Përdorimi i gjuhës standarde në media: Drejtshkrimi, viktimë e gazetarëve

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu. Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”

Faik Konica

Shkruan: Fatlume DERVISHI

Gjuha standarde në media: Drejtshkrimi, viktimë e gazetarëve

Për tu analizuar të gjitha aspektet e përdorimit të gjuhës standarde në media, mbase do të duhej një studim më i gjatë dhe më voluminoz, me rezultate më konkrete dhe me udhëzime më të qarta. Sigurisht që kjo do të duhet të bëhej duke kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë studiues të gjuhës që e njohin me përpikëri drejtshkrimin dhe normat e standardit të gjuhës shqipe dhe duke pasur parasysh gramatikën e zhvilluar të saj.

Prandaj ne atë e lëmë në duart e mjeshtërve të gjuhës. Analiza që është bërë, është për atë se si “kapen” gabimet gjuhësore nga këndvështrimi i lexuesve që e njohin drejtshkrimin në një nivel të kënaqshëm, e përdorin drejtë gjuhën dhe “ua vrasin syrin” lëshimet naive të mediave. Natyrisht që do ta trajtojmë pakujdesinë e skajshme dhe të patolerueshme të disa gazetarëve dhe mediave.

Gabime, nuk ka dyshim që bëhen. Me shtimin e numrit të mediave, me mungesën e kuadrove profesionale, redaktorëve e lektorëve, shtohen edhe gabimet. E, me anonimitetin e gazetarëve, shtohen edhe niveli i papërgjegjësisë.

Cilat janë shkaqet për gabimet e shumta?

Duke analizuar shkaktarin kryesor të lëshimeve drejtshkrimore që i bëjnë shpesh gazetarët, gjuhëtarët kanë parasysh disa aspekte. Niveli i ulët i arsimimit, neglizhenca, presioni i kohës ose arsye të tjera mund të qëndrojnë prapa këtij fenomeni, por cili prej këtyre faktorëve dominon më shumë sipas tyre?

Profesoresha e gjuhës shqipe, Vjollcë Berisha ka konstatuar se përdorimi i shqipes standarde në mediat tona lë shumë për të dëshiruar.

“… aq sa kam filluar të besoj që kjo shmangie nga standardi i ka kaluar kufijtë e të qenit një mungesë kulture drejtshkrimi e drejtshqiptimi. Ajo ka filluar të shfaqet si pakujdesi totale ndaj gjuhës, për të mos thënë si nënçmim ndaj saj. Nëse vihen re lëshimet që bëhen gjatë hartimit të një teksti në mediat tona elektronike e të shkruara, gjithkush mund të vijë në këtë përfundim fatal për ngritjen kulturore të një kombi. Mjerisht, faktorët që ndikojnë në shmangie nga standardi gjuhësor janë shumë në numër dhe të natyrave të ndryshme. Ato lidhen edhe me çështje të tjera tonat të pambaruara me karakter historik-politik e social. Gjithandej hasim lëshime që s’janë vetëm mungesë dijesh gramatikore, por mospërfillje dhe pavetëdije për krimin, do të thosha unë. Jemi dëshmitarë të shkeljes së rregullave gjuhësore pothuajse në të gjitha llojet e komunikimit, përfshirë edhe librat që i botojmë e, që është më skandalozja e më e dhimbshmja, tekstet shkollore që i hartojmë. Të gjitha së bashku dhe shumë të tjera.”

Si ballafaqohen mediat tradicionale dhe bashkëkohore me përdorimin e gjuhës standarde?

Në përgjithësi, përshtypja e krijuar është që mediat tradicionale, shtypi dhe televizioni, janë më të kujdesshme në dhënien e informacionit, për shkak të hierarkisë strukturore të tyre dhe fazave që i kalon informacioni para publikimit. Portalet janë media që e transmetojnë më shpejt informacionin. Jo të gjithë, por pjesa më e madhe e tyre, u kushton më pak ose aspak rëndësi rregullave dhe standardeve të gazetarisë në përgjithësi. Këtu nuk bëjnë përjashtim as standardet e përdorimit të gjuhës.

“Sa u përket portaleve, mendoj që janë ato që më së shumti po i mëshojnë indit të gjuhës. Nëse mediat tradicionale (siç po i quani ju shtypin dhe televizionet) kanë ende një grimëz përgjegjësie, kontrolli e filtri redaksional (pavarësisht nga niveli i njohjes së tyre gjuhësore), portalet janë tërësisht jashtë këtij sistemi mbikëqyrës. Ato aty-këtu strehohen vetëm në ndërgjegjen e shkruesit, gjë që shkakton erozionin gjuhësor e kulturor kur e dimë që kemi të bëjmë me media të kudo ndodhshme, që kanë ndikim të keq sidomos në kulturën gjuhësore të të rinjve. Përgjatë kontaktit me këto mediume, tok me gjuhën, të rinjtë e bjerrin edhe kujdesin, vlerësimin, vetëdijen mbi rëndësinë e gjuhës së tyre, gjë që është më e rrezikshme edhe se cilido lëshim që vjen nga mosnjohja e një rregulle gramatikore.” – vlerëson Vjollcë Berisha.

