Lëvizja BESA: Kërkojmë të formohet komision hetimor parlamentar

“Dita e enjte e 27 prillit do të mbahet mend si e “E enjtja e përgjakur”, dita e zisë institucionale, ku në mënyrë barbare – brenda pronës së Kuvendit – u sulmuan deputetë, gazetarë e punonjës administrativë, madje u demolua dhe shkatërrua gjithçka nga një grup huliganësh, që u futën brenda në Kuvend të maskuar”, thonë nga Lëvizja BESA.

Ata shtojnë se përkitazi me këtë, “shprehin shqetësim dhe keqardhje të madhe për atë që ndodhi dhe njëherazi e dënojnë këtë akt vandal me përmasa grusht-shteti!”

“Me këtë rast ritheksojmë se institucionet kompetente shtetërore nuk ishin në detyrë dhe nuk i ndërmorën masat e duhura për pengimin e asaj dhune në Kuvend. Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku ministër është një kuadër i BDI-së, nga Prokuroria Publike, si dhe nga organet e tjera kompetente, që mos të lejojnë të minimizohet qëllimisht zbardhja e këtij skenari, por këtë vepër huliganësh ta marrin me seriozitetin më të madh, që ata ta marrin dënimin e merituar. Në të kundërtën ne, por edhe popullata, do të konstatojmë se këto institucione janë të kapura nga këta huliganë dhe nga skenaristët e tyre”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Lëvizja BESA, konstaton se secili “që ka bërë një shkarje, duhet të kapë llogari para drejtësisë, ndërsa në këtë rast që nga ata që kanë marrë pjesë në atë akt makabër e deri te frymëzuesit e këtij grupi huliganësh, që legjislacioni i Republikës së Maqedonisë i parasheh në mënyrë decide, të gjithë duhet ta marrin ndëshkimin e merituar”.

Lëvizja BESA, respektivisht grupi parlamentar i saj, do të dorëzojë edhe kërkesë deri te kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, që në seancën e parë të formohet komision hetimor parlamentar, ku, siç thonë ata, do të zbardhet gjithë e vërteta e 27 prillit dhe, mbi atë bazë, të ndërmerren masat e nevojshme për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

“Pa zbardhjen e këtij rasti Maqedonia nuk do të jetë e sigurt dhe do ta ketë vështirë të krijojë kushte për sundimin e ligjit, drejtësisë dhe sigurisë. E ardhmja e Maqedonisë është në duart tona!”, thonë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button