Kryetari i Gjykatës Penale, Pançevski: Nuk më kujtohet të kem ndikuar te gjykatësit

Kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, është i habitur se do ta padisë kolegu i tij për ndikim ndaj vendimit gjyqësor. I pari i cili guxoi që të paraqesë padi penale kundër Pançevskit është gjykatës Ivan Xholev nga e njëjta gjykatë. Xholev për NOVATV konfirmoi se padia penale tanimë është e dorëzuar në Prokurorinë Themelore, por për shkak të situatës senzitive, nuk do ta zbulojë identitetin e gjykatësit, por as s’do t’i tregojë inicialet e tij. Por, ka theksuar se për veprën në fjalë është e paraparë dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet, njofton Portalb.

Mediat publikuan se bëhet fjalë për kryetarin e Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski. Megjithatë, ai thotë se nuk do të komentojë asgjë derisa nuk do ta shohë padinë penale. Por, është i habitur se, pse, ndonjë gjykatës do ta kishte paditur atë.

“Nëpërmjet mediave e dëgjova këtë. Nuk e kam të qartë çfarë është puna. As nuk i shoh arsyet për diçka të tillë dhe nuk besoj se është për mu paraqitja. Nëse do të ishte ashtu, atëherë paraqitja do të ishte kundër kryetarit të gjykatës penale, dhe jo kundër gjykatësit, ashtu sikur ishte e publikuar nëpër media”, deklaroi Pançevski.

Ai shtoi se nuk i kujtohet se ka pasur ndonjë situatë, kur ai ka ndikuar te ndonjë gjykatës, kolegë të tij, për vendosjen për paraburgim ose kur kanë sjellë aktgjykim.

“Gjatë kohës së fundit shohë shumë akuza të pabaza, vijnë nga të ashtuquajturit ekspertë nëpër media, veçmas shpesh edhe nga avokati Tortevski, për atë vazhdimisht u them që nëse ka dëshmi për ndikimin tim ndaj punës së gjykatësve lirisht le t’i publikojnë”, shton Pançevski, transmeton Portalb.

Kryetari i Gjykatës thotë se ai punon profesionalisht, por se vazhdimisht është në shënjestër të disa gazetarëve dhe mediave të cilët sipas tij, kanë bërë spektakle dhe se Gjykata është bërë institucion për qërim hesapesh në aspektin politik.

Vlladimir Pançevski, tanimë 4 vjet është kryetar i Gjykatës Penale dhe mandati i tij kalon një javë para zgjedhjeve, gjegjësisht më 4 dhjetor, me mundësi që të rikandidohet edhe një mandat. Listës pronësore të dorëzuar deri te Komisioni për Antikorrupsion ai është gjykatësi më i pasur, apo gjegjësisht pasuria e tij vlen mbi 1 milion euro. Ai në funksionin e kryetarit të Gjykatës e mori në vitin 2012. Në të ashtuquajturat “bomba”, apo materiale të bisedave të përgjuara të cilat i publikoi LSDM, mund të dëgjohej se çdo gjykatës për t’u emëruar, patjetër duhej të jetë në “fletoren” e ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska.

Gjykata Penale nga ana tjetër i ka refuzuar thuajse të gjitha kërkesat e Prokurorisë Speciale Publike, për kujdes, paraburgim, ekspertizë të lëndëve, urdhër për bastisje, ndryshim të gjykatësve etj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button