Mbamendja kolektive dhe harresa

Çfarë mbajmë në mend ne nga e kaluara (ne si popull shqiptar këtu në Maqedoni), përveç gjuhës? A ka personalitete dhe ngjarje të mëdha historike me të cilat identifikohemi? Cilat janë ato ngjarje e personalitete me të cilat krenohemi. Cilat janë ato ngjarje dhe personalitete që na bashkojnë? Përgjigjet në këto pyetje janë dëshpëruese. E para, ne nuk mund të flasim për një mbamendje kolektive, të tillë siç e kanë popujt tjerë. Po a ka personalitete dhe ngjarje historike me të cilat do të kishim mundur të identifikohemi e të cilat do të kishin mundur të na bashkojnë. Përgjigjja është: gjithsesi se ka. Ka madje shumë. Atëherë, pse na i ka gllabëruar harresa këto ngjarje e këto personalitete? Pse mbamendja jonë kolektive është aq e zbehtë, sa mos të themi se nuk ekziston fare?

Shkrimtari i njohur, Orueli ka thënë se ai i cili e kontrollon të kaluarën, përkatësisht ai që manipulon me traditën, realisht e kontrollon edhe të tashmen dhe të ardhmen e popullit. Dhe, kjo është edhe përgjigjja pse është fshirë nga shiriti aq i rëndësishëm i “arkivit” tonë  kolektiv ajo që duhet të ruhet  e që e mban  bashkë një popull.

Po të pajtohemi me mendimin e këtij shkrimtari të madh, e s’kemi si të mos pajtohemi, do të vemë në dukje se ne kemi kaluar shumë shekuj në robëri të plotë dhe nëpër regjime të cilat e kanë ushtruar mbi ne harresën e detyrueshme, të dhunshme. Le ta kujtojmë pushtetin shekullor romak, pushtetin shekullor bizantin, pushtetin e gjatë të Nemanjiqëve, pushtetin shekullor osman, dhe pushtetin e gjatë një shekull të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Kjo është një periodë e gjatë në të cilën janë bërë përpjekje që neve të na mbulojë një shtresë e trashë e amnezisë. Dhe, jo pa sukses. Regjimet gjithmonë e kanë pasur mundësinë që përmes institucioneve ta përvetësojnë të drejtën e kontrollit të mbamendjes kolektive. Ata e kanë drejtuar religjionin, në duart e tyre kanë qenë arsimi, në duart e tyre ka qenë propaganda dhe të gjitha instrumentet e kontrollit e të dhunës. Popullit tonë i ka mbetur vetëm pasuria kulturore e popullit e ruajtur në mite, në letërsinë gojore, në zakone, veshëmbathje, punë dore, muzikë, shprehje figurative. I ka mbetur edhe gjuha, me të cilën i ka bërë ballë amnezisë kolektive.

Pushtuesit shekullorë  nuk e kanë ndalur dhunën mbi ne me qëllim që të harrojmë kush jemi dhe janë përpjekur që të  “arkivojmë” në mbamendjen tonë kolektive ngjarje dhe personalitete që do të na tëhuajsonin nga rrënja, nga origjina, nga zanafilla, që do të na tjetërsonin dhe do të bënin  të tretemi në botën e huaj të pushtuesit, si kripa në oqean.

Populli ynë e ka pasur fatin e keq që të gjendet në udhëkryqin ku ndeshen dy botëra që kanë qenë në luftë thuajse të pandërprerë e me shekuj: midis lindjes e perëndimit. Dhe, cila do fuqi që e ka vënë këmbën e rëndë të pushtimit mbi ne gjithmonë na i ka imponuar formulat e mendimit duke prekur dhe duke brejtur ngapak vlerat e traditës.  Dalëngadalë dëmi është bërë më i madh e më i madh deri në momentet kur fati jonë bie në duart e Serbisë, në vitet 12/13 të shekullit të kaluar, që pastaj presioni mbi vlerat e traditës sonë të vazhdojnë me forcë më të madhe me decenie të tëra, në mënyrë që të arrihet amnezia e plotë gjë që do të ishte e barabartë me asimilimin. Ky  pushtet totalitar e arriti kulmin e presionit mbi mbamendjen tonë kolektive gjatë historisë sonë mijëvjeçare. Me decenie e decenie njerëzve tonë u imponohej që në hapësirat e mbamendjes kolektive të kenë vendet më të rëndësishme ngjarjet që lidhen me “heronj të së kaluarës serbe”, me Nemanjiqët e hajdutët, me mitet e ndryshme sllave. Kështu në të vërtetë rritej harresa në vend të mbamendjes.

