Mediet e robëruara: Ty akoma nuk të kanë arrestuar

Fjalia në titull është arsyetimi më primitiv për lirinë e medieve nga regjimi i Gruevskit.

Shkruan: Еroll Rizaov

Dëmet që i janë shkaktuar gazetarisë në Maqedoni gjatë 8 viteve të kalauara vështirë se mund të rregullohen në 20 vitet e ardhshme edhe sikur të ketë demokraci ideale. Nuk bëhet fjalë vetëm për censurën ushtarake, liritë e medieve të kufizuara në mënyrë drastike dhe aktivitetet e ndaluara profesionale të gazetarëve, nuk është vendimtare as varësia dramatike ekonomike e numrit më të madh të medieve, e sa pronësia e pafat dhe përkatësia partiake dhe politike e pronarëve të medieve. Këtyre fatkeqësive të mëdha u parapriu diçka edhe më e tmerrshme që i ndodhi Maqedonisë. Gjatë këtyre 8 viteve, më të këqijat në 40 vitet e kaluara që kur e mbaj mend dhe që gjendem në këtë situattë, më e tmerrshme është ajo se është thyer shpirti, që fitoi nënshtrimi, frika dhe sharlatanizmi në gazetari, e cila me të gjitha dobësitë dhe varësitë e saj ishte në një vend modest në nivel evropian, në vendin e 34 në mesin e qindra vendeve të botës. Kuptohet nuk ishim të kënaqur nga kjo rang listë, e cila tani është e paarritshme dhe në lartësi kosmike, për shkak se jemi thellë të zhytur në mesin e regjimeve të errëta.

Tani, disa kolegë, duke shikuar secili nga këndi i vet, me shterpësi dhe kohë pas kohe merremi me temën se si u thye kurrizi i gazetarisë në Maqedoni. Diagnozat e njohura, që u dhanë që moti për mënyrën se si u likuidua televizioni A1, shërbejnë më tepër për frikësimin e pronarëve të dy televizioneve të fundit që emetojnë lajme dhe programe korrekte, sesa si vërejtje dhe ndryshim për të mirë. Humbi fakti dhe e vërteta se shumë kritikues të sotëm dhe të atëhershëm të pushtetit me ashpërsi e sulmonin pozitën e atëhershme të privilegjuar në treg të Velija Ramkovskit të posedojë, në kundërshtim me ligjin, televizion dhe medie të shtypura, gjegjësisht gazeta të përditshme. Sipas ligjit kjo ishte shkelje flagrante e parimeve të tregut dhe instalim i pozitës së pabarabartë me revistat dhe gazetat e tjera të përditshme. Sinergjia ndërmjet televizionit të fuqishëm dhe medieve të shtypura në një shtet të vogël me treg të kufizuar ishte vrasëse për një numër të madh mediesh. Kuptohet, Velija Ramkovski atëherë kishte raporte të mira me kryeministrin Nikolla Gruevski, dhe askush nuk mund t’i bënte asgjë. Paligjhmëria edhe atëherë, sikurse edhe tani, nuk ishte problem. Ajo u bë problem kur Velija ia ktheu shpinën Gruevski në vitin 2008. Prej atëherë, detyra kryesore mediatike e pushtetit ishte ta shkatërrojë televizionin A1 dge mediet e shtypura të Velijës, për të cilat qeveria atë kohë, kinse, nuk e dinte se të kujt janë. Është shumë afër mendjes se sikur pronari Velija të vepronte sikur Xingoja dhe Siteli dhe sikur Stojmenovi dhe Kanal 5, edhe sot e kësaj dite, në vend se në Idrizovë do të qëndronte me kurorat e dafinës nga lidhja e tij me pushtetin.

