Shkup, mbahet konferencë për punësimin e të rinjve në Evropë

Shkupi është organizator i konferencës rajonale të Këshillave Rinore dhe Organizatave Joqeveritare nga rajoni dhe Evropa kushtuar përvojave dhe modeleve inovative për rritjen e punësimit të të rinjve, raporton Anadolu Agency (AA).

Damnjan Nikollovski, kryetar i Këshillit Kombëtar Rinor të Maqedonisë, në cilësi të organizatorit të konferencës tha se papunësia e të rinjve është një problem shqetësues në shoqëri pasi siç tha, shkalla e papunësisë tek të rinjtë është dyfishi nga shkalla e përgjithshme në vend, por edhe në rrafsh global.

“Do të flasim për modelet e ndryshme të cilat folësit kanë mundur t’i zbatojnë në shtetet e tyre për të ulur papunësinë e të rinjve, përfshirë modelet që janë treguar të suksesshme në Evropë siç janë inkubatorët e biznesit, qendrat e karrierës dhe të tjera”, tha Nikolovski.

Situata me papunësinë e të rinjve në Serbi është pothuajse e njëjtë me atë në Maqedoni, thotë Milica Shikiljeviç, nga Këshilli Kombëtar Rinor i Serbisë.

“Përqindja flet se pak më pak se 40 përqind e të rinjve në Serbi janë të papunë. Problemet për të cilët flasim janë të njëjtë. Të rinjtë përballen me probleme gjatë transferimit nga arsimi në tregun e punës sepse të rinjtë në procesin arsimor fitojnë fare pak aftësi praktike dhe se mungojnë vende cilësore të punës ku ata do të mund të punësoheshin”, tha ajo.

Një nga folësit në konferencë dedikuar punësimit të të rinjve ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Charls Gareth, sipas të cilit, punësimi i të rinjve paraqet një segment të rëndësishëm për të gjitha shtetet.

“Të gjithë bisedat që do t’i kemi gjatë konferencës së sotme do të përqendrohen në ndihmesën e të rinjve për të qenë më të pranishëm në tregun e punës. Zakonisht, kur të rinjtë përfundojnë me arsim janë entuziastë, të gatshëm për suksese prandaj kemi nevojë për më shumë debate të tilla”, tha ambasadori britanik.

Gareth tha se çështja e papunësisë tek të rinjtë nuk mund të zgjidhet nga individë dhe për këtë arsye nevojitet përfshirja e të gjitha palëve.

Në fund të konferencës, është paraparë nxjerrja e përfundimeve mbi zgjidhjet e mundshme që do të përmirësojnë gjendjen e të rinjve, sidomos në fushën e punësimit të tyre dhe krijimit të një karriere profesionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button