Gjykata e Apelit ndërpret seancën kundër Oliver Ivanoviçit

Këshilli Gjyqësor i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme si rezultat i ankesës së mbrojtjes së Oliver Ivanoviçit në verdiktin për krime lufte të cilin e shqiptoi gjykata Themelore e Mitrovicës. Mbrojtja kërkoi tërheqjen nga procesi të gjykatësit Driton Muharemit, ku si pasojë janë ndërprerë punimet deri në vendimin e kryetares së Gjykatës së Apelit lidhur me këtë kërkesë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç në fillim të këtij viti u dënua me 9 vite heqje lirie për krime të luftës të kryera në Mitrovicë në vitin 1999. Mbrojtja e tij ankimoi vendimin me arsyetimin se ky proces gjyqësor është i politizuar.

Gjykatës të Këshillit të sotëm Gjyqësor ishin Ana Bendarek, gjykatëse e EULEX-it dhe Driton Muharemi, nga Gjykata e Apelit ndërsa në cilësi të kryesuesit ishte gjykatësi i EULEX-it Radustin Petrov i cili njoftoi se gjatë muajit shtator janë parashtruar dy kërkesa për tërheqjen nga procesi të Driton Muharemit.

“Në këtë moment nuk kemi marrë një vendim të kryetares së Apelit”, tha gjyqtari kryesues Petrov, duke njoftuar se ajo hodhi poshtë mocionin e mbrojtjes që seanca e Gjykatës së Apelit të mbahet në ndërtesën e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Avokati mbrojtës i Oliver Ivanoviçit, Nebojsha Vlajiç argumentoi kërkesën për tërheqjen e Muharemit duke thënë se e njëjta është e natyrës parimore dhe nuk është personale. “Për shkak të këtyre lëndëve është themeluar misioni i EULEX-it, të gjykojë rastet për shkak përbërjes së ndryshme etnike”, tha Vlajiç.

Prokurori Lars Agren theksoi se mbrojtja nuk ka asnjë argument tjetër përveç arsyeve etnike për përjashtimin e Muharremit.

Edhe avokati i palës së dëmtuar Burhan Maxhuni kundërshtoi mocionin e mbrojtës për shkak se, siç tha ai, ligji nuk parasheh “natyrën parimore” për përjashtimin e gjyqtarit nga procesi.

Seanca e planifikuar më parë për nesër është caktuar për datën 11 tetor, kur duhet të merret vendimi i kryetares së Gjykatës së Apelit.

Njëri nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar, Isa Mustafa tha pas përfundimit të seancës se kërkesa për tërheqjen e gjykatësit Muharemi është e pakuptimtë.

Ndryshe, Oliver Ivanoviçi gjendet në paraburgim që nga data 27 janar 2014.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button