Mbi mimikërinë dhe ekzaltimin

Shpesh në shkrime e kam përmendur librin “Mendja e robëruar” të Çesllav Millosh, i cili na flet për mimikërinë, fshehjen e mendimeve, përshtatjen në kohën e diktaturës apo autokracisë.

Çesllav Milosh (1911-2004), është disident polak, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi (1980), me librin “Mendja e robëruar” (Paris, 1953), ish – diplomat, i cili nuk u pajtua me poetikën e realizmit socialist, prandaj emigroi në Francë e më pas në SHBA, ku punoi si pedagog universitar deri sa u kthye në Poloni, pas rrëzimit të pushtetit totalitar, si një “poet i lexuesve të paktë”. Bashkë me Solzhenjicinin, Konradin, Havelin është njëri nga disidentët më të rëndësishëm të kampit të dikurshëm lindor.

Pas çdo rileximi të librit shoh ndërlidhje me aktualitetin tonë, për sa kohë vazhdon mimikëria; për sa kohë i shkolluari, për të mbijetuar, për të ruajtur privilegjet ose për mos u dëmtuar, e praktikon “ketmanin”, duke i rrahur shpinën të kacagjeluarit, që mendon se forca dhe sharja është vlerë kulmore.

Mendimtari, që i fsheh mendimet e tij, duke e zgjedhur këtë “mënyrë jetese”, e vë në pikëpyetje moralin dhe misionin e tij. Zakonisht kjo ndodh kur politika i ngulfat autonomitë e sferave shoqërore, pra: gjyqësinë, arsimin, kulturën, shkencën, ekonominë etj. I fut në konstitucionin e vet dhe nuk i lë të marrin frymë. Ndodh, pra, vetëm ajo që lejohet e projektohet nga politika, e cila sot është tkurrur në kërkesa xhambazësh.

Vepra “Mendja e robëruar” i kundërvihet estetikisht regjimit totalitar, materializmit dialektik, realizmit socialist, “Besimit të Ri”, “Njeriut të Ri”. Është analizë e regjimit të Stalinit. Është “doracak” mbi përshtatjen e njeriut në një sistem të gënjeshtërt shtetëror, ku gjithçka është mimikëri. Është libër mbi frikën nga të menduarit, që e paralizon individin. Është frikë që buron nga fakti se mendimtari rrezikon shumë, për dallim nga ai që nuk e lodh kokën dhe e pranon dogmën apriori. Është libër mbi një sistem shtetëror ku individi ka dy mundësi: të vdes fizikisht ose shpirtërisht.

Në librin, që e shkroi “në gjuhën e fëmijërisë së tij”, ai flet për disa praktikime të ketmanit: atij kombëtar, të pastërtisë revolucionare, ketmanin estetik, metafizik, etik dhe profesional. Termin “ketman” e huazoi nga libri “Religjioni dhe filozofia e Azisë Qendrore”, nga shkrimtari dhe diplomati francez Zhozef Artur Gobino, për t’i paraqitur intelektualët e “Kohës së Re”, që nuk i besonin verbërisht sistemit shtetëror, por shtireshin, aktronin, ishin me maska, ishin pjesë e hipokrizisë kolektive. Intelektuali, duke e praktikuar ketmanin, synonte ruajtjen e pastërtisë morale. E dinte se shtiracaku nuk gjykohej, nuk dënohej.

Ketmani” apo “takia” do të thotë të “sigurosh mbrojtje”, të mos i zbulosh qëllimet dhe mendimet gjatë përballjes me rrezikun. Ky veprim përligjet me arsyetimin se Zoti çmon te besimtari jo atë që e ka në gojë, por atë që e ka në zemër. Ata që e përligjin mimikërinë thonë se kjo është e domosdoshme kur vlerësohet se rrezikohet jeta e njeriut për shkak të besimit të tij, pra për vetëmbrojtje. Çesllav Millosh konsideron se shumë intelektualë polakë, gjatë kohës së regjimit totalitar stalinist, e kanë praktikuar ketmanin. Më shumë se sa kaq: ata ndjeheshin superior karshi atyre që i mashtronin nëpërmjet fshehjes së mendimeve. Por, kjo mënyrë jetese e vë në pikëpyetje misionin e dijetarit.

Termin tjetër që e përdor është “Murti Beng”, të cilin e huazoi nga një roman i Stanislav Vitkjeviçit, për ta paraqitur njeriun e ekzaltuar nga “bukuria” e “Kohës së Re” dhe “Besimit të Ri”, pra nga propaganda. Në romanin e Vitkjeviçit kemi shoqërinë ku rolin e religjionit, që ka pushuar së funksionuari, tenton ta zë një filozofi abstrakte, laike, që ndodh për shkak të pilulave “Murti-Beng”. Këto pilula e ndryshojnë gjendjen njerëzore. Nëpërmjet pilulës njeriu zhvishet nga metafizika, bëhet i dobishëm për shoqërinë, të cilën e sheh sikurse nuk është në të vërtetë. Praktikimi i murtibengut dhe ketmanit nënkupton robërimin e mendjes. “Besimi i Ri” pranohet ose nëpërmjet aktrimit ose verbërisht…

Çuditërisht, libri duket aktual. Vazhdojmë të kemi “spektakël kolektiv të mimikrisë”; vazhdon praktikimi i ketmanit nga intelektualët, të cilët nuk e përmbushin misionin e tyre në shoqëri, kurse ky mision, sipas Vlladimir Tismaneaut, shprehur në esenë “Fryma intelektuale pas rënies së komunizmit”, është që ata të mos e zëvendësojnë princin, por ta plotësojnë atë dhe kur e lyp nevoja ta qortojnë ashpër. Ata “duhet të nxisin diskutime mbi të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e modernitetit dhe të jenë kundër çdo force obskurantiste dhe reaksionare”, sepse kështu “qytetarët e thjeshtë mund ta bëjnë dallimin themelor midis veprimeve të mira dhe atyre të këqija”.

Intelektualët që i fshehin bindjet, mendimet, ndjenjat dhe besimin e tyre, për të mbijetuar ose për privilegje, bashkë me konsumuesit e pilulave “Murti Beng”, të cilët gjithçka e pranojnë verbërisht, bëhen pjesëmarrës në spektaklin e madh të mimikërisë dhe hipokrizisë. Së këndejmi, shumë intelektualë, në vend se t’i shërbejnë të vërtetës, prostituojnë me vlerat më të larta kombëtare, morale, kulturore etj. Për sa kohë triumfon mendja e robëruar vazhdon spektakli i mimikërisë. Vazhdon hipokrizia kolektive. Të paktët, që i shqetëson kjo gjendje, e kanë të vështirë mbijetesën. Të shumtët, sikurse thotë Saramago, “kënaqen me spektaklet e kësaj bote”, deri sa një ditë ta shohin se ky spektakël ka qenë tragjedia e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button