SUNDIMI I PERSONAVE PERIFERIKË NË GAZETARI

Ky krim mediatik ndaj А1 ishte fillimi i fundit të gazetarisë në Maqedoni dhe i marrjes së plotë të kontrollit. Pas shqiptimit të dënimit me mbi njëqind vite burg për Velijën dhe bashkëpunëtorët e tij, në mesin e të cilëve kishte edhe redaktorë, gjoja për shkak të tatimeve të papaguara, shkaktoi panik edhe në shtëpitë mediatike dhe në mesin e pronarëve të cilët, përveç në dy tre raste, biznes kryesor nuk e kishin atë të medies. Rezonimi i pronarëve, sa do që të duket i papranueshëm, është shumë racional: Pse t’ i humb të gjitha bizneset dhe të shkoj në burg për shkak të medies që e posedoj. Shumë më praktike është të bëhesh mbështetës i qeverisë, ndërsa më profitabile është të bëhesh partner i pushtetit, dhe do të lulëzojnë të gjitha bizneset – edhe ai mediatik edhe të tjerët. Kështu edhe u bë. U bë pastrimi i madh gazetaresk dhe transferimi në të gjitha televizionet dhe gazetat. Për katër vjet (2008-12) disa herë u ndërruan pothuajse të gjithë kryeredaktorët në televizionet relevante, u ndërruan ose u larguan nga puna të gjithë redaktorët dhe gazetarët kryesorë të rukrikave kryesore politike dhe ekonomike. Gjatë kohës së Gruevskit, në televizionet më të shikuara dhe gazetat më të lexuara, janë ndërruar mbi 30 kryeredaktorë dhe mbi 100 gazetarë kyçë dhe redaktorë të rubrikave. U paraqitën gazetarë partiakë dhe patriotë, të cilët në publik e ndryshuan perceptimin për atë se çka është gazetari e mirë dhe çka është veprim heroik sipas të gjitha standardeve botërorе të gazetarisë. Nga ai moment fillon dëmi më i madh në gazetarinë e Maqedonisë. Persona të ndryshëm të kompleksuar dhe periferikë në gazetari, të cilët asnjëherë as që kanë qenë afër profesionalizmit, ose në qendër të ngjarjeve kryesore edhe në vend, edhe në botë, edhe në jetën politike dhe atë publike bëhen yje kryesore mediatike të lansuara nga pushteti, për shkak se ato pozita dhe ato punë, nën diktatin e tillë, praktikisht nuk dëshironte të pranojë asnjë gazetar  profesionisht dhe i njohur deri atëherë. Kur statistë dhe avanturistë të ndryshëm i fituan terminet qendrore në televizionet proqeveritare dhe në faqet kryesore të gazetave, bujarisht të ndihmuar dhe të stimuluar nga pushteti i regjimit, i cili futi dënime drakonike në shuma milionëshe, dënime me burg dhe arrestime, ndodh ekzodi total i medieve dhe i gazetarëve profesionalë. Reklamimi korruptiv dhe selektiv, gjegjësisht futja e doktrinës së varësisë ekonomike nga reklamuesi më i madh në vend – qeveria dhe partia në pushtet, dha rezultate të shkëlqyeshme për Gruevskin dhe koalicionin e tij. Regjimi u instalua në të gjitha sferat e pushtetit.

LINÇ PUBLIK “KOLEGIAL”

Ajo që ishte sinonim i gazetarisë së lirë sipas të gjitha kuteve edhe në Maqedoni edhe në gjithë botën, e ajo është që puna e qeverisë të analizohet në mënyrë kritike edhe atë veçanërisht keqpërdorimet e pushtetit, te ne u shndërrua në akt armiqësor. Gazetarët dhe redaksitë, që vazhduan t’i ndjekin standardetv profesionale pas vitit 2008, i janë nënshturar goditjes dhe presionit të fortë nga ana e kolegëve tyre – propagandistëve partiakë, të cilët publikisht dhe në mënyrë të turpshme, të paparë deri tani, i shpallën kolegët e tyre për tradhltarë të atdheut dhe për mercenarë të huaj dhe të Greqisë. Të ndjekur nga gjykatat dhe policia partiake, gazetarët dhe redaksitë e pakta që nuk pajtohen me këtë terror mbi gazetarinë u gjetën në një situatë, pothaujse pa rrugëdalje, nga njëra anë të shkatërrohen ekonomikisht me dënime shumë të mëdha dhe nëpërmjet embargos për reklamim edhe nga kompanitë shtetërore edhe ato private, e poashtu nga ana tjetër, me vite të anatemohen si tradhëtarë dhe armiq të vendit. Në një situatë të këtillë të mundimshme dhe në një ambient të një vilajeti të errët, lavdërimi i qeverisë dhe i politikave qeveritare, i personazhit dhe i veprës së udhëheqësit u bënë sinonim i gazetarisë së mirë dhe të guximshme dhe punës shumë të levërdishme.

