Si ta presim Ramazanin?

Gëzohu me ardhjen e Ramazanit dhe përgatitu për distancim nga mëkatet, shtoji gjërat që afrojnë tek Allahu i madhëruar, bëhu i sinqertë në adhurime.

Na erdhi neve një mysafir i ndershëm, vizitues madhështor, i cili na freskon për çdo vit, një mik të cilit ia kemi borxh respektin.

Pra,  ky është muaji Ramazan,  për të cilin Muhamedi (Alejhi selam) i përgëzonte shokët e vet me ardhjen e tij duke u thënë: “U erdhi Ramazani, muaji i bereqetit, Allahu ua bëri obligim duhet të agjëroni – në te hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit –lidhen djajtë – në të është një natë më e mirë se një mijë muaj (Nata e Kadrit); ai që e ka privuar veten nga këto të mira,  do të jetë prej të privuarve.” (Transmeton Nesaiu)

Urime për atë të cilin e arrin ky muaj; është nder për ata të cilët takohen me të.

Thotë Ibn Rexhepi:  “Si mos të gëzohet besimtari për hapjen e Xhenetit, si mos të përgëzohet ai mëkatar të cilit i mbyllen dyert e Xhehenemit, si mos të përgëzohet ai i mençuri për kohën gjatë të cilit muaj djajtë janë të pranguar e nuk ka kush që e pengon në adhurim.”

Zot, bëje agjërimin shëndet për ne

Të parët tanë kanë treguar mbi vlerën e Ramazanit, e prisnin me padurim, kërkonin nga Allahu që t`u zgjatet jeta deri në sezonin tjetër të Ramazanit e të përfitojnë nga mirësitë e tij.

Njëri nga dijetarët e mëhershëm ka thënë:  “E lusnim Allahun gjashtë muaj që ta arrijmë Ramazanin – pastaj luteshim gjashtë muaj që të na e pranonte Allahu këtë adhurim.”

Jahja ibn Kethirë thoshte: “O Zot,  më bëj të shëndoshë në Ramazan,  kurse agjërimin bëje shëndet për ne, e bëre të pranuar nga ne.”

Ibn Rexhepi thotë: “Arritja e Ramazanit dhe agjërimi i tij është mirësi e madhe për atë që ka mundësi.”

Për këtë na argumentohet hadithi i atyre tre njerëzve,  nga të cilët dy ranë shehid (vdiqën),  ndërsa i treti prej atyre vdiq në shtrat të vet. Pas tyre njëri prej njerëzve pa në ëndërr Pejgamberin (Alejhi selam), i cili thoshte: “A nuk është ai (i treti) i cili u fal pas tyre (shokëve të vet) disa e disa namaze dhe arriti Ramazane,  e agjëroi – Pasha Atë të cilin çka shpirti im është në duar të Tij, dallimi i tyre është më larg se sa qielli dhe toka.” (Sahih Ibn Maxheh)

Nga dhuntia e Allahut ndaj teje dhe mirësia e Tij është që ta zgjati jetën ty, derisa të përfitosh nga mirësitë e Ramazanit.

Allahu i madhërishëm në Kuranin famëlartë thotë:  “Thuaj:  Mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t`i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.”  (Junus: 58)

Gëzohu me ardhjen e Ramazanit dhe përgatitu për distancim nga mëkatet, shtoji gjërat që afrojnë tek Allahu i madhëruar, bëhu i sinqertë në adhurime.

Sa e sa njeriun e ka privuar nga Ramazani sëmundja, sa e sa pritësin e Ramazanit e ka kapur vdekja e nuk pati fatin ta presë atë.

Për çdo gjysmë sekonde në gjithë botën vdes nga një njeri,  d.m.th. në çdo gjysmë ore vdesin nga 3.600 njerëz; në çdo minutë vdes nga një grua për shkak të shtatzënisë apo lindjes.

Ramazani është një rast i mirë që të shfrytëzohet, të shumëzohen veprat e mira,  të pakësohen mëkatet,  pasi që edhe djajtë janë të prangosur, ata që dërgojnë në vepra të këqija.

Kush mëshiron në këtë muaj, ai do të mëshirohet; kush privon,  do të privohet.

Ai i cili nuk shton veprat  e  veta të mira për botën e ardhshme,  ai do të ngel një mëkatar i dështuar.

Nga Ebu Hurejra (Radiallahu anhu) transmetohet: “Pejgamberi (Alejhi selam) njëherë hipi në mimber e tha: Amin, Amin, Amin. I është thënë: O i dërguar i Allahut,  ti hipe në mimber e the: Amin, Amin, Amin.  Është përgjigjur: Me të vërtetë,  Xhibrili (Alejhi selam) erdhi e më tha: Kush e arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet,  Allahu e largoftë (nga mëshira e Tij) e thashë:  Amin;  kush i ka prindërit e vet apo njërin nga ata (e nuk i respekton),  do të hyjë në zjarr, Allahu e largoftë (nga mëshira e Tij) e thashë:  Amin; dhe tek ai cili përmendesh e nuk  të përshëndet, Allahu e largoftë (nga mëshira e Tij) e  thashë: Amin.”