Lëshimet më të zakonshme

Gabimet më të zakonshme të mediave, nëse nuk do të ishin skandaloze për shkak se bëhet fjalë për mosnjohje bazike, do të ishin qesharake. Fakti që këto gabime kanë marrë përmasa masive e autorët nuk vendosen përballë asnjë përgjegjësie, është shumë shqetësues, sepse media nuk është vetëm përcjellës informacioni, por edhe edukator dhe modelues i kualitetit të diskursit publik. Për shtjellim më të qartë, është bërë ndarje në disa kategori.

  • Ë” dhe “ç” të injoruara

Gjithkujt, me gjasë, i ka rënë në sy zëvendësimi i “ë” dhe “ç” me “e” dhe “c”, fenomen shumë i pranishëm në media. Parimi bazë i gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj “një shkronjë, një tingull” bie përtokë. Definicioni që thotë se “gjuha shqipe lexohet ashtu si shkruhet”, në këtë rast, nuk vlen më. Shmangia e këtyre tingujve në të shkruarit gjatë komunikimit të zakonshëm në jetën e përditshme është shumë e ndikuar edhe nga shprehia e përdorimit të tastierës së telefonave celularë. Në opsionin “automatik”, tastiera është në gjuhën angleze dhe mungojnë “ë” dhe “ç”. Ato mund të shtypen vetëm nëpërmjet disa lëvizjeve manuale shtesë. Në fakt, bastardimi i drejtshkrimit në aspektin e injorimit të këtyre dy shkronjave filloi pikërisht me përdorimin masiv të kompjuterëve dhe është përkeqësuar pikërisht me zhvillimin e tyre.
Iliria News
Megjithatë, gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kur shkruajnë një tekst, nuk e shkruajnë me qëllimin e vetëm për të përçuar një mesazh të zakonshëm për shoqërinë ose të afërmit. Gjuha e shkruar nënkupton përdorimin e të gjitha 36 shkronjave, ku secila ka peshën dhe rëndësinë e njëjtë dhe vendin e saj në drejtshkrim.

Shembuj:

    • Cili eshte (është) interesi i Serbise (Serbisë) ne (në) gjithe (gjithë) historine (historinë) me Murin? (Teksti origjinal)
  • Mungesa e “ë” në fund të fjalës për shumësin

Mbase kjo është një nga rregullat që një pjese të lexuesve nuk u bie aspak në sy, por për njohësit e mirë të gjuhës, është ndër gabimet që bëhet më shpesh. Shumë herë gabimi bëhet te emrat e gjinisë mashkullore që shënojnë frymorë, duke mos i kushtuar rëndësi nëse bëhet fjalë për emër në njëjës ose në shumës.

  • Një punëtor – Disa punëtorë
  • Një doktor – Disa doktorë
  • Një profesor – Disa profesorë
  • Fjali të pakuptimta përshkak të lidhjes së keqe sintaksore

Arsyetimi se portalet kanë prioritet shpejtësinë e publikimit të informacionit për shkak të ekskluzivitetit, jo gjithmonë ka peshë. Edhe Kodi Etik i Gazetarëve potencon që koha nuk guxon të rrezikojë qasjen profesionale.

KODI ETIK I GAZETARËVE

Nevoja për shpejtësi asnjëherë nuk guxon të rrezikojë saktësinë, kredibilitetin dhe profesionalizimin e kontributit.

Përpiluesit e Kodit Etik nuk e kanë pasur fjalën vetëm te aspekti përmbajtjesor i informacionit, te faktet dhe verifikimi, por edhe te aspekti gjuhësor. Gjuha është mjeti i gazetarit.

