Të publikohet ose jo?

Është shumë me rëndësi që të dallohen lajmet që kanë potencial të gjenerojnë sjellje të papranueshme shoqërore, të analizohen atributet e tyre dhe me kujdes të merren vendime të mira redaktuese.

Shkruan: Biljana Iliq

Me një paralajmërim të shkurtër se bëhet fjalë për “video skandaloze raciste” që ka të bëjë me romët, Sorosin dhe LSDM-në, vetëm me një fjali të thjeshtë, një portal këto ditë publikoi një video-inçizim padyshim racist dhe ofendues, vepër e një personi të panjohur (me të cilin portali i njëjtë më vonë bëri edhe intervë). Është interesante të thuhet se videoja është vendosur në Youtube në tetor të viti 2011 dhe nuk është e qartë arsyeja se pse ajo tani aktualizohet.

SI TË RAPORTOHET PËR GJUHËN E URREJTJES

Ky rast na çon në një dilemë të vjetër etike të gazetarisë – a të raportohet dhe si të raportohet për gjuhën e urrejtjes dhe për ngjarjet edhe dukuritë e ngjashme që kanë potencial për të gjeneruar sjellje të papranueshme shoqërore? Para paraqitjes së internetit, etika e gazetarisë kishte një përgjigje konkrete për këtë çështje. Rekomandimi ishte që lajmet e këtilla të mos publikohen. Në teori shpeshherë përmendet shembulli i një lajmi të publikuar për kryqet e thyera të vizatuara në një sinagogë në Amerikë, e cila pastaj ka çuar në atë që kjo dukuri të përsëritet në disa qytete të tjera.

Sot, thellë në epokën e internetit, pyetja se “a duhet diçka të publikohet” pothuajse e ka humbur kuptim. Ndonjëherë, sidomos sikurse në rastin e lartpërmendur, kur me të vërtetë nuk ka pasur asnjë arsye profesionale që të ripublikohet diçka që moti është postuar në YouTube, duket se vendimi për të mos e publikuar do të ishte i arsyeshëme dhe i dëshirueshëm. Për më tepër, nuk ka asnjë mënyrë për t’i shmangur efektet negative të publikimit – shumë njerëz me kureshtje, e disa edhe me kënaqësi, do ta shohin videon skandaloze dhe nuk do t’u pengojë shumë që është karakterizuar si raciste. Me siguri do të ketë edhe të tillë që këtë përmbajtje do ta përjetojnë si frymëzim për ta dhënë kontributin e tyre në përhapjen e gjuhës së urrejtjes.

Ne nuk e kemi për qëllim ta dënojmë veprimin e portalit, sepse në mënyrë të ngjashme sillemi pothuajse të gjitha në media kur raportojmë në lidhje me rastet e gjuhës së urrejtjes. Dihet se pothuajse çdo postim në të cilin një gazetar i ynë i njohur demonstron gjuhë të vrazhdë të urrejtjes, ripublikohet me dhjetëra herë, jo vetëm rrjetet sociale, por edhe në media. Edhe pse më shpesh, gjuha e tij urrejtjes komentohet me dënim të ashpër, ashtu edhe siç e meriton, prania e tij e tepruar në media, megjithatë, kontribuon për përhapjen e diskursit të tij – ky person në këtë mënyrë bëhet gjithnjë e më i popullarizuar dhe më me ndikim.

REAGIMET DHE “ANARKIA KREATIVE” NË INTERNET

Prandaj, flasim për dilemë që na rëndon të gjithëve dhe për të cilën nuk kemi përgjigje të thjeshtë dhe definitive. Rasti që e analizojmë tregon se çfarë mund të jenë pasojat e një vendimi të gabuar. Në fakt, pas publikimit të videos skandaloze, në medie dërgoi komunikatë Partia për emancipimin e plotë të romëve. Në reagim thuhet se “nëpër rrjeteve sociale në formën e videos po qarkullon një video, me gjasë e porositur nga zyra, gjegjësisht kuzhina e gënjeshtrave dhe e të pavërtetave” ​​(me ç’rast aludohet, padyshim, në partinë në pushtet). Kjo, me gjasë, ka mundur të supozohet në vitin 2011, mirëpo, sot kjo megjithatë nuk është e vërtetë.

Poashtu, z. Samka Ibraimovski, lideri i PEPRM, kërkon “që videoja të tërhiqet nga rrjetet sociale në internet nga ana e krijuesve, nga anëtarët e DPMNE-së, të cilët janë të paguar për këtë dhe publikisht të kërkojnë falje për ofendimet e tyre raciste para gjithë publikut”. Për fat të keq, kjo kërkesë është e pakuptimtë dhe në kundërshtim me liritë e fituara dhe me “anarkinë kreative” që sundon në internet – askush nuk e ka për obligim, e me siguri as që ka dëshirë, të veprojë sipas kësaj kërkese – të partisë së tanguar, shqetësimi i së cilës nga ofendimet që i përmban ky material është i arsyeshëm. Në fund, problemi kyç është se në çfarë mënyre ky reagim do të mund të publikohej në mediet e tjera, pa iu shmangur me këtë rast rrezikut që të theksohet burimi (dhe me këtë rast të stigmatizohet ai që e ka publikuar lajmin, për shkak të një veprimi të pamenduar) dhe pa e publikuar videon kontestuese ose së paku link që çon te ajo – nëse e bëjnë këtë, mediet rrezikojnë të marrin pjesë në popullarizimin e videos raciste dhe eventualisht të gjenerojnë sjellje të ngjashme në të ardhmen.

SHPEJTËSIA DHE VENDIMET E GABUARA

Këshilla e vetme e mirë që mund të jepet për rastet e këtilla është të mendohet mirë para se të publikohet diçka. Shpejtësia shpeshherë mund të çojë në vendime të pamenduara dhe të gabuara. Kështu, para do kohësh, një ditë para festës së madhe fetare të Bajramit të Ramazanit, së bashku me shumicën e portaleve të maqedonase dhe medieve tradicionale, Plusinfo, duke iu referuar një radioje ruse, publikoi lajm se në Maqedoni trajnohen fundamentalistë islamikë. Në rrjetet sociale u tërhoq vërejtja se me gjasë bëhet fjalë për spin nga burim i detyrueshëm (intervenim i z. Gjuner Ismail). Plusinfo e tërhoqi lajmin dhe publikisht kërkoi falje. Edhe MPB-ja më vonë e demantoi spekulimin. Kuptohet, kjo nuk mund t’i përmirësojë efektet e dëmshme që i shkaktoi lajmi.

Është shumë me rëndësi që të dallohen lajmet që kanë potencial të gjenerojnë sjellje të papranueshme shoqërore, të analizohen atributet e tyre dhe me kujdes të merren vendime të mira redaktuese. Në vitin 2011, kur është publikuar videoja e përmendur raciste në Youtube, vendim i mirë i redaksisë do të kishte qenë që për këtë të njoftohet publiku, mirëpo këndi i tregimit të ishte i tillë që lexuesi të mos vendoset para dilemës se a e kritikon autori dukurinë apo vetëm mbledh klikime. Në vitin 2013, publikimi i kësaj videoje, në çfarëdo forme dhe me çfarëdo qoftë komentesh shoqëruese, është shkelje etike.

E kur njeriu do të gabojë (kush punon gabon, apo jo), më mirë është që ta përmirësojë gabimin, e nësa ka mundësi edhe të kërkojë falje.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button