Partitë shqiptare i zyrtarizuan bartësit e listave zgjedhore (VIDEO)

Pas zyrtarizmit të bartësve të listave zgjedhore nga Lëvizja BESA, u plotësua mozaiku i bllokut të partive shqiptare me garuesit e tyre në gjashtë njësitë zgjedhore dhe në atë të diasporës, shkruan Portalb.mk.

Gara më e “nxehtë” mes partive politike shqiptare do të zhvillohet në njësinë zgjedhore numër gjashtë, në të cilën do të përballen krerët e BDI-së, Ali Ahmeti, PDSH-së, Menduh Thaçi, LR-PDSH-së, Ziadin Sela dhe Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Në njësinë zgjedhore numër një, nga BDI do të jetë Bartës liste, Artan Grubi, nga PDSH, Idriz Orana, nga BESA Zekirja Ibrahimi, ndërkaq nga UNITETI, Zulfi Adili.

Në njësinë numër dy bartës liste nga radhët e BDI-së do të jetë Ejup Halimi, kundër tij, nga PDSH, do të jetë Orhan Ibrahimi dhe ai i Lëvizjes BESA Afrim Gashi, ndërkaq LR-PDSH, UNITETI dhe RDK-ja e Vesel Memedit, deri në mesnatë do të vendosin për garuesin e tyre.

Në njësinë zgjedhore numër tre, nga radhët e partive shqiptare, do të përballen vetëm partitë BDI me Nafi Durmishin dhe PDSH me Sami Rushitin, ndërkaq njësia numër katër do të ketë vetëm një bartës liste nga partitë shqiptare, Artin Spahiun e BDI-së.

Bartës liste në njësinë numër pesë nga radhët e BDI-së do të jetë, Agim Shaqiri, i PDSH-së është Ardian Huseini, LR-PDSH-ja e ka zyrtarizuar Syrja Rushitin si bartëse të listës, ndërkaq Lëvizja BESA, anëtarin e saj të ri, Arben Labënishti.

Tani për tani, njësia numër shtatë, apo ajo e diasporës, do të përfaqësohet nga partitë shqiptare vetëm nga kandidati i BDI-së, Xhevdet Spahiu, transmeton Portalb.

Përndryshe, në mesnatë përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 11 dhjetor. Partitë politike, përveç VMRO-DPMNE-së, në opinion i publikuan bartësit e listave për gjashtë njësitë zgjedhore, por tani për tani asnjëra prej tyre nuk ka dorëzuar lista deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Listën zgjedhore KSHZ-ja duhet ta nënshkruajë më 27 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button