Ky pushtues ia mori dhunshëm popullit tonë të drejtën e arsimit, të kulturës, ia mori plotësisht lirinë. Megjithatë populli ynë nuk u dorëzua, ndonëse pjesa dërmuese jona u dëbua në Turqi, ku u arrit amnezia e plotë. Ajo pjesë që mbeti, u tërhoq nëpër fshatrat e veta ku i ruante zakonet si dasma  e rite, u strehua në odat e veta, duke i shndërruar ato në simposione dhe në institucione ku ruhej kënga e lojërat popullore, u vendos në ato kënde ku ruhej identiteti dhe nuk i dha deri vonë këto vlera.

Edhe kjo kohë e regjimit të Serbisë përfundoi dhe Jugosllavia mbaroi në skutat e harresës historike, kurse ne u gjetëm në njërin nga fragmentet e këtij shteti, në Maqedoni, e cila si, shumë fragmente të tjera u pavarësua. Ne shqiptarët pritëm shumë, se do të kemi një rilindje kombëtare në shtetin e ri. Fatkeqësisht nuk u bë ndonjë ndryshim i madh. Sa i përket mbamendjes mund të themi se po ndodhin tërmete të mëdha kulturore në të cilat rrënohet mbamendja jonë dhe brenda hapësirave ku ruheshin dikur me fanatizëm vlerat kombëtare, sot na imponohen vlera tallava “historike” të personifikuara në përmendore antike dhe në tekste shkollore  të cilat kanë për qëllim përjashtimin tonë të plotë nga historia.

Tash, përveç këtyre që u thanë, ne po përballemi me paradokse të ndryshme. Sot i kemi partitë tona, po kurrsesi s’ia dalim të jemi pjesë e pushtetit, ne kemi njerëz në krye të institucioneve, por ne nuk ia dolëm ta kemi mbrojtjen institucionale të kulturës sonë dhe nuk u bëmë dot pjesë e atyre institucioneve të cilat do të bënin që mbamendja kolektive e këtij vendi të ketë figura të mëdha historike të këtyre anëve siç janë Dervish Cara, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Murat Isaku e shumë të tjerë.  Mirëpo kontrollimi i mbamendjes ndikon në kierarkinë e fuqisë, e cila i dikton metodat për tjetërsimin dhe zhbërjen tonë kombëtare përmes harresës. Ne nuk kemi hise në këtë fushë. Këtë s’e duan ata njerëz të cilët e kanë marrë besimin tonë të na përfaqësojnë.

Lere që nuk funksionojnë ato institucione që duhet ta mbrojnë mbamendjen tonë kombëtare, por sot po na rrënohen me shpejtësi edhe folklori dhe gjuha, kurse njerëzit tonë që qëndrojnë në krye të institucioneve rrinë duarkryq dhe shikojnë shkatërrimin e vlerave që duhet të jenë thelbi i mbamendjes sonë kolektive. Shumica e këngëve janë tretur (me përjashtim të një pjese që e kanë mbledhur entusiastët, pa ndihmë institucionale), gjuha po pëson erozion të paparë sepse nuk vilet leksiku, shprehjet, pasuria sintaksore

Ne i kemi historianët, shkrimtarët, gazetarët, arsimtarët dhe njerëzit tjerë të dijes në duart e fatit.  Si krejt popullin. Siç e kemi edhe kulturën. Të pambrojtur.

Kurse partitë i kemi rehatuar. Mbase kemi harruar se janë diku dhe se ua kemi dhënë votën që t’i mbrojnë interesat tona ekonomike, politike dhe kulturore. Që të na e mbrojnë krenarinë, dinjitetin dhe mbamendjen kolektive.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button