Shembuj:

  • Mediat në gjuhën shqipe shpekulojnë (spekulojnë) se nëse VMRO-DPMNE nuk arrin të formojë qeveri (Qeveri) me BDI-në, Ivanov (Ivanovi) ka gjasa të jep (japë) dorëheqje, me qëllim që mos të i’a (ia / t’ia) jep (japë) mandatin Zaevit, gjë e cila do ti (shkruhet “t’i” por në këtë rast duhet “të”) sjellte (sillte) zgjedhje të reja, shkruan DW. (Teksti origjinal)
  • Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi jo zyrtarisht sipas analizave të para thuhet se PDSH përsëri do të jetë forca e dytë politike shqiptare në Maqedoni. (Teksti origjinal)
  • Qytetarët të lodhur nga zvarritja e krizës dhe formimit (formimi) të (i) Qeverisë
  • Të lodhur dhe nën presion nga zvarritja e procesit të bisedimeve mes partive dhe nga mosformimi i Qeverisë. (Fjali është pa folje. Lëshime të këtilla janë të pranueshëm vetëm në titull përshkak të kufizimit. Por kjo pjesë është teksti përmbajtjesor i artikullit) (Teksti origjinal)
  • LSDM-ja e bindur se brenda (brenda) dy ditëve do të mbledh (mbledhë) nënshkrimet, BDI-ja (BDI-ja: ) pa marrëveshje (marrëveshje) paraprake ska (s’ka) nënshkrime! (Teksti origjinal)

Përdorimi i fjalëve të huaja

Gjuhëtarët, me të drejtë, janë të revoltuar edhe nga integrimi i “paligjshëm” i fjalëve të huaja në gjuhën e shkruar në media. Mbase mediat këtë e bëjnë me tendencën për t’u dukur më të emancipuar, më bashkëkohorë dhe më pro-perëndimorë. Por si duket, janë shumë pak të vetëdijshëm për dëmin që i bëjnë gjuhës. Shqipja ka dy dialekte bazë dhe disa “të folme” krahinash. Ka mijëra fjalë me prejardhje krahinore që “presin” të hynë në fjalorin standard dhe të pasurojnë gjuhën. Fjalët e huaja zakonisht integrohen kur gjuha tjetër është në zhvillim e sipër dhe nuk ka mjaftueshëm fjalë autoktone për të emërtuar gjërat, frymorët ose fenomenet. Kjo nuk vlen për shqipen. Publiku është familjarizuar aq shumë me disa nga fjalët e huaja që përdoren më shpesh në media, sa nuk i bëjnë më përshtypje dhe i tingëllojnë si të zakonshme.

– Envajërnment (environment) – Mjedis

– Bulizëm (bullying) – Ngacmim, të ngasësh dikë

– Suport-im (support) – Mbështetje

– Start – Fillim

– Adapt – Përshtatje, përvetësim

Shembull:

  • Bizneset e Strugës shohin hair (dobi) nga mysafirët nga Shqipëria (Teksti origjinal)

Për fjalët e huaja në artikujt e gazetarëve, profesorja Vjollcë Berisha thotë:

“Pa asnjë keqardhje dhe në emër të një mendjemadhësie të pashpjegueshme jo vetëm që po i përdorim fjalët e huaja në vend të fjalëve tona, por edhe po shpikim fjalë të tjera për t’i zëvendësuar edhe huazimet me të cilat shqipja me kohë i ka mbyllur llogaritë. Ky infektim i dyfishtë flet për një pakujdesi të plotë ndaj gjuhës amtare dhe për një bjerrje të tmerrshme të një vlere të pakapërcyeshme kombëtare e qytetëruese. Gjithashtu, një nga kujdeset e holla që duhen të bëhen janë edhe ato të natyrës sintaksore, gjithnjë në emër të mbrojtjes së kështjellës së gjuhës, pasi rrënimi më i sigurt dhe më tinëzar i saj vjen pikërisht nga ngulimet e huaja sintaksore, të cilat imponohen pavetëdijshëm si tonat dhe, ndonëse janë krejtësisht në kundërshtim me natyrën gjuhësore të shqipes, zënë padrejtësisht vend dhe e shfytyrojnë atë.”

Shuarja e rasave të emrit

Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit, madje edhe gjatë kalimit në rasa është një tjetër prirje e gabuar e mediave.

  • “Trump bisedoi me Putin” – “Trumpi bisedoi me Putinin”
  • “Merkel takoi Sarkozy” – “Merkeli takoi Sarkozinë”
  • “Klinton u takua me Mahmud Abaz” – “Klintoni u takua me Mahmud Abazin”
  • Përdorimi i emrave sipas drejtëshkrimeve të huaja

Sipas rregullave të drejtshkrimit, emrat, titujt dhe emërtimet nga gjuhët e huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhës shqipe, pra, ashtu siç shqiptohen.