Mirësitë e Ramazanit 

Është muaji i Kuranit fisnik. Allahu thotë: Muaji i Ramazanit, gjatë të cilit (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).

Për këtë Ibn Kethiri thotë: Allahu ka lavdëruar muajin e agjërimit nga gjithë muajt e tjerë, saqë e ka zgjedhur dhe zbritur Kuranin në këtë muaj .

Muaji i shlyerjes apo djegies së mëkateve. Pejgamberi (Alejhi Selam) thotë: Kush e agjëron Ramazanin me bindje dhe shpresë,  atij i falen mëkatet e mëhershme (Mutefekun Alejhi). D.m.th. Ramazani është shlyerës i mëkateve,  largim nga të këqijat.

Pejgamberi (Alejhi Selam) thotë: Pesë kohë namaze – xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan – janë shlyerëse të mëkateve nëse iu është larguar mëkateve të mëdha.

(Transmeton Imam Muslimi)

Imam Kurtubiu thotë: Ramazani e ka marrë këtë emër,  sepse ai djeg dhe i shlyen mëkatet.

Ramazani është largim nga zjarri.  Për këtë Muhamedi (Alejhi Selam) thotë: Allahu amniston nga zjarri çdo natë e ditë; çdokush është pjesëmarrës në këtë,  përderisa ai merr pjesë në lutjet pranuese.

Ndërkaq, në një tjetër hadith Muhamedi (Alejhi Selam) thotë: Allahu amniston në çdo kohë të iftarit njerëz nga zjarri i xhehenemit; këtë e përsërit çdo natë.

Ushtrim në sinqeritet dhe largim nga çdo dukë: Allahu i madhërishëm në një hadith Kudsij thotë:  E lë ushqimin, pijen, epshin për shkak Meje. Agjërimi është Imi dhe Unë shpërblej për të – e mira shpërblehet me dhjetë. (Transmeton Buhariu)

Kuptimi i fjalës “agjërimi është Imi”,  d.m.th. sekret mes robit dhe Krijuesit.

Këtu nuk mund të hyjë sy e faqja dhe se nuk mund të krahasohet me ndonjë adhurim tjetër në ditën e gjykimit.

Muhamedi (Alejhi Selam) thotë: Çdo vepër ka shpagimin e vet,  veçse agjërimi është i Zotit dhe vetëm Ai e di si të shpërblejë.  (Buhariu)

Një dijetar nga gjeneratat e më hershme,  me emrin Sufjan El-Ujejneh,  thotë: Ky është ndër hadithet më bujarë dhe më me urtësi, për shkak se në ditën e gjykimit kur t`i llogarit Allahu robërit e vet,  shpaguhen të gjitha veprat e bëra,  ngel veç agjërimi.  Allahu ia fal mëkatet e ngelura me agjërimin dhe e shpie në xhenet.

Atëherë,  mos u habit nga ky njeri i devotshëm me emrin Davud,  i biri Hindit, i cili agjëroi dyzet vite; nuk e hetuan për këtë agjërim as familja,  as shokët e tij në treg: ushqimin e bartte me vete dhe e jepte lëmoshë.  Familja e vet mendonin se e ka ngrënë në punë ushqimin,  ndërsa shokët e tregut mendonin se e ka ngrënë ushqimin në shtëpi. Dhe, kështu, vazhdoi dyzet vite pa mos e hetuar askush për këtë adhurim madhështor.

Nga kjo na ngel të kuptojmë se muaji  i Ramazanit  duhet të pritet në këtë formë: me pendim, me teube, që të na mundësohet pastrimi i zemrave tona nga mbulimi i gjynaheve,  qofshin ato mëkate ndaj Krijuesit apo krijesave.

Me agjërim para Ramazanit që të ushtrojmë veten që të jemi të përgatitur kur të na vijë Ramazani, sidomos ditëve të hëna e të enjteve etj.

Me lexim të Kuranit, apo mësimin e leximit të tij,  pasi që në këtë muaj është rasti më i mirë që të mësohemi të lexuarit e tij. Me lutje,  që ta lusim Allahun e madhërishëm sa më shumë në këtë muaj.

Mbjellje e gëzim në zemrat tona dhe të besimtarëve me rastin e ardhjes së këtij muaji.

Lexim dhe studim rreth çështjeve të agjërimit,  që të jemi sa më afër së vërtetës.

Përgatitja e një plan-programi,  që sa më pak punë fizike e sa më shumë adhurime në këtë muaj.

O Zot,   na e mundëso ta arrijmë Ramazanin!

Shkruan: Llukman Neziri

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button