Biografia jetësore profesionale dhe qëndrimet konsekuente si dëshmi e integritetit dhe kredibilitetit politik

 

Fillimi i fushatës parazgjedhore koincidon rregullisht me rreshtimin e forcave protagoniste dhe të aspirantëve për përfaqësim politik dhe për fitimin e zemrave dhe besimit të elektoratit gjegjësisht zgjedhësve, si gjithkund në botë. Në situata të tilla është i pashmangshëm edhe ashpërsimi i retorikës dhe eskalimi i saj në fjalor ofendues dhe denigrues të figurave kryesore në skenën politike shqiptare. Mungesa e ideve dhe ofertës së vizionit politik shpesh zëvendësohet me fraza boshe dhe përsëritje të ideve të cilat mbijetojnë me dekada në luftën politike dhe të cilat veçse na përkujtojnë për dështimin e tyre në zgjidhjen e çështjeve të hapura politike ndërnacionale, që si pasojë e vë në plan të dytë, garimin e partive politike në drejtim të avancimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Mungesa e kulturës dhe etikës politike në përzgjedhjen e fjalorit propagandistik vetëm e dëshmon largësinë nga kultura institucionale perëndimore dhe vlerat e mirrëfillta të demokracive perëndimore europiane, pjesë e të cilave aspirojmë të bëhemi në të ardhmen. Janë të kota vizitat e shpeshta diplomatike të përfaqësuesve të politikës perëndimore europianë dhe insistimi i tyre i vazhdueshëm për etablimin e standardeve të mirrëfillta në udhëheqjen e institucioneve shtetërore edhe vendosjen e marrëdhënieve korrekte në luftën politike zgjedhore.

Vlerat demokratike dhe parimet e përgjithshme të drejtësisë si liria e shprehjes së fjalës, ndarja e pushteteve, sundimi i ligjit gjegjësisht siguria juridike dhe barazia e të gjithëve përpara ligjit, qofshin ata edhe bartës të funksioneve më të larta shtetërore, janë bazamenti i ndërtimit të demokracive perëndimore, edhe pse në shikim të parë duken shumë të thjeshta dhe lehtësisht të zbatueshme.

Demaskimi i tejkalimit të kompetencave të bartësve të funksioneve më të larta shtetërore e zbuloi një fakt shumë tronditës për qytetarin e thjeshtë por të emancipuar, i cili e kuptoi realitetin e hidhur se përfaqësuesit e tyre politikë më shumë kishin qenë të interesuar për përfitime ekonomike dhe pasurimin e tyre me përmasa marramendëse, se sa për përmirësimin e standardit të përgjithshëm ekonomik të të gjithë qytetarëve, që në fakt duhej të ishte interesi i tyre primar dhe për çka ata ishin zotuar se do të angazhoheshin.

Një skandal i tillë me përmasa enorme në vendet demokratike perëndimore do të ishte ndëshkuar menjëherë nga opinioni publik i vendit, i cili do t’i kishte detyruar të njëjtit të jepnin dorëheqje të parevokueshme në sajë të përgjegjësisë së tyre morale dhe politike.

Për fat të keq, një vetëdije e tillë e lartë qytetare politike në vendet ballkanike jo që s’e ka ndër mend të shfaqet në horizont, por përkundrazi, kjo dukuri po pranohet si diçka normale, duke u pajtuar me realitetin me arsyetimin se ata të mëparshmit nuk kanë qenë më të mirë, se edhe ata kanë vjedhur por vetëm për vete, ndërsa “këta vjedhin, por na japin nga pak edhe neve”.

Pra, oferta dhe kërkesa politike dhe ekonomike është shumë e ulët, prandaj edhe vetëdija politike dhe standardi jetësor është njësoj i ulët. Dhe kjo nuk është e rastësishme, pasi fundja sa kemi kërkuar, aq edhe kemi merituar. Mbasi akoma nuk i marrim seriozisht zgjedhjet dhe nuk kërkojmë llogari nga pushtetarët për atë pse s’i kanë realizuar premtimet e tyre dhe si pasojë nuk i ndëshkojmë ata me mosdhënien e miratimit dhe autorizimit për të na përfaqësuar më tej, ne bëhemi me automatizëm bashkëpjesëmarrës dhe bashkëfajtorë për situatën në të cilën ndodhemi.

