Ekspertizë e re: Uji i pijshëm në Gjevgjeli përmbanë arsen

Me koncentrat prej 18 mikrogramë arsen në një litër ujë të pijshëm i cili është marrë nga ujësjellësi i Gjevgjelisë, laboratoria ndërkombëtare e licencuar nga Selaniku ka konstatuar se qytetarët e Gjevgjelisë, ende po pijnë ujë me me përbërje të elementit helmues – arsen, informojnë nga iniciativa “Arsena”, njofton Portalb.

Ashtu siç informojnë ata, rezultatet kanë treguar pjesëmarrje të 80% më shumë të koncentratit helmues nga standardet e Organizatës Shëndetësore Botërore dhe rregullores për kualitetin e ujit në Republikën e Maqedonisë të nënshkruar në vitin 2008.

Përndryshe, banorët e Gjevgjelisë me vite konsumojnë ujë që është i ndotur me arsen. Edhe pse organizata joqeveritare “Arsena” vazhdimisht tërheq vërejtjen se uji për pije është i ndotur, Komuna e Gjevgjelisë madje në shtator të vitit të kaluar shpalli tender për ndërtimin e sistemit të ri për furnizim me ujë të qytetit.

Kryetari i Gjevgjelisë, Ivan Frangov, deklaroi se sistemi i ri për furnizim me ujë në Gjevgjeli ndërtohet për shkak se qyteti ka nevojë për sasi plotësuese të ujit. Ai thotë se uji në Gjevgjeli është i pastër, mirëpo se autoritetet lokale dëshirojnë ta largojnë çdo dyshim.

“Arsena” në korrik të vitit 2016 e publikoi analizën e mostrës së ujit nga ujësjellësi i Gjevgjelisë, e cila tregoi prezencë të sasive të mëdha të arsenit, mirëpo edhe të metalit të rëndë vanadium, ndërsa në lidhje me deklaratën e Frangovit thonë se është mashtrim i publikut dhe marketing zgjedhor.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, arseni është njëri nga helmet më të fuqishme, i cili në doza mjaft të vogla, vret ngadalë, mirëpo në mënyrë efikase. Shkakton shumë pasoja negative, ndërsa sipas disa shkencëtarëve, lidhet drejtpërdrejt me ADN-në e njeriut. Shkakton prishjen e kromozomeve dhe shkurtimin e tyre, që çon në prishje gjenetike të palcës kurrizore, gjegjësisht shkakton leukemi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button