fbpx

Shkup, konferencë mbi mediacionin në ekonomi

Mediacioni është mënyra më e mirë dhe më e përshtatshme për zgjidhjen e kontesteve ekonomike, sepse gjithçka varet nga palët në kontest të cilat pajtohen vullnetarisht për të zgjidhur problemin, duke shmangur detyrimin i cili mund të vijë nga një verdikt gjyqësor, ishte konstatimi i përgjithshëm në fillimin e konferencës rajonale “Mediacioni si mënyrë alternative për zgjidhjen e konflikteve ekonomike” punimet e së cilës filluan sot në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat, drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM) Elisaveta Georgieva tha se në qershor të vitit 2016 në OEM është formuar një departament i veçantë për përkrahje të mediacionit, dhe që nga atëherë janë organizuar 30 seminare për sektorin e biznesit në një tentativë për të popullarizuar mediacionin si një vegël alternative për zgjidhjen e kontesteve.

“Kemi një regullativë ligjore e cila në Maqedoni zbatohet nga viti 2006 e cili ka institucionalizuar mediacionin, ndërkohë që me ndryshimet e fundit në vitin 2016 në ligjin për kontest gjyqësor, te kontestet ekonomike, vlera e të cilëve nuk tejkalon pretendimet financiare në vlerë prej 1 milion denarë, kompanitë para se të futen në procedurë ligjore, detyrimisht duhet të orvaten të zgjidhin kontestin përmes mediacionit, në të kundërtën gjyqi do t’ua refuzojë padinë”, tha Georgieva, për të sqaruar se nga këto arsye institucioni që drejton ajo është kyçur në procesin e informimit të sektorit të biznesit për mundësitë alternative të zgjidhjes së kontesteve ekonomike.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Milazim Mustafa, në cilësi të Këshilltarit Shtetëror në këtë dikaster, të pranishmëve në konferencë ua sqaroi rregullativën ligjore në sferën e mediacionit.

Ai tha se kjo rregullativë është produkt i ndjekjes së trendeve botërore në këtë fushë.

“Procesi i mediacionit është duke shkuar në rrjedhë të mbarë dhe se këto konferenca shërbejnë për të shkëmbyer përvoja pozitive nga rajoni dhe më gjerë, me qëllim që mediacioni të zbresë sa më afër qytetarit sepse në rend të parë është në dobi të tyre sepse në vend të procedurave të stërzgjatura gjyqësore të cilat shpenzojnë kohë dhe mjete, proceset mund të zgjidhen më lehtë, më mirë dhe në mënyrë më efikase”, tha Mustafa.

Organizator i konferencës së sotme është OEM në bashkëpunikm me Unionin e Odave Ekonomike-Industriale të Gjermanisë dhe në të marrin pjesë të ftuar nga Shqipëria, Turqia, Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Moldavia të cilët gjatë ditës do të diskutojnë për përvojat e ndërsjella nga kjo fushë.

Në Maqedoni veprojnë 21 mediatorë të licencuar, ndërsa në bazë të të dhënave të OEM-it, nga 300 lëndët e dërguara në procedurë, 30 janë zgjidhur me sukses.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button