Në Portin e Selanikut janë ngujuar 120.000 tonë ngarkesë për Maqedoninë

Në Portin e Selanikut deri nesër do të grumbullohen rreth 120.000 tonë ngarkesë dedikuar për Maqedoninë, të cilat nuk mund të arrijnë në destinacionin e fundit për shkak të protestave të bujqve grekë të cilët i bllokojnë autostradat dhe vendkalimet kufitare të Greqisë.

Një përfaqësues i kryesisë së portit të Selanikut për portalin informativ “Voria” deklaroi se deri nesër në portin e Selanikut do të akumulohen rreth 120.000 tonë lëndë të para, siç janë nikli, thëngjilli, çeliku, kripa dhe të tjera, të cilët janë të dedikuara për industrinë e Maqedonisë.

Ai u bëri thirrje bujqve të kenë mirëkuptim për problemet me të cilat përballet porti i Selanikut dhe të protestojnë në mënyrë tjetër, e jo me bllokim të autostradave, sepse nëse vazhdon gjendja e këtillë, klientët do të duhet ta kahëzojnë ngarkesën e tyre drejt porteve të tjera konkurrente të Ballkanit, me çka Porti i Selanikut do të humbë para, renome dhe besim tek klientët.

Kuçi: Do të parandalojmë shkaktimin e krizës së naftës

Do të intensifikohen takimet për tejkalimin e problemit me transportin e penguar të naftës nga Greqia drejt Maqedonisë për shkak të bllokadës në kufirin ndërmjet maqedonisë dhe Greqisë afër Evzonit nga ana e bujqve grekë, paralajmëroi sot ministri i Ekonomnisë, Driton Kuçi.

“Bllokada është problem i brendshëm i Greqisë dhe shpresoj se sa më shpejtë do të zgjidhet. Si organ kompetent po bëjmë përpjekje t’ua lehtësojmë të gjithë atyre që udhëtojnë drejt Greqisë, e jo vetëm tranmsportuesve”, tha Kuçi në konferencën e sotme për shtyp, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Për pohimin e OKTA-s se është e mundshme krizë e naftës në vend nëse së shpejti nuk kalojnë cisternat me naftë nga Greqia në Maqedoni, minsitri Kuçi tha se do të parandalojnë çfarëdo lloj krize.

“Gjithsesi do të parandalojmë të shkaktohet çfarëdo lloj krize. Dje nga Sektori për energjetikë më thanë se tashmë duhet të përballemi me krizën e mundshme të naftës dhe për këtë arsye sot do t’i intensifikojmë takimet për tejkalim të problemit”, tha Kuçi.

Theksoi se kontaktojnë me organet greke dhe shtoi se edhe ata nuk e dinë se deri kur do të zgjasë bllokada në kufi dhe protestat e bujqve.

“Dëshiroj të tejkalohet problemi, sepse e përkeqëson gjendjen ekonomike në vend. Patëm komunikim me organet greke, por megjithatë bëhet fjalë për problem intern”, potencoi Kuçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button