Çeçeni: Militantët e vrarë kishin lidhje me IS-in

Autoritetet në rajonin rus të Çeçenisë thonë se udhëheqësi i dyshuar i grupit të militantëve që shkëmbeu zjarr me policinë gjatë fundjavës ka lidhje me grupin ekstremist, Shteti Islamik, shkruan REL.

Zyrtarët e sundimit të ligjit kanë thënë më 19 dhjetor se Said Ibragim Ismailov që ishte në mesin e shtatë militantëve të dyshuar që u vranë gjatë përleshjeve, ka qenë në kontakt me komandantin e tij në Siri, përmes internetit.

Ata kanë thënë se gjashtë persona e armatosur të vrarë janë identifikuar dhe që të gjithë kanë qenë në kërkim për dyshimet se janë përfshirë në sulme ndaj policisë në rajonin e Kaukazit verior.

Zyrtarët çeçenë kanë thënë se katër militantë të tjerë janë paraburgosur, në dy sulme të ndara në periferi të Groznit, përgjatë fundjavës.

Udhëheqësi çeçen që e ka përkrahjen e Kremlinit, Ramzan Kadirov, ka lënë të kuptohet më 18 dhjetor se në tërësi 11 persona të armatosur janë vrarë.

Së paku një polic është vrarë dhe një tjetër është lënduar, raportojnë mediat duke cituar zyrtarët e sundimit të ligjit në Çeçeni.

Betejat e armatosura të fundjavës kanë qenë më të përgjakshmet në apo përreth Groznit prej dhjetorit të vitit 2014 kur militantët vranë së paku 14 policë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button