MJERIMI YNË

E  dëgjova edhe këtë: arbëreshët nuk qenkan shqiptarë! Dëgjova me këta veshë se si disa njerëz të cilët e kanë humbur rrugën për shtëpi të vet dhe kanë përfunduar në ASHAM thonë pa fije turpi se nënë Tereza nuk qenka shqiptare! Kam dëgjuar edhe shumë marri të tjera, si bie fjala se shqiptarët nga Kosova na qenkan me origjinë serbe dhe se dikush i paska shqiptarizuar me dhunë, kam dëgjuar plot gjepura si ato të K. Buroviçit (sa keq ndjehem që ma ka vjedhur një vjet duke qene mësues imi i gjuhës shqipe!), kam dëgjuar se gjuha shqipe paska vetëm njëzet e gjashtë fjalë, kam dëgjuar fyerje e fyerje që na janë drejtuar neve të gjithëve nga të katër anët e atyre popujve me të cilët kemi qenë fqinj ose që kemi bashkëjetuar. Kam dëgjuar që grate tona, nënat tona t’i quajnë maqina për lindje, kam lexuar se ne jemi njerëz me bishta, jam takuar me njerëz të cilët na trajtojnë si popull primitiv, njerëz që na shikojnë prej së larti. Edhe sot akademitë e disa vendeve ballkanike na mohojnl çdo gjë të mirë dhe na ngarkojnë me mëkate të cilat vetë i kanë bërë, edhe sot një bulldog me shokë na quan si njerëz të cilët ende nuk e kanë kaluar pragun e organizimit shoqëror fisnor dhe leh: pleme, pleme. Ç’ka s’kam dëgjuar e çka s’kam lexuar keq e më keq për ne shqiptarët.

Na e kanë coptuar hapësirën etnike, na i kanë grabitur shtëpitë me shekuj, na kan rrahzr, na kanë burgosur vazhdimisht, na kanë vrarë sikur të kishim qenë miza, edhe sot na e gërmicin copa-copa hapësirën tonë etnike, arat, malin, detin. Na e kanë grirë, na kanë dëbuar nga vatrat stërgjyshore, Me ne kanë bërë dhe bëjnë çfarë të duan. Na shpërndajnë nëpër Anadoll, në Itali, në Amerikë, nëpër vendet e ndryshme të Evropës, na asimilojnë na zhbëjnë. Pastaj na hedhin në greminën e harresës.

Kurse ne,

Zot i madh, çfarë bëjmë ne?!

Jemi të kënaqur dhe ua dimë për nder pushteteve që marrim frymë dhe vazhdimisht nëpër faltoret tona përsërisim se jemi krenarë që i nënshtrohemi vullnetit të pushtetit e partisë dhe krenohemi me pozitën e njeriut të dorës së dytë, sepse qitapi thënka se zoti është përpara e menjëherë pas tij pushteti (E lavdërojmë dhe i nënshtrohemi, po cili pushtet është e çfarë planesh ka për ne e si sillet me ne, ne nuk e dimë!).

Jemi të ndarë e të përçarë në veri e jug, në shqiptarë e kosovarë, në arbëreshë, shqiptarë të Maqedonisë e të Luginës, në arbërorë e çamë, në arbneshë e shqiptarë të Malit të Zi. Disa thonë “jemi turq, disa latinë, të tjerët grekë e arabë”, disa tash edhe shqiptaroamerikanë. Disa janë me mjekra, të tjerët flasin në gjuhë të huaja. Disa me veshje aziatike, të tjerët të frikësuat. Po shqiptarë të bëhemi njëherë së bashku rreth gjuhës sonë të shenjtë e traditës sonë – nuk bëhemi dot. Ndonjëherë mundohemi të gjithë ta mbrojmë Nënën e Shenjtë Terezë, por fill pastaj myslimanët flasin keq për katolikët nëpër rrjetat shoqërore ashtu siç flasin edhe katolikët për myslimanët, herën tjetër flasim keq për  Skënderbeun ose për Naimin. Dikush çirret publikisht se e jep jetën për një diktator të huaj, tjetri shkon e lufton për kot në një shtet të huaj duke lënë shtëpinë e vetë para rrënimit dhe fëmijët pa bukë. Ka të tillë që u përkulen atyre politikanëve që kanë bërë aq shumë për të na mohuar komb e gjuhë. Pastaj themi se jemi krenarë që jemi shqiptarë. Themi edhe  se jemi tolerantë, por pjesëtarët e njërës fe i eksludojnë me urrejtje të tjerët. Nuk durohemi fshat e qytet, qytet me qytet, krahinë me krahinë, veri e jug, kryeqytet me provincë.

Ne vazhdimisht bluajmë e flasim për integrime euroatlantike e vet s’jemi integruar ende në një komb të fuqishëm. Ne kurrë nuk kemi bërë programe kombëtare për arsimin, por jemi sjellë vërdallë rreth programeve të huaja, prandaj arsimin gjithkund e kemi në shkallën më të ulët të mundshme, një arsim ku mbretëron anarkia. Ne s’kemi bërë kurrfarë përpjekjeje për bashkëpunim fetar që t’i afrojmë më shumë klerikët dhe popullin që ta sjellim vetëdijësimin se kombi është mbi të gjitha. Nuk e shohim qe një shekull e më shumë se neve nuk na luftojnë të tjerët pse jemi myslimanë ose pse jemi të krishterë, por na luftojnë vetëm pse jemi shqiptarë. Sa prapa jemi prej rilindësve tanë! Sa prapa!

Përfundimisht:

Problemet tona më të mëdha janë të brendshme. Ato na e rrezikojnë të ardhmen dhe këto probleme mund të renditen kësisoj:

  1. Ndarjet e përçarjet krahinore me budallallëqet përcjellëse si: ne jemi shqiptarë, ju kosovarë etj.
  2. Ekstremizmet fetare që e brejnë indin kombëtar,
  3. Politika amatore ku gjëllijnë njerëz të cilët më shumë i shesin interesat kombëtare se sa që bëjnë ndonjë punë të hairit në planin e integrimeve kulturore, arsimore e ekonomike kombëtare.
  4. Arsimi i çorganizuar në tërë hapësirën kombëtare,
  5. Demokracia jofunksionale
  6. Akademitë dhe institucionet tjera që merren me trashëgiminë kombëtare të cilat vazhdimisht janë në gjumë dhe nuk kanë realizuar projekte serioze në domenin e detyrave të tyre.
  7. Keqpërdorimi i pasurisë materiale kombëtare nga ana e politikës (në radhë të parë)
  8. Mosrespektimi i Kushtetutës së vendit në Shqipëri

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button