Mustafa:Do të kërkojmë ndarjen e pasurisë nga koha e ish-Jugosllavisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa ka theksuar se duhet hapur tema të reja në dialogun Prishtinë – Beograd, si dhe se bisedimet përfundojnë vetëm me njohjen reciproke të të dyja republikave.

“Janë disa tema që duhet të përfundohen atje dhe procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen e dy shteteve, me Demarkacionin në mes të Kosovës dhe të Serbisë, me respektimin e fqinjësisë së mirë dhe me ndarjen e pasurisë nga koha e ish-Jugosllavisë”, ka potencuar Mustafa.

Më tej ai ka thënë se do të kërkohet garanci nga Bashkimi Evropian për çështjen e të pagjeturve.

“Ne kemi shtruar edhe më parë çështjen e të pagjeturve ku ne do të kërkojmë garanci nga BE-ja për personat e pagjetur dhe lokacionin e varrezave, do të kërkojmë edhe hapjen e arkivave të ushtrisë pasi që po bëhen gërmime dhe nuk po gjenden njerëzit”, ka thënë Mustafa.

Ai ka siguruar se do të hapet edhe çështja e pensioneve dhe kthimi i dispozitave.

“Do të hapet çështja e pensioneve dhe kthimi i depozitave, dëmshpërblimet e luftës, vrasjet e njerëzve, trashëgimia kulture dhe dëmshpërblimet nga dëmet fizike në prona private dhe në ato publike si pasojë e veprimeve të Serbisë”, ka deklaruar kryeministri.

Ndryshe, sipas Mustafës, formati i bisedimeve Prishtinë – Beograd do të bëhet në koordinim me presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

“Se si do të jetë formati i dialogut do ta trajtojmë me presidentin dhe kryeartin e Kuvendit, pjesa dërmuese e çështjeve që dialogohen atje janë qeveritare, por ne do të bëjmë përpjekje që dialogu të jetë sa më transparent”, ka përfunduar Mustafa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button