Bardhi: Do të japim maksimumin kundër Spanjës

Reprezentacioni i Maqedonisë është grumbulluar në Shkup për ndeshjen e radhës kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, ndërsa për kundërshtarë do të ketë reprezentacionin që për momentin mban pozitën e 10 në renditjen botërore, e ajo është superfuqia Spanja.

Por përkundër faktit se Spanja është favorite, seleksionuesi Igor Angellovski ka ndërmarr një hap shumë të madh, për të filluar ndërtimin e një ekipi me futbollist të rinj, duke ftuar plot tetë futbollistë nga reprezentacioni U21, ata të cilët bënë historinë, që për herë të parë futbolli i Maqedonisë të jetë në një ngjarje finale, siç është Kampionati Evropian “Poloni 2017”.

Në mesin e atyre që po shkëlqen, si në reprezentacionin e Maqedonisë U21 ashtu edhe me ekipin e tij Ujpest që garon në ligën e parë të Hungarisë, është Enis Bardhi. Portalb e ka kontaktuar Bardhin, duke mësuar se sa është i kënaqur që nga U21, tani më është pjesë e ekipit senior të Maqedonisë.

“Sigurisht se jam shumë i kënaqur, duke ditur se këtu ka lojtare të mëdhenj si Pandevi, Hasani etj. Normalisht që është një ndjenjë mjaft e mirë të luash së bashku me këta lojtarë dhe sidomos kundër një Spanje shumë të fortë”, ka thënë për Portalb shtatshkurtri eksploziv Enis Bardhi.

Spanja e cila është kryesuese e tabelës ka aspirata që kështu të vazhdojë deri në fund, pasi si konkurrent kryesor ka italianët, andaj në këtë përballje ata janë favorit absolut, ndërsa Maqedonia deri më tani nuk ka marrë as edhe një pikë,

“Normalisht që Spanja është favorite, por ne do të japim maksimumin në këtë ndeshje, andaj  shpresoj që të gjithë të tregohemi të gatshëm, pasi e dimë për çfarë kundërshtari bëhet fjalë dhe ashtu sikur Italisë, do të luajmë edhe ndaj Spanjës. Duhet vetëm besim dhe angazhim maksimal, pasi jemi një reprezentacion i ri tani me këta lojtarë, por që duhet të punojmë dhe të arrijmë pjekuri në këtë nivel”, shtoi Bardhi.

Në vazhdim djaloshi nga Shkupi ka folur lidhur me atë se si do ta shfrytëzontë shansin nëse do të futej në formacion.  “Nuk e di, sigurisht se do të isha mjaft i lumtur të luaj kundër një Spanje që ka në përbërje mund të them një ndër lojtarët më të mirë në botë. Normalisht emocionet janë prezent, por do të tentoj të jap maksimumin në fushë, aq sa minuta do të marr, do te jetë një eksperiencë e mirë të cilën e pres me padurim”, ka përfunduar Enis Bardhi, i cili ka treguar formë të shkëlqyer në ekipin e tij Ujpest, ku përsëri në ndeshjen e fundit kishte shënuar gol.

Të përkujtojmë se ndeshja Spanjë – Maqedoni luhet të shtunën (12.11.2016), ndërsa reprezentacioni i Maqedonisë sot do të ketë stërvitjen e fundit në Shkup, pasi të enjten nisen për në Granadë, ku edhe do të luhet ndeshja kualifikuese për KB Rusi 2018. /Portalb.mk/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button