U miratua buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2017

Këshilli i Komunës së Gostivarit mbajti seancën e 34 me radhë dhe të fundit për vitin kalendarik 2016. Në fillim, kryetari i Këshillit Komunal, Nasir Musliu, shfrytëzoi nga rasti që tre këshilltarëve aktual që u zgjodhën në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme parlamentare deputetë, t’ua urojë detyrën e re.

Pika e parë e rendit të ditës ishte Buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2017. Fillimisht, para këshilltarëve foli përgjegjësja e Sektorit për Financa dhe Buxhet, Fitore Aligega e cila vuri në dukje që buxheti themelor i paraparë për vitin vijues është projektuar të jetë: 1.096.684.000,00 denarë, duke shtuar që për dallim nga buxheti i vitit 2016 ka një rritje prej 5.150.000,00 denarësh.

“Buxheti i Komunës së Gostivarit për vitin 2017 është përgatitur me propozim dhe pëlqim të Kryetarit të Komunës dhe kërkesave dhe informatave të sektorëve komunal,është buxhet real, se sa real janë buxhetet tona atë e tregon më mirë llogaria përfundimtare për vitin 2016 që sillet diku nga shkurti ose marsi i vitit 2017 , me mbi 91 % realizim. Buxheti i konsoliduar u komunës së Gostivarit është planifikuar në vlerë prej 1.096.684.000,00 denarë, ku pjesën më të madhe e përbëjnë dotacionet me 51% pasuar nga buxheti themelor me 38,3%,kredi me 6,1%,aktivitetet e vetëfinancimit me 2,4 %, si dhe donacionet me 2,2 %”, tha Aligega, e cila vuri në dukje që të hyrat e buxhetit të Komunës së Gostivarit planifikohen për mbulimin e shpenzimeve të Komunës.

“Renditja e tyre në buxhetin e komunës është me sa vijon: Të hyra tatimore me 20.9 %, të hyrat jo tatimore me 3,5 %, të hyrat kapitale me 5,5 %, transfertë dhe donacione me 64 % dhe detyrime të brendshme me 6,1%. Të dalat e planifikuara për vitin 2017 janë 1.096.684.000,00 denarë, dhe me këtë ruhet e drejta e balansimit të të hyrave dhe të dalave. Të njëjtat janë radhitur sipas qëllimeve të caktuara sipas grupit të klasifikimit ekonomik në paga dhe kompensime 52,3 %, rezerva dhe shpenzime të padefinuara 0,2 %, mallra dhe shërbime 21,0 %, subvencione dhe transferta 2,0 %, beneficione sociale 0,2 %, shpenzime kapitale 23,5 % dhe pagimi i kryegjësë me 0,8 %”, shtoi Aligega, duke përfunduar që: ”Nga kjo shihet se pjesën më të madhe e përbëjnë pagat dhe kompensimet dhe si shpenzim i dytë paraqiten shpenzimet kapitale me të cilat planifikohet ndërtimi dhe rikonstruktimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës ekzistuese si dhe përmirësimi i shërbimeve publik. Risi për buxhetin e vitit 2017 kemi mjetet e parapara te programi “A0” për zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Me gjithsej 16 vota për, asnjë kundër e të përmbajtur, Këshilli Komunal aprovoi buxhetin për vitin 2016. Me po aq vota pasoi edhe miratimi i vendim për ekzekutimin e Buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2017, kalendarin buxhetor, si dhe vendim për përcaktimin e lartësisë së maksimumit të arkës.

Këshilltarët miratuan edhe programin për aktivitetet në Komunën e Gostivarit nga sfera e arsimit për vitin vijues, programin për aktivitetet e Komunës së Gostivarit nga sfera e kulturës dhe financimi i tyre, programin për aktivitetet e Komunës së Gostivarit në lëminë e sportit, programin për aktivitetet e komunës së Gostivarit në fushën e dhënieve të bursave për talentet e rinj, programin vjetore për shëndet publik, programin për aktivitetet e Komunës së Gostivarit në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit nga fatkeqësitë natyrore, programin për aktivitetet e komunës së Gostivarit në lëminë e mundësive të barabarta ndërmjet grave dhe burrave për vitin 2017, si dhe program рër aktivitetet e Komunës së Gostivarit në sferën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve për vitin 2017.

Këshilltarët me shumicë të votave (16) aprovuan edhe vendimin për përcaktimin e vlerës të poenëve për pagat e nëpunësve shtetëror për të njëjtin vit, si dhe konkluzionin për miratimin e Memorandumit për bashkëpunim të shkollës “Woodrow Wilson School”, me Komunën e Gostivarit.

Program me rëndësi dhe që mori dritën e gjelbër nga ana e këshilltarëve, ishte programi për rregullimin e tokës ndërtimore, ndërtimin, rikonstruktimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale në territorin e Komunës së Gostivarit për vitin 2017.

Edhe vendimi për dhënie në menaxhim të tokës për varreza dhe murgun e qytetit NP “Komunalec”, si dhe konkluzion рër dhënie pëlqim vendimit të NP “Komunalec” për aprovim të Programit për punë të NP “Komunalec” për periudhën 01.01.2017 deri 31.12.2017, u miratuan nga shumica e këshilltarëve komunal.

Sa u përket ndërmarrjeve publike, këshilltarët aprovuan edhe konkluzion рër dhënie pëlqim vendimit të Këshillit Drejtues të NP “Komunalec”, për pranimin e Programës Vjetore për punë për pastërti publike në sipërfaqet publike dhe sipërfaqe të hapura në objektet publike për vitin 2017, konkluzionin për dhenie pëlqim programit vjetor të Ndërmarrjes Publike “Parkimet dhe Gjelbërimet publike, konkluzionin për miratimin e raportit financiar të Ndërmarrjes Publike “Parkimet dhe Gjelbërimet publike” Gostivar për tremujorin e dytë dhe të tretë për vitin 2016, si dhe konkluzion për dhënie pëlqim programit vjetor të Ndërmarrjes Publike për ekonomizim me sallën sportive “Rinia” për vitin 2017.

U miratua edhe vendim për lirim nga pagesa e kompensimit për përcaktimin e statusit juridik të objekteve fetare –V 1 të ndërtuara pa leje në territorin e Komunës së Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button