Kosovë, marrëveshje mes MF-së dhe Bankës Botërore

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, nënshkruan sot marrëveshjen për hua me Bankën Botërore për financimin e Projektit Sigurimi i Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Ministria e Financave bëhet e ditur se me këtë rast ministri Hoti ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bankën Botërore, duke theksuar se edhe kjo marrëveshje si shumë bashkëpunime të tjera me Bankën Botërore shërben për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas ministrit Avdullah Hoti vlera e përgjithshme e marrëveshjes është 22 milionë euro me një normë efektive të interesit 1.40 për qind. Ai po ashtu ka bërë të ditur se projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, përkatësisht, në përmirësimin e kanalit kryesor të ujit dhe ndërtimin e një rezervari.

“Për përmirësimin e kanalit do të nën-huazohen tek Ibër Lepenci 15 milionë euro kurse pjesa e mbetur e kredisë në vlerë 7 milionë euro do të mbetet me Qeverinë e Kosovës për financimin e ndërtimit të rezervuarit. Përveç përmirësimeve infrastrukturore të kanalit që do të ndodhin duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, do të adaptohet/aplikohet edhe një sistem i avancuar elektronik i cili do t’i mundësoj Ibër Lepencit të mbikëqyr kanalin, të mbledh dhe analizoj të dhënat nga tereni në kohë reale”, ka theksuar Ministri Hoti.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se “Pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit. Ky rezervuar do të shërbej për situata emergjente të cilat mund të ndodhin në të ardhmen”.

Ndërkaq, drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, është shprehur se uji është në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social dhe vital për ruajtjen e shëndetit, kultivimin e ushqimit, prodhimin e energjisë, menaxhimin e ambientit përfshirë edhe ndikimet e vërshimeve ose thatësirave, dhe për krijimin e vendeve të punës.

“Aktualisht, Kosova qendrore, rajoni me popullsinë më të dendur në vend i cili paraqet potencialin më të madh zhvillimor të Kosovës për shkak të përqendrimit të aktiviteteve minerare, bujqësore dhe industriale, është duke u sfiduar nga resurset e kufizuara ujore. Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë Kosovën që ajo të bëj furnizimin e ujit më të pastër dhe më të qëndrueshëm”, ka theksuar Mantovanelli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button