fbpx

АNALIZË: Maqedoni, plane të mëdha investuese – a do të realizohen me kaq para?

 Edhe një vit ambicioz “investues” paralajmërohet me buxhetin e vitit 2017. Sipas projektimeve të reja, vitin e ardhshëm niveli i investimeve kapitale, gjegjësisht atyre shtetërore është projektuar në 432 milionë euro, dhe është njëri nga nivelet më të larta deri tani. Në të njëjtën kohë, në vitin buxhetor 2017 parashihet edhe rritje e bruto-investimeve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Sipas një pjese të ekonomistëve, pritjet në letër nga njëra anë dhe realizimi i tyre nga ana tjetër, janë dy gjëra të ndryshme.

Projektohet shumë – realizohet shumë më pak…

Me buxhetin e ri, për shpenzime kapitale gjatë vitit të ardhshëm janë planifikuar mjete në lartësi prej 432 milionë eurosh, që në krahasim me projektimet e sivjetme buxhetore paraqet rritje prej 71,6 milionë eurosh. Këtë vit, me dy rebalancet e bëra, së pari u shkurtua pikërisht zëri për shpenzimet kapitale, i cili u zvogëlua në 366 milionë euro. Përveç asaj që fillimisht projektohen në nivel të lartë, e pastaj shkurtohen, sipas një pjese të ekonomistëve, problematik është edhe realizimi i shpenzimeve të planifikuara për këtë qëllim.

“Nuk ka gjasa të realizohen investimet kapitale. Kjo nuk ndodhi as vitin e kaluar, nuk do të ndodhë këtë vit, e as që ka për të ndodhur edhe vitin e ardhshëm. Jemi dëshmitarë se kur projektohen shpenzimet kapitale, njësoj sikurse edhe te shpenzimet, ato fryhen që të duken mirë, e pastaj kur nuk mund të realizohen, gjë të cilën qeveria e di që më parë, përsëri trillohen arsye të reja. Investimet kapitale më së shumti realizohen në nivelin prej 40% deri në 50% në raport me atë që është planifikuar”, thotë për Portalb.mk profesori universitar, Vanço Uzunov.

Sipas të dhënave që janë në dispozicion për realizimin e buxhetit, deri në fund të qershorit, gjegjësisht deri në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik, janë realizuar investime kapitale në vlerë prej 128 milionë eurosh, ose vetëm 35% e shumës së planifikuar me rebalancin e fundit.

Kjo praktikë, sipas informatave buxhetore ka ndodhur edhe gjatë viteve të kaluara. Kështu, vitin e kaluar, me rebalancin e buxhetit janë projektuar 361 milionë euro për investime kapitale, ndërsa viti ka përfunduar me realizim prej 303 milionë eurosh.

Investimet kapitale janë të rëndësishme për zhvillimin, mirëpo njëra nga pyetjet është edhe ajo se çka përfshihet në zërin “shpenzime kapitale” thonë ekonomistët, duke theksuar se një pjesë e borxhit të ri është pasojë e realizimit të projekteve joproduktive. Nga qeveria e ardhshme pritet të bëjë Strategji jo vetëm për tre, por për pesë vjet, me të cilën do të definohen saktë targetet fiskale, gjegjësisht kufinjtë e huave të ardhshme qo do të merren me qëllim që të ruhet stabiliteti makroekonomik, konsideron për Portalb.mk profesori universitar Bllagoja Spirkoski.

“Nuk është koha që të përgatitemi për konsolidimim të shpenzimeve, por duhet menjëherë dhe urgjentisht të kalojmë në konsolidim. Ne tani nuk kemi target fiskal, dhe pyetja kyçe është se cili është kapaciteti ynë fiskal për servisimin e borxheve. Me një nivel të këtillë të ngarkesës me borxh, ne ballafaqohemi me një problem serioz të rritjes së shpejtë të bazës tatimore në të ardhmen, për shkak se bëhet fjalë për likuiditetin aktual të shtetit në raport me mundësinë për mbulimin e borxhit publik”, thotë profesori Spirkoski.

