Çfarë fshehin komunat shqiptare?

Komunat shqiptare përsëri kanë nivel më të ulët të transparencës në Maqedoni

Ditëve të fundit Qendra për Analiza Ekonomike, në bashkëpunim me fondacionin Metamorfosis, ka bërë azhurim të indeksit të saj për transparencë buxhetore të komunave në Republikën e Maqedonisë. Indeksi nuk është i koklavitur për t’u njehsuar apo për t’u kuptuar. Ai thjeshtë liston disa dokumente që kanë të bëjnë me procesin buxhetor të komunës dhe numëron sa prej tyre komuna i ka bërë publike për qytetarët. Këtu hyjnë dokumente të tilla si propozim-buxheti për vitin 2017, vetë buxheti i vitit, raportet për realizimin e buxhetit të 2016, llogaria përmbyllëse dhe raporti vjetor i vitit 2015, raporti i auditimit e kështu me rradhë. Për secilin dokument të publikuar fitohen pikë, ndërsa totali paraqet indeksin e transparencës buxhetore të komunës. Duhet cekur se këta dokumente komunat janë të obliguara t’i publikojnë edhe ligjërisht.

Çfarë thotë ky indeks për transparencën e komunave? Sa japin ato llogari para qytetarëve për paratë që kanë mbledhur e harxhuar? Shikuar në bazë të rajoneve statistikore gjendja është kështu: rajoni i Shkupit 5.9, verilindori 6.9, lindori 6.8, juglindori 6.8, rajoni i Vardarit 5.2, Pellagonia 7.3, jugperëndimori 6.4 dhe Pollogu 5.4. Në krahasim me vitin e mëparshëm është shënuar përparim te të gjithë rajonet, me përjashtim të rajonit të Vardarit që ka rrënë nga 6.2 në 5.2 (këtë e ka shkaktuar komuna e Negotinës e cila ndryshe nga vitet e mëparshme nuk ka publikuar asnjë dokument).

Që në pamje të parë duket një diskrepancë në nivel republikan. Më transparente duket se janë rajonet e Maqedonisë Lindore, ndërsa më pak ata të Veriut dhe Perëndimit. Ky fenomen nuk është i rastësishëm, pasi duket qartë se rajonet më jotransparente janë pikërisht ata ku ka më tepër komuna shqiptare. Por për të vërtetuar këtë fenomen duhet të shqyrtojmë indekset një nivel më poshtë, gjithmonë duke na interesuar pikë së pari rajonet me komuna shqiptare: të Shkupit, Pollogut, rajonit jugperëndimor dhe verilindor.

Rajoni i Shkupit ka indeks mesatar 5.9, por këtë mesatare e kanë rrëzuar komunat shqiptare. Kështu përderisa pjesa më e madhe e komunave këtu ka indeks 8 e më lartë, komunat shqiptare renditen fare në fund. Studeniçani ka indeks 6, ndërsa besoni apo jo, Saraji, Çairi dhe Haraqina kanë indeks 0. Kjo do të thotë se këto komuna shqiptare nuk kanë publikuar asnjë dokument rreth procesit të tyre buxhetor. Ata kanë harxhuar paratë e qytetarëve, por kategorikisht refuzojnë të shpalosin se ku e si.

Më tutje në rajonin Verilindor të gjitha komunat kanë indeks mbi 5, përveç komunës së Likovës me indeks 3. Likova është komuna e vetme shqiptare në këtë rajon.

Rajoni Jugperëndimor qëndron diçka më mirë në total, por edhe këtu paksa problematike paraqiten komunat shqiptare. Në fund të renditjes janë Debarca dhe Qendra Zhupë me 4 pikë dhe Struga e Plasnica me nga 5 pikë. Sa për ngushëllim dy komuna shqiptare nga ky rajon kanë treguar transparencë më të madhe: Dibra me indeks 9 dhe Kërçova me indeks 7. Por edhe këto janë larg Ohrit i cili ka indeks 11.

Në fund vjen rajoni i Pollogut, njëkohësisht më shqiptar dhe njëkohësisht më jotransparent. Ai ka indeks mesatar 5.4 dhe pikërisht në nivelin 5-7 renditen pothuajse të gjitha komunat e rajonit. Përjashtim bën Zhelina me indeks 8 dhe Vrapçishti i cili nuk ka publikuar asnjë dokument dhe ka indeks 0. Në çdo rajon tjetër ky nivel transparence është nën mesataren; pra për çështje transparence komunat shqiptare mudn të garojnë vetëm me njëra tjetrën.

 

Dy vitet e fundit Maqedonia përballet me krizë e cila në rrënjë ka keqpërdorimet e mjeteve publike nga ana e pushtetarëve. Në thelb këto janë pasojë direkte e nivelit të ulët të transparencës të institucioneve, e një mënyre funksionimi ku fondet publike shfrytëzohen në mënyra të dyshimta, larg syve të qytetarëve. Sido që të lexohen rezultatet e analizës së mësipërme, ata tregojnë nivel dëshpërues të transparencës edhe në nivel lokal, sidomos te komunat shqiptare.

Publikimi i dokumentacionit financiar është obligim i detyrueshëm me ligj. Madje dokumente të këtilla janë të detyruara të publikojnë edhe kompanitë private të organizuara si shoqëri aksionare. Pra edhe pronarët e kompanive private, që punojnë ekskluzivisht me paratë e veta dhe për interes të vet, një herë në vit detyrohen të njoftojnë publikun se si u kanë vajtur punët në kompani. Në të kundërtën duhet të paguajnë dënime të majme.

Nga ana tjetër këtë nuk e bëjnë komunat, institucione që punojnë me para të huaja dhe me obligime e përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre. Ne nuk dijmë nëse kjo neglizhencë është pasojë e dembelizmit, paditurisë ose ndonjë faktori tjetër. Por fakti që vazhdojnë të punojnë kështu në fshehtësi, pa pasur kurrë pasoja, logjikisht ngjall dyshime për atë se çka po ndodh në të vërtetë nëpër komunat tona. Dhe kjo është çështja që duhet të na preokupojë më së shumti, sepse bëhet fjalë për paratë dhe mirëqenien tonë.

Çfarë po ndodh nëpër komunat tona? A është e rastësishme që komunat shqiptare janë më të prapambeturat dhe njëkohësisht më të mbyllurat ndaj qytetarëve? Përse komunat shqiptare nuk publikojnë dokumentet relevante financiare? Përse nuk ju tregojnë qytetarëve sa para kanë mbledhur prej tyre dhe si i harxhojnë ato? Çfarë fshehin komunat tona? Këto janë pyetje që duhen përgjigjur me urgjencë, sidomos para zgjedhjeve lokale. Pa dhënë institucionet llogari nuk mund të ketë demokraci.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button