deklarojë garën dhe të garantojë barazinë në të. (neni 30, pika 2 e Statutit);

3. Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll database-n e antarësisë, duke garantuar rregullin e kahershëm në PD që të gjitha anëtarësimet e 2 muajve të fundit (nga data 1 qershor 2017) si dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statutin ( pa një vendim të mbledhjes së seksionit apo kryesisë së degës apo kryesisë qëndrore, Neni 13 i Statutit) të mos kenë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Listat e zgjedhësve duhet t’u jepet kandidatëve, jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës, Ato duhet të publikohen e afishohen në mënyrë elektronike në web-in e kryesisë së degës e në hard copy në ambjente publike të selisë së degës së PD;

4. Kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize dhe reflektimi, si dhe të bërit fushatë për të gjithë kandidatët.

5. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (neni 46 i Statutit) duhet të kryesohet nga një prej sekretarëve funksionalë (Organizim apo Burime Njerëzore) dhe duhet të ketë anëtarë në numër të barabartë në përbërje prej kandidatëve në  garë. Ky komision duhet të hartojë dhe publikojë rregulloren e fushatës elektorale, e cila mungon për shkak të mosmiratimit nga Këshilli Kombëtar (Neni 37 i Statutit). Kjo rregullore duhet të garantojë akses të barabartë të kandidatëve në administrimin dhe vendimmarrjen e procesit të zgjedhjeve.

6.  Në bazë të nenit nr. 30, pika 2 e statutit, kryesia duhet të ngrejë  një komision për auditimin e procesit të garës në të gjitha elementet organizative të saj. Ky komision, i kryesuar nga Sekretari i Pergjithshëm, duhet të ketë në përbërje të tij një numër të njëjtë anëtarësh nga kandidatët e mundshëm në  garë. KomisionI duhet të autorizohet nga kryesia, që të ushtrojë edhe atributet e Komisionit Qëndror  të Apelimit (neni.47) përderisa  ky komision nuk ekziston, sepse nuk është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button