Për cilat projekte sa do të harxhohet…

Në propozim-buxhetin për vitin 2017 janë përfshirë projekte të filluara, mirëpo që nuk janë realizuar deri tani, një pjesë e tyre kanë të bëjnë me infrastrukturën, e një pjesë përsëri i përfshijnë ndërtesat e projektit “Shkupi 2014”. “Portalb” publikon një pjesë të projekteve të parashikuara, së bashku me shumat e projektuara për vitin 2017:

Për ndërtesën për Administratë publike, Fakultetin për Arte Dramatike dhe Shtëpinë e qytetit, si dhe për ndërtimin e objektit për nevojat e Entit shtetëror për revizion janë paraparë pothuajse 12,3 milionë euro.

Për modernizimin e Ministrisë për Mbrojtje, me të cilin është përfshirë pajijsja plotësuese teknike dhe lidhja funksionale e sistemeve informatike-të komunikimit, së bashku me blerjen e pajisjeve informatike dhe përmirësimin e nivelit ekzistues të aftësisë ushtarake të ARM-së janë planifikuar 18,2 milionë euro.

Për projektin “ARM-ja – shtëpia ime e vërtetë”, si dhe për rikonstruimin dhe adaptimin e objekteve dhe instalimeve të vjetra, në buxhetin e vitit 2017 janë paraparë 617.886 еuro.

Për projektin “Reforma të policisë” nëpërmjet të të cilave do të mundësohet krijimi i policisë bashkëkohore, sipas standardeve të BE-së, në buxhetin e vitit 2017 janë paraparë pothuajse 8,8 milionë euro.

Për ndërtimin, rikonstruimin dhe pajisjen e institucioneve ndëshkuese-përmirësuese do të harxhohen pothuajse 1 milionë euro.

Për Zonat për zhvillim teknologjik industrial, gjegjësisht për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe për ndërtimin e infrastrukturës themelore të brendshme dhe të jashtme teknike dhe të komunikacionit janë planifikuar 4 milionë euro.

Për shtimin dhe rikonstruimin e ndërtesës administrative të Ministrisë për Transport dhe Lidhje edhe me buxhetin e ri janë paraparë mjete në lartësi prej 2,1 milionë eurosh.

Edhe projekti “Gasifikimi” figuron në buxhetin e ri me mjete të planifikuara prej 31,2 milionë eurosh.

Projekti “Teleferiku”, gjegjësisht për përfundimin e ndërtimit të teleferikut për transportin e njerëzve në shtigje rrethore dhe për objektet shoqëruese janë paraparë 3.215.000 euro.

Për ndërtimin e plazheve në Dojran, Prespë dhe në Ohër, në buxhetin e vitit 2017 janë paraparë 1,3 milionë euro.

Për projektin “Përmirësimi i hekurudhës në Korridorin 10”, për rehabilitimin e hekurudhës në korridorin 8 – drejtimi Kumanovë-Beljakovc, rehabilitimin dhe ndërtimin e hekurudhës së re në Korridorin 8 – drejtimi Beljakovc-Kumanovë, janë planifikuar të shpenzohen 19,3 milionë euro.

Për përkthimin e 500 librave dhe teksteve profesionale dhe shkencore shkollore janë planifikuar 1,6 milionë euro.

Për ndërtimin e Sheshit Skënderbeu janë planifikuar 3,4 milionë euro.

Për kryerjen e punëve ndërtimore dhe për rekonstruimin e objekteve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, është planifikuar të harxhohen 733.000 еuro.

Sipas projektimeve buxhetore, në vitin 2017 pritet edhe rritje e bruto investimeve për 4,5%. Rritja ekonomike sipas parashikimeve të reja do të jetë 3 për qind. Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button