Për herë të parë në historinë bashkëkohore të Maqedonisë në mënyrë të mbrapshtë janë vendosur standardet për atë se çka është gazetari e mirëfilltë, e lirë dhe profesionale. Jo se nuk ka pasur presione dhe keqërdorime të medieve edhe më parë dhe përdorim të tyre për qëllime partiake, mirëpo kjo që ka ndodhur, as është parë e as është dëgjuar në Maqedoni. Gjithmonë kur presionet e jashtme do të ndjeheshin nëpër redaksi, në vetë shtëpitë e lajmeve dhe në çarshi fillonte një debat i rëndë, i cili për ushtruesit e presionit ishte turp i madh. Mirë i dinim edhe redaktorët dhe gazetarët që kishin dinjitet dhe guxim t’u kundërvihen sulmeve të këtilla, të cilat, shikuar nga aspekti i sotëm, janë lojë fëmijësh në krahasim me atë që ndodh sot. Nëse atëherë protesta dhe rezistenca kanë mundur të shprehen me heshtje dhe mosnënshkrim të tekstit nga ana e gazetarëve, ose me dënim publik në medie të tjera pa pasur pasoja për ekzistencën, sot kjo nuk mund të paramendoeht. Edhe si gazetar, edhe si kryeredaktor, edhe si pronar i medieve, di me qindra situata kur në kolegjiume jemi kapur për fyti për qëndrime dhe për tekste që janë publikuar pas zënkave dhe diskutimeve të mëdha. Ma thoni se në cilën redaksi sotë mund të ziheni me kryeredaktorin, me drejtorin dhe me pronarin për tekstin tuaj dhe për këtë të mos keni asnjë problem. Unë nuk mund t’i numëroj as në gishta e një dore. E ju?

“RUAJU, SEPSE DO TË DUHET TË TË SJELLIM CIGARE!”

Prandaj edhe na ndodh në një ambient dhe atmosferë të këtillë që një numër i vogël profesionistësh, redaktorësh dhe gazetarësh, që e punojnë punën e tyre në mënyrë normale dhe siç duhet, me të gjitha rregullat dhe normat, gjithnjë e më shpesh t’i pyesin njerëzit me zë të ulët: Ty akoma nuk të kanë arrestuar, ki kujdes, sepse këta nuk zgjedhin mjete. Ruaju, sepse do të duhet të të sjellim cigare. Shakatë e mëparshme në socializëm në këtë temë, sot janë bërë e vërtetë e trishueshme. Kriteret e këtilla për nivelin e lirisë dhe të demokracisë i tejkalojnë korniza e medieve dhe të gazetarisë dhe janë pasqyrë e vërtetë e gjendjeve shumë më të rënda në shoqërinë e Maqedonisë. Ky është vetëm kulmi i primitivizmit, i shprehur nëpërmjet çudisë se si disa njerëz nuk janë në burg, e e kritikojnë pushtetin. Nuk ka pasqyrë më të mirë se sa kjo pyetje deri te e cila kemi ardhur. Disa telallë të Gruevskit për çdo ditë bëjnë thirrje për linç dhe për arrestime, duke proklamuar publikisht se këtë të drejtë e japin rezultatet zgjedhore. Këtë të drejtë e kishte edhe Sllobodan Millosheviqi edhe Franjo Tuxhmani edhe Orbani edhe Erdogani edhe Putini edhe Janukoviqi, të mos shkojmë më tutje në histori. Të gjithë ata disa herë fituan mbështetje në zgjedhje të drejta, paqësore dhe të lira. Kur bien nga pushteti kanë një karakteristikë të përbashkët për shërbëtorët e tyre: të gjithë ata me zë të madh bërtasin se ata nuk e kanë ditur se sa monstruoz ka qenë udhëheqësi dhe si janë bërë gjithë ato të zeza.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button