Tahiri: Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës

Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar për paralajmërimin e Serbisë se nesër do të bëhet prezantimi i linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se me këtë rast ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që ta ndalë trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, duke theksuar se ky është një provokim i radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.

“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve. Paralajmërimi i bërë për të lansuar linjën e re ilegale Beograd – Mitrovicë që nga dita e nesërme, është një ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe një dëshmi tjetër se Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën, ka theksuar ministrja Tahiri.

Duke vënë në dukje se Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, ministra Tahiri është shprehur se faktori ndërkombëtar duhet ta ndalë Serbinë.

“Serbia ka agjenda të rrezikshme, që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe Kosovën edhe partnerët ndërkombëtar. Tashmë ky është një provokim i hapur kundër Kosovës, që tregon se Serbia ka dalur hapur me politika agresive që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë nacionale të saj”, ka deklaruar ministrja Tahiri.

Kjo linjë është iniciuar nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë, e cila lansohet për herë të parë që nga viti 1999. Drejtori i kësaj Zyre, Marko Djuric është shprehur për mediat serbe se ky tren është i zbukuruar me motive të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button