Osmani – Reka: Bashkëpunimi i përforcuar rajonal është kyç për aderimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot u takua me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Reka.

Osmani tha se anëtarësimi në BE është qëllim i përbashkët i Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe shprehu besimin se vendet mund të ofrojnë mbështetje reciproke në këtë proces.

“Jam i bindur se në kohëra të këtilla kur BE-ja po përballet me shumë sfida, integrimi i Ballkanit Perëndimor duhet të shihet si një përgjigje për zgjidhjen e këtyre sfidave. Integrim i plotë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO është i nevojshëm”, deklaroi Osmani.

Ai tha se është e nevojshme mbështetja e fqinjit tonë për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO, veçanërisht në periudhën e ardhshme, duke shtuar se pret mbështetje nga Shqipëria edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në rajonin dhe strategjia Adriatiko-Joniane.

Zëvendëskryeministri Osmani gjithashtu theksoi edhe hapjen e Zyrës Rajonale për bashkëpunim të të rinjve në Tiranë, si një mundësi plotësuese për të përforcuar bashkëpunimin në mes të rinjve në rajon.

“Bashkëbiseduesit u dakorduan se nisja e projektit të parë infrastrukturor për lidhje energjetike të të dy vendeve, që arrin shumën prej 12 milion euro në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, është një sinjal i qartë se rajoni ka qasje të përbashkët për tejkalimin e sfidave. Gjithashtu u theksua edhe bashkëpunimi i shkëlqyer  në kuadër të  IPA programeve për bashkëpunim ndërkufitar me shpresë se në thirrjet e ardhshme për projekte të reja do të krijohen mundësi të reja për rrjetëzim dhe partneritete për projekte të përbashkëta në të dy anët e kufirit. Në fund të takimit Osmani dhe Reka shfaqën shpresë për fillim eventuale të përbashkë të negociatave për anëtarësim në BE, sepse në këtë mënyrë të dy vendet mund të shkëmbejnë përvoja dhe informacione në lidhje me procesin”, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button