  • “The New York Times” – Nju Jork Tajms
  • George Bush – Xhorxh Bush
  • Ollbright – Ollbrajt

Shembull:

Shembuj të përgjithshëm:

  • Në janat (janar – gabim shtypi) të këtij viti kur edhe bëhej renovimi (fjalë e huaj) nga të vjetra në të reja qyteti i Shkupit sqaronte se nuk ishin as të dëmtuara e të prishura thjeshtë për një ambient më të ndritur (ndriçuar) ishte bërë dhe ndrimi (ndërrimi) i tyre.
  • Mediat atë kohë informonin se për këto kandella (?) janë dhënë 100 mijë euro ashtu si parashihej në konkursin e tenderimit për ndricim (ndriçim) publik. (Teksti origjinal)
  • Ekspertët e çështjeve juridike thuan se… Një pjesë e ekspertëve thuan se… (Teksti origjinal)
  • Thaçi bëhet burrë, nuk shkon në zgjedhjet e 5 qershorit të cilët tenton ti (t’i) falsifikon (falsifikoi) Gruevski?! (Teksti origjinal)
  • NQP se (s’e) respekton ligjin për shqipet (shqipen) në fletushka (Teksti origjinal)
  • Anket (Anketë) për ujin e pijshëm në Maqedoni (Teksti origjinal)

Profesorja Berisha konfirmoi se këto gabime shpesh marrin edhe vëmendjen e gjuhëtarëve dhe e vlerëson këtë si pakujdesi të skajshme nga ana e mediave.

“Kam përshtypjen që nuk bëhet kujdes për asnjë rregull. Në mediat elektronike s’bëhet fare kujdes për drejtshqiptimin e fjalëve. Ato shpesh dëgjohen me theks krejtësisht të huaj për natyrën e shqipes. Në të shkruar bëhen gabime të shumta gramatikore e leksikore. Bie fjala, tepër rrallë gjen të përdoret drejt veta e tretë në njëjës e foljes në mënyrën lidhore (të shkruajë, të dashurojë…), apo shumësi i emrave me -ë (profesor-profesorë). Dy kohë të mënyrës habitore të foljes thuajse nuk përdoren fare. Po kështu edhe me mënyrën dëshirore e kushtore, që po i anashkalojnë e po i zhdukin, ndonëse paraqesin një vlerë të shqipes, një vlerë përbri gjuhëve të vjetra evropiane. Këto mënyra, fatkeqësisht po konsiderohen luks dhe po përdoren tepër rrallë, gjë që po i dënon me humbje këto mënyra.”

Zgjidhja: Si deri te përdorimi me i drejtë i gjuhës në media?

Gjuhëtari Rami Memushaj, në studimet e tija, po ashtu zgjidhjen e sheh te shkollimi i hershëm dhe përvetësimi i rregullave të drejtshkrimit. Kjo krijon shprehinë e të shkruarit drejt.

Në të vërtetë, ngulitja e normave të të shkruarit drejt është një proces që përbëhet nga disa hallka, ku zotërimi i rregullave përbën hallkën fillestare. Hallka të tjera që duhet të pasojnë janë formimi i shkathtësive dhe i shprehive të të shkruarit pa gabime. Vetëm kur njohuritë për normën gjuhësore kthehen në shprehi, mund të thuhet se kemi arritur të shkruajmë dhe të flasim si duhet. (R. Memushaj, Shqipja standarde, 50)

Në vazhdën e studimit të mundësive për përmirësim të gjendjes dhe rritjes së vetëdijes, gjuhëtarët përveç kujdesit individual propozojnë edhe mbrojtje institucionale të gjuhës. Profesorja Berisha mendon që është koha që gjuha dhe përdorimi i drejtë i saj të mbrohet me ligj.

“Mundësia për ruajtjen nga ky erozion është vetëm mbrojtja institucionale, përkatësisht mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe, që është nevoja themelore dhe më e ngutshmja e shoqërisë sonë.

Mbrojtja me ligj e gjuhës është zgjidhja kryesore, pastaj vijnë faktorët e tjerë që mbyllen me ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare të paktën në shkallën që patëm gjatë Rilindjes Kombëtare. Të tjerat vijnë lehtë.”

Që në fillim të përcaktimit për këtë profesion, është e qartë se mjeti i parë i punës është gjuha. Prandaj, gazetarët duhet ta shfrytëzojnë dhe përdorin atë me kujdes dhe përgjegjësi. Gabimet jo vetëm që shkaktojnë huti te lexuesit gjatë pranimit të mesazhit, por ju përçojnë atyre të dhëna të gabuara për përdorimin e gjuhës. Në këtë rast, shkelet një nga misionet primare të medias, edukimi.

E, të mos flasim për dëmin që i bëhet kualitetit të debatit publik në përgjithësi. Tani për tani, mund të themi se gjuha nuk është mjet, por viktimë në diskursin që përdorin një pjesë dominuese e mediave dhe gazetarëve, si dhe atyre që formësojnë opinionin publik. Për çfarë kualiteti të debatit mund të flasim, në qoftë se artikulatorët dhe përçuesit kryesorë të atij debati nuk mund as vetë të artikulohen ashtu siç duhet?


Kjo analizë është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button