Duke pritur drejtësinë

Dita e sotme po kalon në pritje të Konferencës për shtyp që Prokuroria Speciale e ka caktuar për orën 12:00. Të gjithë kemi të njëjtat pyetje: sa aktakuza do të ngrejë kjo prokurori në këtë ditë të rendësishme për mandatin e saj, dhe çfarë do të bëjë pastaj? Do jetë ky fundi i mandatit të saj për të ngritur edhe më tej hetime dhe aktakuza ose do të gjindet zgjidhje për të vazhduar ky mandat?

Besoj dhe pres që për rastet e para që kjo prokurori i ngriti, të ketë më në fund aktakuza. Mbi të gjitha, këtu kam parasyshë rastin Target, si rast kryesor që përshkruan esencën e nevojës së formimit të kësaj prokurorie dhe shkakun kryesor të ekzistimit të saj. Sepse fundja arsyeja pse e njejta u krijua është që të vërtetohet se kush ka përgjuar në mënyrë ilegale më shumë se 20.000 qytetarë të këtij vendi dhe përse e ka bërë këtë. Mendoj që kjo është pyetja kryesore përgjigjen e së cilës duhet ta gjejë PSP. Target mund të konsiderohet lirisht emri i dytë i kësaj prokurorie. Në momentin kur e njëjta e tërhoqi rastin Grushtshteti ishte e qartë që kishte teori të rastit që kundërshton tërësisht atë që prokuroria e rregullt e kishte paraqitur më herët. Prandaj, tani është koha që Target të jape të gjitha përgjigjet që e përgënjeshtrojnë teorinë e ngritur tek Grushteti ku aludohet se Zaev dhe shërbimet e huaja me qëllim të shembjes së dhunshme të rrendit kushtetues të vendit e kanë kryer këtë përgjim të paligjshëm të cilin në fakt, nga hetimet e prezentuara në Target, kuptuam që e ka bërë Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim. Detajet lidhur me këtë pres të ti mësojmë gjatë shpalosjes së aktakuzës për këtë rast, dhe mbi të gjitha, gjatë shqyrtimit kryesor që do të duhet të ndodhë në gjykatë.

Rasti tjetër për të cilin presim të shohim aktakuzën është rasti Titanik, për të kuptuar një herë e mirë mënyrën e marrjes së pushtetit përmes mjeteve që i shfrytëzojnë organizatat kriminale e që kur përdoren gjatë funksionimit të institucioneve shtetërore krijojnë përshtypjen se nuk jetojmë në demokraci por në mafiokraci. Kështu, rasti Titanik poashtu konsiderohet si njëra ndër shtyllat kryesore ku është zhvilluar beteja e PSP gjatë këtyre 18 muajve të kaluar.

Jam poashtu kurioze të di se cili do të jetë qëndrimi i PSP lidhur me rastet më delikate, Monstra, Sopoti, Neshkovski. Si do të vazhdojë procedimi i tyre, cili do të jetë hapi i mëtejshëm që PSP do të ndërmarë? A thua vallë do të ketë çfarëdo lloj shprese se drejtësia mund të vendoset edhe për këto raste, sado e dhimbshme qoftë ajo? A thua vallë do mund të fillojmë të jetojmë si njerëz të civilizuar pa u vendosur kjo drejtësi?

Poashtu, secili hetim i ngritur deri më tani nga PSP është jo më pak i rëndësishëm, dhe të gjithë presim të shohim si do të vazhdojnë më tej të gjitha shkronjat T për të cilat PSP na dha disa shenja deri tani përmes ngritjes së hetimeve.

Ajo që i ka bashkuar të gjithë qytetarët e këtij shteti që kanë kërkuar ndryshim gjatë viteve të kaluara ka qenë pikërisht kjo etje e madhe për drejtësi. Shumica presin që kjo etje të fillojë të shuhet nesër. Unë mendoj që kjo etje nuk duhet të shuhet kurrë, dhe gjithmonë të kërkohet drejtësia gjer në fund, për gjithkend dhe për gjithçka.

E kam thënë edhe më herët që puna e PSP duhet të vazhdojë pa u ndalur edhe pas 30 Qershorit. Kjo është vetëm një datë dhe nuk ka asnjë farë ndikimi tek kuptimi i së vërtetës. E vërteta nuk mund të ndalet me një afat formal, ashtu si që nuk mund të ndalet rrjedha e ujit duke vendosur penda artificiale. Ato mund të pakësojnë rrjedhën e ujit, por kur i njejti vjen furrishëm, e mer edhe pendën me vehte dhe e gjen sërish shtratin vet. Sepse e vërteta është si fuqia natyrore, ajo nuk mund të ndalet pasi të ketë filluar si proces.

Këtij vendi i duhet më së shumti e vërteta. E vërteta për atë që ka ndodhur, për atë që po ndodh, dhe për atë që do të ndodhë edhe në të ardhmen. Prandaj, gjithmonë do të duhet një institucion ku qytetarët do të besojnë se mund të zbulohet e vërteta, dhe ku e njejta nuk do të fshihet.

Sot do të filllojë kjo zbardhje e të vërtetës, dhe ne të gjithë do të shohim se ku do të na dërgojë ajo.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button