BDI-ja E KA FJALËN…

Gjorgen nuk e ka votuar asnjë shqiptar, pra një numër i madh votuesish nuk ia dha besimin, po, megjithatë u bë si u bë e Gjorgeja u ul në kolltukun e kryetarit të RM-së. Atëherë krerët e BDI-së thanë se nuk do ta pranojnë Gjorgen për kryetar, meqë kërkuan një kryetar konsensual, por pas një kohe harruan se çfarë thanë. Gjorgen e pranuan me kalimin e kohës, pa fjalë. Mirëpo Gjorgeja nuk harroi dhe nuk ia fali as BDI-së pse e kundërshtoi zgjedhjen e tij e nuk ua fali as shqiptarëve pse nuk e deshën për kryetar e pse nuk e votuan.  Dhe, Gjorgeja e priti çastin e vet. Në fakt ai vetë, me direktivë të dikujt tjetër ose pa direktivë,  humbjen e VMRO-së pas zgjedhjeve të fundit e shndërroi në krizë parlamentare dhe krizë të thellë të shtetit. Një herë ia dha mandatin VMRO-së, e cila nuk ia doli ta bëjë koalicionin e shumicës, por nuk ia dha e nuk ia jep LSDM-së këtë madat ngase “shqiptarët po e rrezikuakan shtetin”, thuajse shteti është koooperative e Gjorges. Në fakt Gjorgeja e ndezi flakën e krizës përmes së cilës duhet të hidhen në harresë të gjitha të palarat politike e i gjithë kriminaliteti i bërë nga njerëzit e pushtetit.

Kaluan e po kalojnë muaj e muaj e Gjorgeja vazhdon ta shfrytëzojë këtë moment krize për hakmarrje kundër shqiptarëve dhe  kundër të gjithë njerëzve të thjeshtë, kundër njerëzve që nuk i njeh, kundër njerëzve që me krahët e tyre i kanë bërë ndërtesat, rrugët, fabrikat, që e kanë mbajtur  bujqësinë e këtij vendi, kundër atyre që në anonimitet e sigurojnë bukën e popullit, kundër atyre njerëzve të panjohur që gjithmonë kanë qenë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes së shtetit për çdo aksion që është ndërmarrë dhe kundër njerëzve të cilët heshtazi  i gëlltitën të gjitha të palarat e politikanëve dhe për të gjithë këtë nuk kanë bërë zë dhe përfundimisht kundër atyre njerëzve që e kaluan në heshtje zgjedhjen e Gjorges, ashtu si u zgjodh, me vota të pasigurta apo me vota të paqena.

Tash kur ata njerëz të thjeshtë po e tregojnë pakënaqësinë e tyre me punën që ka bërë Gjorgeja dhe VMRP DPMNE-ja gjatë këtyre viteve dhe kur këta njerëz kërkojnë ndryshime dhe reforma duke ia dhënë besimin partive shqiptare dhe LSDM-së, Gjorgeja  nuk e ka lehtë. Mirëpo kur VMRO DPMNE-ja e filloi revolucionin kundërkushtetutar për ta mbajtur pushtetin edhe më tutje me çdo kusht, Gjorgeja u ngrit në këmbë dhe i fërkoi duart i kënaqur,  sepse mendoi që i ka ardhur çasti i shumëpritur t’i fyejë publikisht dhe t’i fajësojë të gjithë shqiptarët, dhe të gjithë qytetarët tjerë  që janë njerëz të thjeshtë, njerëz të zakonshëm, të ndershëm, të cilët, kërkuan një freskim në qeverisjen e shtetit. Se ky freskim do ta hidhte atë në humnerën e harresës dhe të anonimitetit.

Gjorgeja, duke i konsideruar si “prosta masa” votuesit që nuk i kanë dhënë besimin e tyre ka menduar se ata nuk dinë  ose se do  ta shikojnë nëpër gishta punën e dobët të tij të kryetarit të shtetit, ka menduar se do ta harrojnë se ai nuk i ka shërbyer popullit, por krerëve të partisë në shërbim të së cilës vazhdon të jetë, se zyra e tij në fakt ka qenë në rangun e zyrave të kryetarëve të degëve të BDI-së ose të VMRO-së.  Dhe, ka menduar, po ashtu se të gjithë shqiptarët, kudo që janë – janë “prosta masa”. Veten do ta ketë menduar sigurisht si pinjoll i një dere të vjetër nja katërqindmijë vjet, si një njeri me kulturë të lartë, si një trashëgimtar i mbretërve të Maqedonisë antike, ani se origjinën e ka nga fshatrat e thella. Por si do që të jetë populli, shqiptarë e maqedonas e të tjerë, por në radhë të parë BDI-ja e udhëhequr nga Ali Ahmeti, ia kanë mundësuar atij luksin që të ndjehet shumë “i fuqishëm”,  i fuqishëm deri në atë masë sa thua ti se do të kacafytet me fuqitë perëndimore. Krekosja po i del një çallëm i paparë, një komedi  në të cilën personazhi Gjorge “del fitimtar” kundër reformave dhe kundër vendosjes së shtetit në binarë normal dhe, posi Bali Katravella i sfidon edhe fuqitë perëndimore.

