fbpx

Katër vite luhet me fjalë për shkollën në Vizbeg, banorët skeptikë ndaj deklaratës së ministrit Lutfiu

Lagjja e Vizbegut në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore, kështu kishte paralajmëruar kryetari i komunës së Butelit, Petre Llatinovski qysh në vitin 2012Ai madje tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

“Shpresoj që plani detal urbanistik, sipas të gjitha standardeve do të kalojë nëpër disa faza. Sipas përvojës që kemi dhe në bazë të angazhimeve që do t’i kemi të gjithë, afati i miratimit të tij, do të marrë të paktën 6 deri në 7 muaj.Pastaj e bëjmë projektin për vendin ku do të ndërtohet shkolla, e cila shpresoj se në një të ardhme shumë të afërt, nëse do të sigurojmë mjete, do të fillojë të ndërtohet”, tha Petre Llatinovski, kryetar i Komunës së Butelit.

Mirëpo edhe pas katër viteve nuk ka asgjë të re sa i përket ndërtimit të objektit të ri shkollor në Vizbeg.

Në vitin 2014 nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët, por deri më tani nuk është bërë as njëra e as tjetra.

“Faza për ndërtimin e objekteve shkollore në këtë fshat është në fazën e detajizimit urban dhe së shpejti pritet të përfundojë, mirëpo ne jemi duke ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ në lagjen e Butelit e cila parashikohet të përfundojë në shtator të këtij viti. Komuna fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë”, tha aso kohe, Snezhana Klinçarova, zëdhënëse e komunës së Butelit.

Gjithashtu edhe në vitin 2016 pjesë e projekteve të kësaj komune ishte edhe ndërtimi i kësaj shkolle por sërish asgjë nuk u ndërmorr.

Kurse tani para disa ditësh ministri i arsimit Pishtar Lutfiu premtoi se në 2017 do të fillojnë punimet në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Vizbeg, mirëpo banorët shprehen skeptik sa i përket kësaj çështje duke pasur parasysh se tani gjendemi në një periudhë parazgjedhore.

“Po e dëgjuam premtimin e ministrit, por kjo shkollë premtohet tani më një kohë të gjatë dhe nuk është bërë asgjë, nuk besojmë që edhe vitin e ardhshëm do bëhet diçka kështu vetëm na thonë”, tha Faik T., banor.

“Tani janë zgjedhjet e hajde zini besë politikanëve. Pse nuk e bënë deri më tani, kishin kaq shumë vite në pozitë dhe në dispozicion për të bërë këtë shkollë, por jo i ruajnë bonuset para zgjedhjeve”, tha Ali R., banor.

“Jemi mësuar me gënjeshtjra. Prap themi që inshalla është e vërtëte, mirëpo duke e pasur parasysh përvojat e mëparshme, nuk mbajmë shumë shpresa”, tha Arta T., banore.

“Kemi nevojë për shkollë, lusim autoritetet që mos tallen me neve po tu mundësojnë fëmijëve që të kenë shkollë në lagje dhe jo të udhëtojnë çdo dit, sidomos ata që janë në moshë më të vogël. Është turp që po veprohet kështu, vetëm në lagjet shqiptare ndodh kjo”, tha Omer R., banor.

Derisa organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë, 800 nxënësit shqiptar të lagjes Vizbeg të Shkupit mbeten të detyruar të ecin çdo ditë në këmbë 4 kilometra për të arrit tek shkolla fillore ’26 Korriku’ në Shutkë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button