Banorët e Vizbegut e përfundojnë edhe këtë vit vetëm me premtime për objektin e ri shkollor

Fëmijët e lagjes Vizbeg të Komunës së Butelit edhe këtë vit do ta përfundojnë pa objekt shkollor në lagjen e tyre. Maltretimi i tyre nuk ka fund, ata detyrohet që mësimin të ndjekin në shkollën fillore në komunën e Shuto Orizarës që është rreth katër kilometra larg.

Prindërit e fëmijëve ankohen se kjo situatë është stërzgjatur.

“Vetëm premtohet asgjë nuk realizohet. Ministri premtoi ndërtimin e një objekti të ri shkollor, por nuk është i pari që premton një gjë të tillë. Frikësohem se mos ishte vetëm premtim parazgjedhor dhe se tani nuk do të bëjnë asgjë”, tha Ferit T., banor.

“Fëmijët maltretohet të ecin në këmbë në kushte dimërore. Ne që nuk kemi makina jemi të detyruar që të zgjojmë fëmijët një orë e gjysëm më herët për t’i bërë gati për shkollë. Kur zgjohen ata është ende natë”, thotë Ridvan B., banor.

“Thuhet se kësaj radhe me të vërtetë do të fillojë ndërtimi i objektit të ri, mirëpo nuk e dimë se kur. Është thënë në 2017 por 2017 ka 12 muaj, pastaj sa kohë do të nevojitet që punimet të përfundojnë” tha Ymrane M., banore.

Ndryshe, lagjja e Vizbegut në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore, kështu kishte paralajmëruar kryetari i komunës së Butelit, Petre Llatinovski qysh në vitin 2012Ai madje tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

Mirëpo edhe pas katër viteve nuk ka asgjë të re sa i përket ndërtimit të objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra.

Kurse kohë më parë ministri i arsimit Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg, mirëpo banorët shprehen skeptik sa i përket kësaj çështje duke pasur parasysh se tani gjendemi në një periudhë parazgjedhore.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button