Maqedoni, ua marrin paratë dhe i përdhunojnë

Dalja në rrugë për të kërkuar mëshirë jo në të gjitha rastet mund të konsiderohet si mënyra më e lehtë për të siguruar kafshatën e gojës. Lypësit dhe sidomos gjinia femërore shpeshherë bien pre e abuzimeve, shkruan gazeta KOHA. Opinioni i përgjithshëm për lypësit është ndërtuar vetëm nga këndvështrimi i dukshëm. Por prapa syve të opinionit ndodhin edhe situate të palakmueshme. Lypëset femra nëpër qytet kanë frikë të zë terri i mbrëmjes nga frika se persona të pandërgjegjshëm abuzojnë me to duke i maltretuar, përdhunuar dhe duke ua marrë paratë që i kanë mbledhur gjatë ditës.

Është sekret publik që femrat të cilat mbeten rrugëve për të kërkuar lëmoshë edhe gjatë orëve të mbrëmjes, shpesh ndodh të ballafaqohen me situata të padëshiruara që vinë në shprehje nga persona të pandërgjegjshëm të cilët shfrytëzojnë gjendjen e pambrojtur të këtyre lypëseve duke i keqtrajtuar fizikisht por edhe seksualisht. Këtë e dëshmon edhe një vajzë 14 vjeçare e cila thotë se kishte të pamundur që të vazhdonte qëndrimin në rrugë pasi që qyteti të kaplohet nga terri sepse në rrethana të këtilla, ndjehej e kanosur për sigurinë e saj.

“Na i marrin paratë që i kemi mbledhur gjatë ditës, por ka pasur edhe raste kur na kanë përdhunuar”, thotë 14 vjeçarja, e cila në rrugë gjendet në pamundësi për të siguruar ekzistencën për familjen e saj në ndonjë formë tjetër. Ajo tha se rastet nuk i paraqesin nëpër organet kompetente nga frika sepse personat keqbërës ju kanosen edhe për jetën. Ky realitet ndikon që rastet e tilla të heshtën zyrtarisht.

Muhamet Tahiri nga Qendra për punë sociale në Gostivar, thotë se deri më sot nuk ka pasur ndonjë denoncim të kësaj natyre, por inkurajojnë lypëset që kur të përballen me situate të këtilla, t’i denoncojnë me qëllim që ndaj personave në fjalë, të ndërmerren masa ligjore. Fatkeqësia qëndron në faktin se shumë vajza të mitura bien pre e personave të pandërgjegjshëm të cilët abuzojnë me këto vajza në çdo aspekt, dhe për këmbim u japin vetëm ca shqelma, grushte e në fund një të shtyrë në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button