Trafikimi i emigrantëve, problem ballkaniko-perëndimor që kërkon koordinim

Trafikimi i migrantëve përgjatë rutës ballkanike vazhdon të shqetësojë vendet e rajonit.

Në Ballkan vazhdojnë rastet e ndryshme të maltretimit të emigrantëve, ndërsa është shumë e vështirë për t’u kapur dhe dënuar trafikuesit. Kjo u konstatua në konferencën rajonale të OSBE-së në Shkup me temë “Promovimi i sinergjive dhe qasjes së përbashkët në përballjen me tregtinë e njerëzve përgjatë rutës ballkaniko-perëndimore të migrantëve”, raporton RTVM2.

Pjesëmarrësit janë të mendimit se zbulimi i hershëm dhe menaxhimi i përbashkët do të mund të japin rezultate të mira kundër trafikimit të migrantëve.

“Qasja jonë është fokusuar tek viktimat, t’i ndihmojmë emigrantët gjatë transitimit të tyre përgjatë rutës ballkanike, t’i edukojmë ata se si mund të dalin nga grackat e trafikuesve dhe normalisht t’i nxjerrim kryerësit e këtyre veprave përpara organeve gjyqësore”,- deklaroi ambasadori i misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen.

“Numri i emigrantëve është i madh dhe të mëdha janë edhe problemet, ndërsa numri i trafikuesve të emigrantëve të kapur ose të dënuar është shumë i ulët. Vlerësoj se pa u kundërshtuar bashkërisht ne nuk mund të presim rezultate të mëdha për çështjen e emigrantëve”,- theksoi koordinatorja e OSBE-së kundër trafikimit të njerëzve, Madina Jarbussznova.

“Ne patjetër do të duhet të gjejmë mënyra dhe praktika më të mira për të zgjidhur këtë problem. Ne e kemi për detyrë t’i ndihmojmë emigrantët gjatë transitimit të tyre përgjatë rutës ballkanike, sepse po bëhet fjalë për jetë njerëzish”,- theksoi anëtarja e Parlamentit të OSBE-së, Margarita Cederfullt.

Edhe Maqedonia këtë vit ka regjistruar disa raste të trafikimit të emigrantëve. Për këtë arsye në këtë konferencë u mbështet deklarata e përbashkët e koordinatorëve nacional të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër trafikimit të njerëzve.

“Prej fillimit të këtij viti në Maqedoni kemi pasur katër viktima të trafikuesve të emigrantëve dhe 35 të tjera viktima potencialë. Mesazhi im që unë dua të përcjell për viktimat eventualë është se ata kanë mbështetjen tonë kudo që do të takohen nga organet shtetërore, ndërsa trafikuesve të emigrantëve do t’u kisha thënë se do të dënohen konform Ligjit për trafikim të njerëzve në vendin tonë”,- theksoi koordinatorja  për luftën kundër trafikimit të njerëzve, Sanja Dimitrievska.

Pjesëmarrësit mbështetën deklaratën e përbashkët të koordinatorëve nacional të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër trafikimit të njerëzve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button