Rruga drejt BE-së: Maqedonia ka shumë pak kohë për t’u anëtarësuar në BE

Të jesh apo të mos jesh, është dilema shekspiriane para së cilës gjendet shteti i Maqedonisë. Nga njëra anë Maqedonia ka pastrimin e rasteve ku është keqpërdorur pushteti, ndërkaq nga ana tjetër ka rrugëtimin drejt Bashkësisë Europiane, e cila kërkon sundimin e ligjit dhe zbardhjen e aferave të keqpërdorimit të pushtetit, shkruan Portalb.

Janë këto përfundime që u sollën në debatin e sotëm të organizuar nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” me temë “Bashkimi Europian, Maqedonia dhe pritjet pas zgjedhjeve.

Florian Biber, profesor në Universitetin e Graz-it vlerëson se zgjedhjet janë hapi i parë drejt reformave.

“Zgjedhjet asnjëherë nuk zgjidhin çështjet, por vetëm japin një mundësi, hapin dyert. Do të varet nga koalicionet pas zgjedhore që do të punojnë për zbardhjen e akuzave dhe ta kthejnë Maqedoninë në rrugën euroatlantike”, theksoi ai.

Në pyetjen se a mendon se politikanët kanë marrë mësim nga kriza politike, profesori Biber mendon se disa janë mësuar se si ta mbajnë pushtetin, të tjerët se si të ndërtojnë koalicione.

“Testi do të jetë më vonë, për vullnetin për të bërë reforma. Mendoj se disa parti nuk kanë vullnet për reforma. Nuk duan të ballafaqohen me akuzat. Kuptohet se Prokuroria Speciale dhe Gjykata do të duhet të merren me këto çështje, por edhe partitë politike duhet të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë. Maqedonisë i mbetet vetëm pak kohë, BE është e dobësuar së fundmi, SHBA nuk do ta mbështet në reforma me administratën e Trumpit”, theksoi Biber, raporton Portalb.

Edhe ish diplomati Nikolla Dimitrov, tani drejtues i Institutit të Hagës për drejtësi globale tha se zgjedhjet e ardhshme do të jenë referendum për qytetarët e Maqedonisë, të cilët duhet të vendosin nëse duan të largojnë të keqen.

“Maqedonia dhe qytetarët gjenden para një përgjegjësie të madhe. Pjesë e kësaj përgjegjësie janë edhe shqiptarët dhe faktori politik shqiptarë bashkë me arsyetimet e tij se nuk mund të jemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së për shkak të emrit. Për mua, këto nuk janë zgjedhje të thjeshta. Ne do të duhet të deklarohemi sikur në referendum, ka këtu material për shtet funksional me drejtësi dhe ardhmëri ose nuk ka. Këta do ta vërtetojë 11 dhjetori”, potencoi Dimitrov.

Për më 11 dhjetor në Maqedoni janë caktuar zgjedhjet parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button