Në Maqedoni besimtarët muslimanë falën namazin e Kurban Bajramit (FOTO)
Besimtarët muslimanë në Maqedoni sot kanë falur Kurban Bajramin, kua mëngjesin e sotëm janë mbledhur para xhamive. Me recitimin e Kur’anit dhe këndimit të ilahijeve, manifestimi qëndror nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Një numër i madh i besimtarëve ishte i pranishëm në xhaminë ku u mbajt ceremonia qendrore e faljes së Kurban Bajramit, namazit të së cilit i priu kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, ndërsa i pranishëm në faljen e namazit ishte edhe ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şölendil.
Në hytben e Bajramit të cilën në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi nxënësi i medresesë “Isa Beu” në Shkup, Orhan Zendeli dominuan mesazhet për paqe, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve.
“Besimtar të dashur, kur të ktheheni nga xhamitë në shtëpitë e juaja merruni në përqafim, tejkaloni të gjitha inatet dhe hasmëritë. Zgjateni dorën e vëllait për vëllanë dhe dorën e ndihmës duke begatuar sofrën e të varfërit dhe të mbisundojë sot vetëm dashuria e sinqertë për njëri-tjetrin sepse vetëm kështu do të përmbushim porositë e krijuesit suprem”, ishte porosia e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Edhe në xhamitë e tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve muslimanë u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.