Urat që na mungojnë

Në këto kohë mjegullnaje, në këto kohë kur forcat e errëta duan të na shtinë në bela dhe për belanë pastaj duan të na e lënë fajin me qëllim që vet t’i shpëtojnë drejtësisë për  të palarat e tyre, në këto kohë të ekuilibrit të humbur të botës, nuk është keq t’i kujtojmë bashkatdhetarët tonë që me shekuj përpara e kanë marrë botën në sy dhe e kanë braktisur atdheun për të shpëtuar nga zullumi, për të shpëtuar nga diktati, për të shpëtuar nga shtypja, robëria dhe për ta shpëtuar fytyrën, gjuhën, traditën  dhe identitetin arbëror. Mirë është t’i kujtojmëedhe ata që kanë mbetur jashtë atdheut të cunguar. Mirë është t’i kujtojmë arbneshët e Zarës, arbëreshët e vendosur në Itali, arbërorët ose çamët, shqiptarët e Turqisë  e të shpërndarë edhe në botën arabe dhe në disa fshatra të Ukrainës, t’i kujtojmë shumë shqiptarë që u nisën në kurbet si gastarbajterë dhe u tretën në huajsi, për të mos u kthyer kurrë më në atdhe, në oxhakun e të parëve, pranë varrezave të stërgjyshërve, në vendin ku kumbon ëmbël gjuha shqipe.

Duhet t’i ndërtojmë këto ura, sepse përmes tyre na vjen shpresa e mirë për përmirësimin e kësaj pozite që kemi. Prania e këtyre urave në këto kohë plot vlime, përplot rreziqe të paparashikueshme dhe përplot dredhi që fshihen në planet armiqësore të klikave të shteteve të fqinjëve, paraqesin një shteg të mirë për të dalë nga ky qorrsokak ku jemi gjetur, ngapak edhe me fajin tonë, por edhe me fatin tonë që kurrsesi të dalë një lider i cili do të dijë urtësisht të na prijë drejt një ardhmërie të sigurt e të lumtur. Nuk diskutohet fare domosdoshmëria për punë të pandalshme nga ana jonë, mirëpo ne jemi një popull i vogël dhe nuk mund të kemi kapacitete që të bëjmë aq miq sa na duhet që ta ruajmë sigurinë dhe ekzistencën në kushtet e armiqësive absurde që na kërcënohen nga veriu e jugu dhe gjithsesi edhe nga lindja. Kjo situatë na e imponon dhe na e dikton ritmin e jetës. Pa dyshim ne nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të kemi iniciativa paqesore për interesat tona vitale.

Hajde pra, t’i inkurajojmë politikanët tonë e në start t’ua bëjmë me dije  se nga Arbneshi i Zarës janë familja e famshme e akademik Aleksandër Stipçeviçit të ndjerë, ilirologut më të njohur në botë  dhe dy djemtë e tij Enio Stipçeviç, muzikolog dhe akademik i AKSHA, Niksha Stipçeviç, romanist, akademik i AKSHA, poeti dhe muzikologu i ndjerë me tre fëmijët e tij: akademik i AKSHA Pavle (Palin), Valteri dhe e bija Maja, muzikologë të rangut evropian e botëror. E nuk janë vetëm këta autoritete të kulturës kroate dhe evropiane që i ka dhënë Arbneshi. Ka edhe shumë të tjerë, për të cilët politikanët tonë ndoshta as nuk e dinë se kanë ekzistuar dhe se shumë prej tyre jetojnë, veprojnë dhe janë me famë.

Burra dhe gra me emër ka edhe ndër arbëreshët e Italisë dhe të Argjentinës, ndër arbërorë, ndër shqiptarët e Turqisë dhe të Ukrainës. Ne asnjërit nuk ia kemi dhënë shansin që të bëhet zë serioz në hapësirat evropiane dhe botërore për të drejtat tona.

Pse mos të ndërtojmë ura nëpër të cilat do të komunikojmë me ta në mënyrë që së bashku ta themi të vërtetën tonë, e cila është pa njollë, që ta qesim nën hije propagandën e klikave armiqësore të shteteve fqinje. Pse mos t’i afrojmë njerëzit e gjakut tonë?

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button