Gjykata Kushtetuese e pezulloi dispozitën e Ligjit për nëpunësit administrativ

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme e pezulloi nenin 98, paragrafi 5, alinea 6 të Ligjit për nëpunësit administrativ, i cili ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së nëpunësve administrativ sipas ligjit nëse i mbush 62,63,64 apo 65 vjet të moshës (për gratë), gjegjësisht 64,65,66 apo 67 vjet të moshës (për burrat).

Pezullimi i kësaj dispozite ligjore sipas Kushtetutës është, midis tjerash, për arsye se nuk u mundëson pozitë të barabartë juridike qytetarëve.

“Parashikimi me dispozitën kontestuese të nëpunësve administrativ që t’u ndërpritet marrëdhënia e punës në moshë të ndryshme varësisht gjinisë do të thotë marrëdhënie e pabarabartë ndaj qytetarëve në bazë të gjinisë gjithmonë kur kushtet për ndalimin e marrëdhënies së punës sipas ligjit të plotfuqishëm dhe të përcaktuara me ligj të veçantë janë të ndryshme për burrat dhe gratë, siç është në këtë rast”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Shtrues të nismës deri tek Gjykata Kushtetuese janë Stamen Filipov dhe Avokati i Popullit i RM-së, të cilët vlerësojnë se është kundër kushtetutës që nëpunësve administrativ marrëdhënia a punës t’u ndërpritet në moshë të ndryshme varësisht gjinisë.

“Sipas Kushtetutës, secili ka të drejtë për  punë, përzgjedhje personale të punësimit dhe çdo vend pune është në dispozicion për secilin me kushte të njëjta. Obligimi kushtetues i ligjdhënësit ka qenë gjatë rregullimit të çështjeve lidhur me realizimin e të drejtave, obligimet dhe përgjegjësitë e punëtorit dhe punëdhënësit, nga marrëdhënia e punës, duke e përfshirë edhe ndërprerjen apo ndalesën e marrëdhënies së punës së nëpunësve administrativ me ligj të plotfuqishëm, qytetarët t’i vejë në pozitë të barabartë juridike mbi bazat e theksuara, madje edhe në bazë të gjinisë”, theksojnë shtruesit e nismës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button