Nëse pastaj menjëherë pas zgjedhjeve bëhemi pishman, dhe fillojmë të vajtojmë për gabimin e bërë, kjo nuk na bën më pak të paskrupullt se ata që vazhdimisht na mashtrojnë, pasi që edhe ne nuk jemi tashmë të pafajshëm dhe s’mund të hiqemi si viktima, në rastet kur na konvenon të udhëhiqemi nga interesat momentale personale dhe familjare apo lokaliste, dhe jo nga interesat e përgjithshme nacionale.

Një popullatë me vetëdije të lartë politike dhe me aspirata proevropiane dëshmohet pikërisht në kohën e zgjedhjeve. Zgjedhësit me kërkesa te larta politike nuk do të lejonin kurrë që partitë politike të garonin me njerëz anonimë për rrethin ku jetojnë, por me individë të dëshmuar për kontributin e tyre personal, jo vetëm në rrafshin profesional edhe nacional, por edhe ekonomik, në mënyrë që ata në të ardhmen të mos bien pré e sprovave jetësore të pasurimit të menjëhershëm.

Ata që pretendojnë të merrem me politikë duhet paraprakisht të kenë qenë së paku të aftë ta kenë siguruar një standard modest mesatar për familjet e tyre, pasi që fundja, nëse ata nuk kanë qenë të aftë të sigurojnë bukën e familjes, kush na garanton se ata do të bëjnë më tepër për të tjerët dhe për shoqërinë.

Nuk është rastësi që në politikën perëndimore ekziston një rregull i pashkruar i ‘cenzusit’ ekonomik, sepse jo secili është i aftë të udhëheqë me shoqërinë, por duhet të ketë dëshmuar paraprakisht se ka qenë i zoti i vetvetes dhe i familjes, që pastaj të ketë marrë guximin të bëhet i zoti i mahalles, katundit apo qytetit ku jeton.

Biografia e tij personale dhe aftësia e tij për të depërtuar në jetë apo për të bërë biznes janë kushti kryesor për të dalë vullnetar për të udhëhequr me të tjerët, edhe atë në bazë të meritokracisë, duke i ngjitur shkallët e suksesit që nga këshilli komunal, në mënyrë që pastaj të bëhet pjesë e parlamentit, senatit apo një sektori të administratës shtetërore.

Në trojet e Ballkanit tashmë është bërë zakon që, në emër të rinisë dhe forcave të reja, punësimi i parë i një të riu të jetë marrja e postit të ministrit, dhe falë mospërvojës së tij, përkundër vullnetit të tij të mirë, pastaj të shndërrohet në një person të vetëpëlqyer dhe të pazëvendësueshëm, që duhet të pasurohet sa më shpejt, dhe ta ruaj atë pasuri me çdo kusht dhe me çmimin e shkeljes së ligjit në çdo hap dhe pa u hamendur fare.

Është koha e fundit pra t’u jepet shansi profesionistëve dhe afaristëve të suksesshëm dhe me qëndrime konsekuente politike, që janë dëshmuar si individë me integritet dhe kredibilitet personal dhe që kanë arritur të krijojne pasuri me djersën e ballit, me çka kanë arritur të sigurojnë bukën jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për familje të tjera. Fundja, ligjet e ekonomisë së tregut janë të pamëshirshëm për të gjithë dhe aty mbijetojnë më të aftët, dhe pikërisht këtu qëndron garancia për aftësinë e tyre profesionale për të siguruar vende të reja të punës dhe për zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi.

Dëshira e tyre për të dhënë kontribut në sferën e politikës ekonomike duhet motivuar, me respektin që do t’u jepet atyre me dhënien e besimit për të na përfaqësuar, duke qenë të sigurt se ata nuk do të ‘shiten lirë’ për heshtjen dhe pasivitetin e tyre, por përkundrazi do të duan të dëshmohen dhe do të përpiqen të sigurojnë ambient më të volitshëm në shoqëri si për bizneset e tyre në nivel lokal, ashtu edhe për ekonominë nacionale, si garant për sigurimin e tregjeve të reja dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Pra, freskimi i radhëve të tyre vetëm me fytyra të reja nuk është i mjaftueshëm, sepse ato fytyra nuk duhet domosdoshmërish të jenë të reja nga mosha, por të reja në kuptimin e fytyrave të pakonsumuara politikisht, por ama të vjetra dhe të njohura për nga përvoja profesionale dhe sukseset e dëshmuara në jetën ekonomike.

Urojmë që një risi e tillë do të vijë në shprehje në këto zgjedhje dhe elektorati të mos ketë arsyetim t’i shmanget përgjegjësisë që i takon në drejtim të shpërblimit të të merituarve dhe të ndëshkimit të të dështuarve dhe të pamerituarve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button