Zgjedhjet: Programe të paqarta, kandidatë të dobët, elektorat i zhgënjyer

Desha të qëndroj sa më larg kampanjës zgjedhore në shkrimet e mia këtë periudhë, të paktën deri në ditën e zgjedhjeve. Besimi im është se shqiptarët si tërësi duhet të bojkotojnë këto zgjedhje në mënyrë që të tregojnë pakënaqësinë dhe mospajtimin me atë që partitë politike, të reja dhe të vjetra, ia ofrojnë elektoratit shqiptar.  Për të treguar që janë më të mencur, më të zgjuar, më të edukuar, më të qartë në kërkesat e tyre sesa tërësia e politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Për të treguar që nuk pranojnë të jenë pjesë e sharadës që kanë krijuar katër partitë/koalicionet me një retorikë të paqartë dhe të mbuluar me marimanga që daton nga parahistoria; që nuk pranojnë që kërkesat e tyre të degradohen dhe të mospërfillen, të mos kuptohen dhe përfundimisht të degradohet edhe vetë votuesi.

Të sqarohem! Kam ndjekur disa debate dhe asnjëri kandidat nuk ma ka mbushur syrin. I ndoqa ata të zonës 5, i ndoqa këta të zonës 2. Dy zona ku shqiptarët nuk janë shumicë sikur janë në zonën 6; dy zona të dallimeve të mëdha. Te zona 5 në të cilën Struga dhe Kërcova vetëm para 3 vitesh ishin fushëbetejë e madhe shqiptaro-maqedone për të marrë pushtetin lokal dhe ku u evidentuan dallimet e mëdha mes dy kombeve dhe ku partitë maqedone u bashkuan në luftë kundër partive shqiptare, jo sepse nuk ju pëlqente qytetarëve maqedonas programi dhe idetë e kandidatit shqiptar, por sepse ju pengonte thjesht fakti që ai ishte shqiptar; te zona 2 në të cilën hidhet benzin sa herë që duhet të nxitet urrejtja mes dy kombeve dhe në të cilën gjendja e shqiptarëve është aq e vështirë sa nuk përshkruhet por duhet të përjetohet sic e përjetojnë kumanovarët ditë përditë në lëkurën e tyre: pa paralele të mjaftueshme në shkolla, pa punë, me mundësi të zvogëluara për të zhvilluar biznese të qëndrueshme, pa mirëqenie sociale dhe ekonomike.

Këta kandidatë sikur pak kishin të flasin për hallet e qytetarëve votën e të cilëve deshin ta fitojnë, por duheshte të flasin për politika të mëdha të cilat nuk i kuptojnë por si papagallë përsërisin fjalët e liderëve të tyre të cilat unë sinqerisht nuk arrij t’i deshifroj në shumicën e rasteve, të shajnë njëri tjetrin – duke sharë kombin e vet në këtë mënyrë, të kërkojnë fajin ose te lëshimet e partive që deri tani kanë mbajtur pushtetin, ose tek maqedonasit që nuk na lenkan të qetë. Dua t’i pyes këta kandidatë, dhe të gjithë të tjerët të të gjitha njësive zgjedhore ku kandidojnë shqiptarë, bashkë me ta edhe liderët e partive të tyre dhe njerëzve që hartojnë plan programet zgjedhore dhe partiake.

¡¿Pse asnjëri prej tyre nuk na tregoi deri tani se si do e përmirësojë gjendjen e shqiptarëve, por duhet të merren me atë se kush e ka përkeqësuar atë; pse asnjëri prej tyre nuk ka program të qartë për shkollimin e shqiptarëve në Maqedoni që është në gjendje të mjerueshme dhe nxjerr kuadro gjysmake megjithëse kemi tre univerzitete shqiptare; pse asnjëra parti nuk ka program të qartë lidhur me shëndetësinë dhe përmirësimin e gjendjes me ilace, shërbime dhe kuadrifikimit të spitaleve ku shërohen shqiptarë; pse asnjëri prej tyre nuk flet për përmirësimin e kushteve për të bërë biznes, për reformën fiskale që nevojitet në shtet, për decentralizimin që ka ngecur në parahistori dhe që duhej të ishte mekanizmi për ndarje të drejtë të buxhetit, për qasjen e bizneseve dhe fermerëve shqiptarë në mjete financiare të lira dhe të qasshme; pse asnjëri prej tyre nuk flet për legjislativën që tangon mjedisin ku jetojmë, ndotjen, shkatërrimin e pasurisë, begatisë dhe diverzitetit natyror, apo për kualitetin e të jetuarit në këtë mjedis të mjerruar ekologjik që shkatërron familjet shqiptare duke pjellur vetëm sëmundje dhe vdekje të parakohshme të nxitura edhe nga shërbimet e dobëta mjekësore që i vuan ky shtet dhe elektorati i këtyre njerëzve që kërkojnë votën tonë?!

Duke mos shpresuar në përgjigje lidhur me këto pyetje, edhe njëherë i kërkoj popullit shqiptar, të bojkotojë këta matrapazë, këto parti dhe këta individë të privuar nga idetë progresive dhe të neguar nga qasja intelektuale dhe pragmatike ndaj problemeve të popullit shqiptar; të tregojë që është mbi këta personazhë të harxhuar që reciklohen nga njëra parti në tjetrën duke ndërruar vetëm ngjyrën – nga kaltër në të kuqe ose anasjelltas. Duhet t’jua bëjmë me dije që kërkojmë frymë të re, fytyra të reja dhe të denja për të përfaqësuar këtë popull kaq fisnik dhe kaq të përvuajtuar. Meritojmë më shumë! Meritojmë më mirë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button