Po nuk është faji i Gjorges që na fyen, që shpik terma inekzistentë si “platforma tiranike”, që thotë të pavërteta se shqiptarët dashkan të bëjnë tri shtete në Ballkan e të tjera pallavra. Fajet i ka BDI-ja, e cila rri në dy karrige politike. Në një anë BDI-ja e bën deklaratën asisoj që t’i shërbejë VMRO-së dhe Gjorges që ta quajë një deklaratë të partive shqiptare – “platformë tiranike” dhe për të na fyer vetëm pse jemi shqiptarë dhe nga ana tjetër me vendosmëri fanatike BDI-ja i mban ministrat në qeverinë e tashme ilegale dhe, kuptohet, antikushtetuese dhe pët syri s’i bën kur deklaron se ka bërë koalicion me LSDM-në. A t’i besojmë BDI-së? Natyrisht se nuk mund t’i besojmë, sepse ky qëndrim i saj “në dy karrige”, edhe me VMRO-në edhe me BDI-në shkon në dëmin tonë e të askujt tjetër. Kriza e thellë që po e mundon vendin kaq gjatë do të t’i godasë më së shumti shqiptarët, sepse kapitali thuajse i tëri, është në duart e maqedonasve. Përveç kësaj, do të pasojnë edhe shumë sanksione nga demokracitë perëndimore dhe veçmas nga BE-ja me të cilën lidhet fati dhe e ardhmja e gjithë Ballkanit. Prandaj s’mund t’i besojmë BDI-së se asnjë hap se ka bërë për zgjidhjen e këtij problemi ose më mirë të themi të këtij cirku parlamentar e qeveritar, por heshtazi i u ka shkuar për qejfi VMRO-së dhe militantëve të saj që këlthasin rrugëve për gjoja një Maqedoni “të përbashkët” (ku vetëm për shqiptarët nuk do të ketë vend duke ia mbajtur frymën qeverisë të cilën e udhëheqin deputetët e VMRO-së dhe disa ministra të BDI-së.

Fatkeqësisht BDI-ja, ndoshta bën kalkulime dhe luhatet lidhur me vendimin a të zgjatet afati i Prokurorisë speciale apo jo? Prandaj rri në dy karrige.

Fatkeqësisht BDI-ja nuk e mendon fare se mund të ketë zgjedhje të tjera shumë herët dhe se në këto zgjedhje eventuale do ta pësojë fatin e Prosperitetit të dikurshëm. Por me këtë sjellje ky fat e pret.

Kurse fatkeqësia më e madhe është se BDI-ja tash nuk mendon për fatin e fëmijëve dhe të rinjve tonë, të cilët për çdo ditë ikin nga vendi. Ajo duket se mendon vetëm për krerët e saj.

Fatkeqësisht BDI-ja nuk mendon sot se heshtazi po merr pjesë në ndonjë projekt  të kobshëm të pastrimit etnik të vendit nga shqiptarët.

Fatkeqësisht BDI-ja gati se ka harruar që votat gjithmonë i ka marrë prej shqiptarëve, ani se për shqiptarët nuk ka bërë thuajse asgjë, duke filluar nga ndarja territoriale e vendit e deri në këtë krizë. Por vazhdimisht ka folur për integrimet evroatlantike, pa bërë gjë as këtu.

Fatkeqësisht BDI-ja thuajse i ka harruar gjithë ato viktima që ka dhënë ky popull yni për paqe e barazi.

Fatkeqësisht BDI-ja ka harruar se ky popull i është përgjigjur gjithmonë pozitivisht çdo thirrjeje që ka bërë lideri i saj, pa marrë parasysh se partisë ia kanë parë hairin vetëm krerët e partisë.

Ndoshta krerët e BDI-së mendojnë se populli shqiptar mund të jetojë edhe pa bukë edhe i fyer deri në palcë nga ata që janë “për” kinse “Maqedoni të përbashkët”, por pa shqiptarë, ndoshta mendojnë se populli mund t’ia falë partisë dhe politikanëve të cilët ashiqare po e rrezikojnë të ardhmen e të rinjve dhe paqen.

Ndoshta krerët e BDI-së mendojnë se ne nuk e shohim se krahas Gjorges dhe krerëve të VMRO-së na injoron pa skrupull si Gjorgeja edhe BDI-ja me qëndrimin e vetë në dy karrige.

Ndoshta krerët e BDI-së mendojnë se njerëzit e trajtuar si “prosta masa” nuk e shohin aleancën e fshehtë të disa krerëve të BDI-së dhe me Gjorgen dhe me krerët e VMRO-së, që shkelin ligje, kushtetutë, norma ligjore e morale vendore e ndërkombëtare, vetëm e vetëm ta mbajnë pushtetin me mjete jodemokratike.

Me të vërtetë u bë shumë edhe nga rruga që kërkon “Maqedoni të përbashkët” (kuptohet pa shqiptarët, u bë shumë edhe nga cirku parlamentar i VMRO-së e veçmas shumë u bë edhe nga çallëmi i Gjorges me fyerjet e tij ndaj nesh të nivelit të ulët, dhe nga krekosja e tij duke “i qortuar” edhe fuqitë e mëdha.

BDI-ja e ka letrën në dorë. E ka mundësinë që t’i thotë Gjorges; çao! E ka edhe momentin e fundit, kur vendoset fati i saj: fiton ose humb! BDI-ja e ka fjalën…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button